Intervistat e fundvitit me Edi Ramen dhe Sali Berishen

898
Sigal

INTERVISTA/Edi Rama: “ PS-ja është kooperativa kolektive e mendimit tim”

 “Me Saliun, kemi rënë dakord të mbetemi kryetarë të përjetshëm!”

Ftesa që më erdhi nga Kryetar Edi më çuditë kur më thoshte : “ Eja miku im, të festojmë fitoren mbi Berishën.” Sado që e vrava radaken time, nuk më kujtohej ndonjë fitore e Kryetar Edit ndaj Ramës. Nejse, thashë, dhe mora rrugën e që të çon te PS-ja e Kryetar Edit.  Kur mbërrita të Selia e Kryetar Edit, dyert i pashë të gjitha të hapura, sado që thonë, se Kryetar Edi i mbyllka dyert dhe punët i bën në hijen e kyçit. Të gjithë burrat e gratë e PS-së, ishin të ulur në sallën e madhe, ku në mes të tavolinës ishte një tortë, pak më e vogël nga torta e Lul Bashës, për 28 Nëntorin. Një qiri i madh, në bojën e Kryetar Edit, por me hundën më të zgjatur, që të jepte diçiturën e  Njëshit, ishte mbjellë në mes të tortës.  Kryetar Edin e pashë që çoç zhgaraviste në murin përballë dhe kjo më habiti së tepërmi, edhe pse thonë që shoku Edi është diplomuar për të bërë pikturë, deri tani as zhgaravinë nuk i kemi parë. Ishte hera e parë që Kryetar Edin e pashë, jo me kostumin e kollaren shik, por  veshur me një pelerinë basme, si ato të mjelësve të lopëve, në kooperativës time të dikurshme. Të gjithë, burrat e gratë e PS-së ishin kthyer në mumje, thua se Kryetar Edi qëndiste ata në mur. Sa orë ndenja në mbledhje, nuk dëgjova kush, jo vetëm të nxirrte zë, por as të gërhiste, për të mos prishur melodinë e fjalimit të shokut Edi, siç më shpjegoi shoku Erjon Veliaj, sekretari i byrosë të Kooperativës socialiste. Kur të gjithë ikën, siç erdhën, duke lënë vetëm hijen dhe frymën, asnjë fjalë debat, shoku Edi më dha këtë intervistë ekskluzive.

– Shoku Edi, përse jeni kaq i sigurt që do të fitoni kësaj here?

Së pari, dua t’ju kujtoj edhe juve, që nuk jetoni në këtë botë. Jeni bërë si Saliu, edhe ju. Unë tani, nuk jam më as “Zoti Rama” dhe as “shoku Edi”. A nuk ishe këtu dhe besoj se i dëgjove, që të gjithë, duke filluar që nga Arben Malaj, e deri te Tom Doshi, të gjithë më thërrasin “ Zoti Kryeministër”. E dëgjoj përditë të ma thonë shokët e PS-së, sa dua, s’dua unë, apo do s’do shoku Berishë, kjo ka ndodhë tani. Thjesht, pres që edhe zotërinjtë ambasadorë, këtu në Tiranë,  të më flasin që tani “ Zoti Kryeministër”, që ta besojnë edhe shoku Skënder e shoku Milo, që jam Kryeministri de facto i Shqipërisë, edhe pse 23 qershori do akoma muaj të na mbërrijë.

Përse keni këtë bindje absolute që do të jeni Kryeministri i ardhshëm? Me shokun Sali, as shoku Ramiz nuk doli i bindur se e kishte njeriun e tij.

– Kësaj here nuk mban më ujë pilafi. Ua kam shpjeguar edhe miqve tanë amerikanë e europianë, që unë nuk mund të duroj dot më pa u bërë Kryeministër. Boll 8 vjet kryeministër Saliu, shto edhe 4 vjet kur ishte  President, nuk u ngop ai me pushtet? Demokraci kemi  në Shqipëri, apo pu(sht)tinizëm?

Çfarë jeni i gatshëm të bëni, në qoftë se miqtë tuaj nuk bindin Saliun të lërë pushtetin?

Do të futemi të gjithë si parti, anëtarë e militantë, me plaçkë e me kuçkë në grevë urie demokratike, me ditë, me muaj, me vite, dhe do të kërkojmë: “O pushtetin shokut Edi, o të djegim gjithë vatanë”. Se pa pushtetin në duart  e mia, nuk ka më jetë për asnjë socialist në Shqipëri.

