Ish-kryeministri Berisha: Përgjigje Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç!

275

Nga Sali Berisha

Të dashur miq, dje në konferencën e tij për shtyp presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një sulm me emër më akuzoi se kam shprehur mbështetje për Haradinajn dhe si politikan po punoj direkt për Shqipërinë e Madhe.

Që në fillim dua të theksoj se me një sulm të tille absurd presidenti i Serbisë ka dy synime kryesore.

Së pari të kamuflojë apo maskojë sadopak politikën e tij të serbomadhisë, me të cilën po mbillen flakët e një konflikti të ri në Ballkan.

Së dyti, duke renditur në një aë Berishën, Bashën dhe homologun e tij të Shqipërisë, Presidentin e Republikës Meta, ai vërtet merr në mbrojtje, por njëkohësisht edhe i nxjerr lakuriq para opinionit publik Zografin Bis, Miladinin shqipfolës dhe Baton Stanishiq si argatë të tij, të cilët u damkosën përfundimisht në Berlin si shqiptarë apatride, flamurmbajtës të projektit të tij të Serbisë së Madhe.

Por këtu duhet ëe them që në fillim se, për ato që ai thotë për Hardinajn, pra për mbështejen time ndaj tij, ai nuk ka gabuar.

Unë mbështes pa ekuivok drejtësinë ndërkombëtare, gjykimin e të gjitë atyre që kanë kryer krime në dhunim të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Shtoj këtu se gjatë viteve të PD në pushtet, Shqipëria ka dhënë në këtë drejtim kontributin e saj modest.

Por unë e kam mbështetur dhe jam ndjerë krenar me aktin burrëror të Ramush Haradinajt kur në vitin 2004 luftëtari i lirisë, komandanti trim i UÇK dha dorëheqjen si kryeministër i Kosoves dhe u paraqit në respekt të ligjit dhe drejtësisë ndërkombëtare para gjykatës së Hagës, akt që ai e persëriti edhe në vitin 2011. Në aulën e kësaj gjykate të respektuar ai provoi para familjes së tij, vendit dhe kombit të tij, por dhe mbarë botës pafajësinë e vet të plotë.

Haradinaj, luftëtar i lirisë, me aktin e tij zgjodhi dinjitetin e tij, të detyrës që mbante dhe të vendit të tij. Në të njëjtën kohë, idhulli i zotit Vuçiç, komandanti xhelat i popullatës civile muslimane në Bosnje, Ratko Mlladiç, fshihej si mi nga drejtësia ndërkombëtare, i tmerruar nga genocidi dhe krimet kundër njerëzimit që kishte kryer. Jo rastësisht po bëj këtë krahasim, por jam i detyruar të rikujtoj se asokohe një i ri nacionalist ekstremist serb mori famë me nismën e tij një “shtëpi për Mlladon”, nismë me të cilën ai ftonte serbët ti ofronin një strehim të sigurtë ku të fshihej nga Gjykata e Hagës, pra një vrimë miu, heroit të Aleksandër Vuçiçit, gjeneralit monster Ratko Mlladiç. Askush nuk duhet të harrojë se ky i ri nismëtar i vrimës së miut për Mlladiçin ishte vet Aleksandër Vuçiç.

Unë gjithashtu e mbeshtës Ramushin sepse ai dy ditë më parë, edhe pasi është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e OKB në Hagë, përsëri me civilitet dhe me dinjitet shtetari dha dorëheqjen si kryeministër për t’iu përgjigjur thirrjes së Gjykatës Speciale dhe, të jem i sinqertë, unë besoj se njëlloj si dy herët e tjera ai do provohet i pafajshëm. Këtë bindje ma përforcon me deklaratën e tij të djeshme vet Vuçiç, por kjo nuk është objekti i këtij shkrimi.

Së fundi, unë e kam mbështeur Ramushin sepse në një qëndrim historik të drejtë, gjatë vitit të fundit Haradinaj bëri të dështoje projektin Serbisë së Madhe të Vuçiç. Ky i fundit kishte arritur me teknikën e vjetër të Kalit të Trojës, duke marrë peng me dosje apo transaksione të tjera, që flamurin e zi të këtij projekti t’iua varë në qafë argatëve të tij shqipfolës, albanofobë, Zografit Bis, Miladinit shqipfolës dhe Baton Stanishiqit.

Unë jam për tregtinë e lirë, por Ramushi taksën nuk e kishte kundër prodhuesve dhe tregtarëve serbë.
E vërteta është se taksa Haradinaj ishte takse anti Hashim, pasi ky i fundt, i marrë peng me ndihmën e Vukçeviçit me dosje nga vet Vuçiç, sillet si argat i neveritshëm i padronit të tij. Ramushi vendosi të themi dhe arbitrarisht taksën anti Hashim sepse ky i fundit në shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës dhe të gjitha akteve ndërkombëtare mbi të cilat bazohet shpallja e pavarësisë së Kosovës, në të cilat janë përcaktuar dhe vendosur kufinjtë shtetërore dhe integriteti territorial i saj, nxori në treg të gjitha këto në mbështetje të hapur të projektit të Serbisë së Madhe, pra, defakto të ndarjes së Kosovës nga Serbia dhe Shqipëria.

Por akoma më keq, Miladini shqipfolës, Ramushit dhe shqiptarëve ua shiste këtë si një projekt të tij, pra të Prishtinës, me të cilin në emër të Serbisë së Madhe donte të bashkonte Shqipërinë me Kosovën dhe nga ana tjetër mashtronte botën se ai kishte mbështetje të gjerë ndeëkohë që ky projekt në Kosovë nuk mbështetej nga asnjë forcë politike përveç Listës Serbe dhe rezidenturës së Beogradit në Prishtinë. Kurse në Shqipëri, mbështetës i vetëm i tij është Zografi Bis dhe një grup i ngushtë i narkozyrtarëve të tij.

Këto kisha lidhur me akuzën keqdashëse por të drejtë për mbështetjen time për Ramush Haradinajn, me të cilën më nderoi dje Aleksandër Vuçiç.