Investigim i ‘Alarm!’: Ajazi, emërime të kundërligjshme në SHISH

113

TIRANË-Rikthimet dhe emërimet në shkelje të plotë dhe të hapur të ligjit për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror, kanë qenë fokusi i investigimit të emisionit Alarm. Me emërimin e drejtorit Visho Ajazi Lika në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror në gusht të vitit 2012, kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në personel e sidomos në kupolën drejtuese të tij.  Nga një anë kemi ish-punonjës të viteve ‘92-‘97 të rikthyer dhe emëruar në poste të larta drejtuese. Pasi kanë qenë të larguar për shumë vite nga ky shërbim, rikthimi i tyre është vlerësuar duke ju dhënë mundësi që ata të mbajnë tani poste të rëndësishme drejtuese. Së dyti, punonjës të dikastereve të tjera të emëruar në kundërshtim me statusin e  punonjësve të SHISH  pranë këtij të fundit, por edhe punonjës të mbetur nga vitet ‘92-‘97, promovuar me ndryshimet e fundit, në pozicione drejtuese. Megjithëse, një institucion që në bazë të punës së tij ka sekretin, gazetarët e Alarm kanë arritur të zbulojnë se edhe pse në mungesë të disa kushteve si kursi bazë , apo kushti i sigurisë , këta punonjës janë sot kupola e SHISH. Rasti më flagrant është ai i një ish -punonjësi të Gardës së Republikës, i cili ka shërbyer më herët si bodigard i z.Lika, emëruar direkt kryetar dege pa qenë më parë i emëruar në nivel më të ulët, atë të inspektorit. Në lidhje me këtë skandal, ish drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, u shpreh se rikthimi i punonjësve të viteve ‘92-‘97 rikthen një eksperiencë negative në këtë institucion, teksa emërimet e reja në kundërshtim me kriteret e përcaktuara ai i ka quajtur thjesht vende pune që po zihen tashmë nga individë, të cilët kanë ngelur pa punë pas ikjes së qeverisë “Berisha”.