Shoku Edi, cila do të jetë alternativa ndryshe e juaja në qeverisje?

– Më falni, po ju po më nervozoni. Ju thashë, të gjithë tani mua më thërrasin “ zoti Kryeministër”. Kush jeni ju, që nuk doni të më thërrisni, ashtu si më thërrasin të tërë në PS? Po nuk më thërrisni edhe ju, “zoti Kryeministër”,  që nuk jeni socialist, si do ta besoj unë, që qysh tani jam (bërë) Kryeministër?

– Më falni, zoti Kryeministër…

– Ja e shikon? Nuk e patët të vështirë. Tani po e besoj edhe vetë, që jam kryeministri i ardhshëm. Tani, po u përgjigjem me qejfin e Kryeministrit që do t’i drejtohet popullit të vet. Qeveria ime socialiste do të jetë e ndryshme nga qeveria monarkiste e shokut Sali, se ne, ditën e dytë të qeverisjes, do të nxjerrim aktin normativ për të rrëzuar Zogun. Ndryshimi më i madh, besoj midis meje dhe shokut Sali do të jetë te emërtimi i qeverisjes. Qeveria ime socialiste do të jetë qeverisje kooperativiste dhe jo qeverisje monarkiste e Saliut. Unë, nuk do të jem Saliu Kryeministër, që t’i tremb përçdo çast shqiptarët, që nuk guxojnë të hapin televizorin, se u del Saliu si kuçedër, por do të qeveris me Tvvitter, siç bëra edhe opozitë. Unë do të jem kaq aktiv e palodhur për të mirën e shqiptarëve, sa do lodhem duke vajtur derë më derë kryeqyteteve të Europës, e do t’i bind që unë nuk jam kuçedra Sali, por humanisti Edi Ramë. Kryesinë e kooperativës qeverisëse  në Tiranë do tja besoj shokut Erion Veliaj, si shpërblim të kontributit që dha në rrëzimin e Nanos, e Saimir Tahirit, që e kam  besnik që  nga koha e Bashkisë.

-Zoti Kryeministër Rama, cila do të jetë e reja që do të sillni me qeverisjen e kooperativës socialiste?

– Qeveria ime, si  çdo godinë e re, që premtoj se do të jetë më e larta, më e madhërishme, më e bukura nga të gjitha ato pallate që janë ndërtuar në Tiranën kur unë isha Kryebashkiak, ka nevojë për themelet e shëndosha. Dhe këto themele, do të ngrihen mbi gërmadhat e Saliut, që do gremisim, duke i hequr, qime-qime, të gjithë njerëzit e tij nga pushteti. Boll hëngrën njerëzit e tij. Tani u ka ardhur radha të mbushin xhepin, njerëzit e mi. Vetëm kështu rritet edhe mirëqenia ekonomike, duke bërë edhe barazimin ekonomik të shoqërisë. Se Saliu pasuroi vetëm njerëzit e tij, sa as kockë nuk i dha miletit socialist.

–   Kjo a nuk do të thotë, ha Muço, pi Miço?

Po vetë demokracia, a nuk kërkon rotacionin e saj?

– Qoftë larg, shoku Edi, më fal, zoti Kryeministër, ndodh çudia që miqve  ambasadorë prapë nuk u shkon llafi edhe kësaj here, dhe nuk e bindin shokun Sali që të lëshojë pushtetin, cila është e ardhmja juaj?

– Me shokun Sali kemi bërë me shkrim një marrëveshje, që në 2008-n. Edhe po të ndodhë hataja e Maya-ve, në politikën shqiptare, duke mos fituar njëri apo tjetri, asnjë nga ne, as unë dhe as shoku Sali nuk do të lëshojmë karrigen e Kryetarit të partisë. Pa ne, nuk ka parti. Pa ne nuk ka lezet as sherri. Prandaj ne të dy, si dy  kokat e shqiponjës të Flamurit tonë, bëmë edhe Kushtetutën kostumin tonë politik, që pushtetet t’i kemi në dorë vetëm ne të dy dhe askush tjetër në Shqipëri.

–  Shoku Kryetar Edi, po të ketë ndonjë të tretë që të pretendojë rotacion demokratik edhe në parti?

