Ish kryeministri Berisha: Vjedhje dhe korrupsion në ministrinë e Mjedisit. Drejtori Dedej, transferon miliona tek ish-kompania e tij

230

Drejtori i AKZM i shkarkuar nga qeveria e mëparshme bën kërdinë me pëlqimin e ministrit

Lexoni denoncimin e punonjësit digjital. sb Jam një punonjës në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Dhe njëherë dua të bëj një denoncim për çfarë po ndodh në këtë ministri. Ka një paralizim të punës në çdo drejtori dhe agjenci, Mbi të gjitha, korrupsioni është ulur këmbëkryq. Ministri është pothuajse inekzistent, auditi e asnjë lloj kontrolli nuk ekziston më. Agjencia më e korruptuar është AKZM (agjencia kombëtare e zonave të mbrojtura). Drejtohet nga një drejtues që e fillon ditën, se ku do pijë raki dhe çfarë do vjedhë për këtë ditë. Qindra milionë lekë të vjedhura, duke filluar nga investimet nëpër godinat e rretheve në pronësi të AKZM, uniformat e punonjësve, të bëra në cilësinë skandaloze, tek seminaret, tek tenderë të ndryshëm për faunën, shërbimet fizike të automjeteve të kësaj agjencie etj., etj., e duke përfunduar tek qindra e qindra miliona të tjera të vjedhura nëpër mjet INCA (shoqëria për ruajtjen e natyrës), ku ka transferuar me qindra miliona. Zamir Dedej në bashkëpunim me Drejtoreshën e Financave kanë bërë këtë skemë, duke qenë se vetë Zamiri ka qenë President i INCA, kurse kjo drejtoresha ka burrin e vet punonjës aty. Ju lutem z. Berisha ngrini një komision parlamentar për t’i kontrolluar këto veprime dhe do shihni fytyrën e vërtetë të “Rilindjes”! Për t’Ju bindur do ju dërgoj dhe prova në dokumente për lekët që transferohen tek INCA. Po sistemohen të tëra dosjet me urgjencë, për lejet e ndërtimit në Zonat e Mbrojtura, për Hecet e për gjithçka. Gjithçka po ndodh këto ditë me Zamir Dedein në krye dhe nën miratimin e heshtjes të Blendi Klosit.