– Unë e shoku Sali, si dy kokat e vetme të shqiponjës të Flamurit tonë, e kemi dhënë me prova mbajtjen e fjalës tonë. Cilido i tretë, që do të guxojë të futet në sinorët e pushtetit tonë, do të katandiset si Topi e Kaçi, duke kërkuar ndonjë kockë pushteti…

INTERVISTA/Sali Berisha, Kryemadhnia i Shqipnisë: “Demokraci, miletit, unë i lejoj të bëjnë ciu-ciu, e jo të veprojnë kundër meje”

 “ Shqiptanët janë popull i butë, pa kujtesë, ndaj më nderojnë mu si prijs”

– Zoti Berisha, unë e di fort, që ju, sa antiEnver jeni në shpirtin tuj, po kaq proZogist mund të bëheni në pleqninë tuj. Ç’ju shtyu juve që t’i bëni kaq temenara Zogut?

Politika zotni, asht art dhe duhet të gjesh çelësat si të mbetesh në mend e njerëzve. Se shqiptarët, ja ta them unë, si Sal, asht popull i butë, e nuk kanë kujtesë. Përtypin atë ushqim që u jap në çast. Boll me ngop stomakun, pa u ban merak për krip e ambalsir.

– Dhe ju zotni Sali, keni mendu se, duke lartsu kufoma historike, mendoni se do të mbeteni në kujtesë të të pakujtesëve?

– Ky popull të mba mend për marrëzitë që i thu. Ndaj edhe un, q’ të jem çdo çast në vesht e gojën e miletit, më duhet të them marrëzit, që njerëzit normal kanë turp me i than. Ja më thuj ti, çfarë mban mend ky milet nga ciu-ciu që ban Ed Rama në Tëitter. Duhet të provokosh, që t’ë mbajnë nëpër gojë e në mend.

– Dhe si mund t’i provokosh miletin, zotni Sal?

– Duke u than marrëzitë, që ngacmojnë jo vetëm të ngjallët e kësaj bote, por edhe ata që janë në botën tjetër. Un nuk e zuna në gojë fare Ismail Qemaln, e dëgjove kush të më përgojojë kush? Un e vura Ismail Qemaln polic garde,  që të ruj Kuvendin e Jozefins, a pe ndonjë të q’ reagoj për keq? Ja pse them un që Rama nuk di me bo opozitë, se nuk di me u gjend çdo çast  në gojë e në vesh të popullit. Zoti Ram, kujton se shqiptarët u ban europian, ngaqë din disa me shkrujt në Tëitter. Shqiptari që t’ të respektoj, duhet me e trajtu shqiptarçe. Shoku Enver dhe Lartmadhnia Zog më kanë msu se vetëm me dajak, e ban këtë popull t’ të doj më shumë.

– Zotni Sali, mendoni se sa më lart t’ lartësoni marrëzit, kaq më e gjatë asht hija e zotnis sate?

– Mos kujto dhe ti, që mu më ha fort meraku i Lartmadhnis Ahmet Zog. Ai asht i vdekn dhe un nuk i kam frik për pushtetin.

– Po at’her?

– Unë du me u thon shqiptarve. Ja kush asht prijësi yt i madh. Skënderbeu ishte vetëm 25 vjet prijës. Ka vdek për me qën i par. Zogu ishte vetëm 15 vjet.  Edhe ky ka vdek për me ken i par e i dyt. I par kush mbetet? Unë deri sot kam 22 vjet. Dhe 20 vjet të tjera i kam të sigurta. A nuk del që edhe matematikisht unë jam i prijësi i par i shqiptarëve të të gjith kohrave?

– Po pse je kaq i sigurt që do jesh edhe 20 vjet të tjera, zotni Sal. Në demokraci, populli voton e të qëron, si patate?

– Po me kët Ram, un edhe i vdekun qofsha, ia fitoj votat, pa u votu. Me gisht në gojë e lashë në bashki me Luln, i marrë jam me ia dhan tani që kam Mul e Ristan bashkë? E kur, tash, që të gjitha i kam në dorën time. Këtu e 20 vjet që vijn, Rama nuk ikin nga PS-ja, ndaj jam i sigurt se do mbretëroj i qet.

– Po historia nuk bahet me aritmetik, zotni Sal, dhe as me monumente, që u bën si preshi i Belortas. Mbill në pranver e çkul në vjesht, para dimrit.

– E kam mendu edhe at punën e preshit të monumenteve. I kam than Nokës që të ket një gard kombtare që të ruj 24 or Zogun nga vjedhsit e skrapsve. Të jena ta sigurt, që vet shqiptarët, që në ngjallje temen, do të lartsojn një monument të prijsit të tyne, 3 herë më të lart sa i bëna un Zogut.

– E pse të duhet edhe monumenti më i lart se i Zogut, zotni Sali? Nuk të hyjnë në punë gjithë ajo pasuni që thon se ke ba?

– Shqiptarët, të vlersojnë, gjithmon, duke të krahasu me dikë tjetër. Sa t’ thash, që shqiptart janë milet pa kujtesë, e nuk mbajn mend çka ndodh 5, 10, 15 vjet më par. Ja , më thuj, ti. Ç’mban mend ky milet shqiptar për shokun Fatos? E kujton vetëm si ikonë, me gotën e uiskit në gojë. Un jam edhe doktor, e popullin shqiptar e shikoj si ai pacienti që kam shtrir në krevatin e kirurgjis. Që, para se t’i heq kujtesn historike, më duhet që t’i bëj narkoz, që të mos ndjej dhimbje. E marrzit që them përherë unë, jan narkoza që u mpin shqiptarve kujtesn. Mund ta ket ndonjë Xhuf e Milo, më të marrë se unë, që t’ thon sa marrzia them un, po sa të kem Fevzin, i mbyt me pështim ata. U them shqiptarve. Lartmadhnia Zog krijoj shtet të par, por u tregoj shqiptarve se çfar shtet kam ban un. Jam më i par se Zogu, se shtetin tem e quaj demokraci dhe  u lejoj shqiptarve të grijnë sallat sa të dun, pa i dënu me burg. Por, jam më xhahil se Zogu, për ata që guxojn e dun me më prek pushtetin, e u dëftoj plumbin, si në 21 janar.  Un nuk trembem hiç, me i lanë ta pabindurit të digjen në mes të Tiranës, e askush nuk guxon me hap gojn me ba llap-llap.  Un nuk jam monarkist, por demokrat, se zgjidhem, edhe kur mileti nuk voton për mu. Unë, jam më i par, edhe se Skënderbeu, që priu 25 vjet në principata, edhe se Zogu që priu 15 vjet në monarki, sepse kam 22 vjet në demokraci që mbretëroj. Më thoni ju një tjetër prijs në Ballkan, në Europ që të ketë mbet 22 vjet në demokraci? Dhe kush ka me më ndalu të mbretëroj edhe 20 vjet të tjena?

Cila asht anekdota më e madhe që ke dëgju, këto dit zotni Berisha?

– E tha në gjyq një ekspert. Që një njeri mund të vritet nga ciflat  e rikoshetës   së plumbit që bën në një pemë. E pe si e hëngrën shqiptarët, si të vërtet? Thua se ishte bakllavaja e Vitit të Ri.

– Çfarë është Kushtetuta për ju, zotni Sal?

– Kam dëgju që në furrat e buks ka libra që furxhiu shkrun dhe shun përdit ata që blejn buk. Edhe un, Kushtetutn e kam si defterin e furxhiut. Që shkruj  në Kushtetut ato që më interesojn mu, sa i jap urdhnin Rusmajlit dhe e shuj ato që më çpojnë këmbën. Pardje thash faqe miletit, Lartmadhnis Leka II “Princi i Shqipnis”. Edhe pse ma ndalon Kushtetuta ta quj princ pinjollin e Zogut, a dëgjove kënd me më kundërshtu? A i thot kush nga tatimet furxhiut pse shun e shkrun emra në defterin e tij? Unë jam Sal Berisha e Kushtetuta asht defteri i hesapeve ta mia.

– Cila është dëshira e paplotësuar e juaja, zotni Sali?

– Dua të kapërcej hijen e shokut Enver. Do t’ku them një të vërtetë që jua them vetëm juve. Akoma e kam frikë shokun Enver. Besoj te Zoti dhe trembem se mos ringjallet ndonjëherë, sa të jem unë gjallë dhe më bën gjyqin që e kam sharë, që e kam përshirë edhe unë, të cilin shoku Enver më kishte besu zemrën e tij.