Intervista / Eduard Halimi, ish-ministër i drejtësisë. Ish-bashkëkryetari i Reformës në Drejtësi bën skanerin e situatës ku ndodhet gjyqësori. Amnisti për gjyqtarët e prokurorët që largohen vullnetarisht nga Drejtësia. Kuvendi, mungesa e Kushtetueses, vendimi “pilot” i Gjykatës së Strasburgut, “KÇK-ja”, grup-faktet që bindën Venecian për 30 qershorin, pse vetingu i shkallës I përfundon për 12 vjet dhe 10 propozimet tekniko-ligjore

127

 

 

 Amnisti për gjyqtarët e prokurorët që largohen vullnetarisht nga Drejtësia

Gazeta Telegraf

 Eduard Halimi, Ish-ministër i Drejtësisë dhe ish-bashkëkryetar Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi, në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se Opinioni përfundimtar I Komisionit të Venecias për dekretin e Presidentit të Republikës të Shqipërisë për 30 qershorin, është se “Venecia” pranon arsyet dhe logjikën e Presidentit dhe është OSCE që do jap verdiktin final. Zoti Halimi thotë se mazhoranca, kërkon opinion sa herë që nuk është e bindur në politikat e saj, prandaj mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk zëvendësohet dot nga “Venecia”, prandaj të gjithë Institucionet ndërkombëtare kërkojnë që kjo çështje t’i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese shqiptare. Zoti Halimi jep edhe alarmin se Vetingu, me këto ritme që gjykon, do t’i duhen dekada që të mbarojë, prandaj edhe në intervistën për gazetën “Telegraf” zoti Halimi, ish-ministri i Drejtësisë parashtron edhe propozimet e tij.

-Zoti Halimi, Ju si e lexoni opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias për shkarkimin e Presidentit të Republikës?

– Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias është një verdikt drejtësie. Nuk kam pasur dyshim se opinioni përfundimtar do të ndryshonte nga drafti, pasi krijova përshtypjen se reporterët nuk kishin pasur në dispozicion gjithë faktet, grup faktet dhe analizën bazuar në hapësirë dhe në kohë. Opinioni përfundimtar konkludon se Presidenti ka bërë zero shkelje të Kushtetutës. Termi “tejkalim” i përdorur në draft nuk ekziston në Kushtetutën tonë dhe me të drejtë është hequr. Komisioni u bind nga faktet dhe grupfaktet e paraqitura nga stafi i Presidentit, se ky i fundit është udhëhequr nga qëllimi i mirë dhe se nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës. Besoj se tani është e qartë për të gjithë se ky debat është i mbyllur. Edhe për sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit Komisioni pranon arsyet dhe logjikën e Presidentit të Republikës se është OSCE që jep verdiktin final.

– A mendoni se duhej të kishte një tjetër rrugë zgjidhje nga Kuvendi pa kaluar në Komisionin e Venecias me këtë çështje, derisa në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese?

– Mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk zëvendësohet dot nga Komisioni i Venecias me gjithë super ekipin që ata kanë në fushën e këshillimit ligjor. Nuk është hera e parë që kjo ndodh, kur mazhoranca kërkon një opinion, kur vetë nuk është e bindur në rrugën që po ndjek. Besoj se tani gjithçka është e qartë dhe nuk besoj se do vijohet me këtë procedurë.

– Tani, që edhe Komisioni i Venecias thotë që Presidenti i Republikës nuk ka bërë shkelje të Kushtetutës për dekretin e 30 qershorit 2019, a bien ato zgjedhje, të zhvilluara në kundërshtim me Kushtetutën?

– Ka disa vendime në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut për rastet e votimeve me një kandidat. Edhe në intervistën e dhënë para pak kohësh për “Telegraf.al” kam theksuar se nuk ka dyshim që e drejta për të zgjedhur e më shumë 60% e zgjedhësve është shkelur. Këtu nuk ka ekuivok. Çështja është se pothuajse të gjithë Institucionet ndërkombëtare kërkojnë që kjo çështje t’i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese shqiptare. Nga SHBA, 2 ditë pas zgjedhjeve dhe deri tek vendimi i fundit sot, të gjithë vendet anëtare nuk shohin asnjë ekuacion tjetër përveç Gjykatës Kushtetuese, sepse janë të bindur besoj se ky rast duhet të jetë shembull jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e rajonit.

– Gjykata Kushtetuese mund të stërzgjasë në kohë për t’u ndërtuar. Duhet të presim, sa të gjykojë Kushtetuesja për 30 qershorin?

– Juridikisht më duhet të jem dakord me konkluzionin tuaj. Megjithatë i takon politikës, që të zgjidhë këtë situatë tensioni, e cila po dëmton shumë vendin dhe biznesin.

– Po për mandatin e kryebashkiakut të Shkodrës, a ka krizë kushtuese? Cila është zgjidhja më ligjore, derisa të gjykojë Gjykata Kushtetuese?

– Edhe kjo është një pyetje e drejtë, sepse zbulon dy standardet që përdorin si argumente, justifikime apo alibi palët. Nëse njëra palë thotë se janë shkelur të drejtat e qytetarëve për të votuar në 30 qershor nga dekreti i Presidentit, po për të drejtat e qytetarëve të Shkodrës që nuk po votojnë akoma pse nuk mbahet ky standard?

-Nëse ndodh që Gjykata e Strasburgut u jep të drejtë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë përjashtuar nga Komisionet e Vetingut, çfarë ndodh me tërë procesin e Vetingut?

– Varet nga çështja e cila është duke u gjykuar e para, dhe natyra e saj. Nëse Gjykata e Strasburgut do ta bëjë këtë rast PILOT, atëherë do të ketë pasoja për gjithë procesin, në rast se nuk do jetë vendim pilot, gjasat që të ketë ndikim mbi gjithë procesin mund të jenë të vogla.

– I pyetur nga “Telegraf.al” në lidhje me deklaratat e Kryeministrit se ndaj “KÇK” që ju e keni artikuluar i pari në media, a do të bëhet një ligj i veçantë? Cila është qasja juaj rreth kësaj zgjidhjeje? A do shpëtoje kjo reformën në drejtësi që ka ngecur në vend? A do nxisë krijimin e shpejtë të institucioneve siç e kërkon dhe BE?

– Reforma e Drejtësisë e miratuar në 2016 cilësohet me të drejtë si një revolucion i qetë me konsensus politik, dhe është mirë të jesh pjesë e diçkaje me të madhe se vetja. Padyshim, që nuk ka kthim pas në rrugën e nisur, por ky proces ka prodhuar efekte anësore, të cilat mund të ishin minimizuar, nëse do kishte më shumë besim mes palëve dhe do ishin dëgjuar zërat racional. Për këtë shkak, eventualisht procesin e vetingut e presin sfida edhe më të mëdha në të ardhmen.

-Ju Faleminderit!

Vetingu, vetëm për Shkallën e Parë, përfundon për 10-12 vjet

 

-A do të mund vetingu të arrijë kohën që në Drejtësi të plotësohen vendet për gjyqtarë dhe prokurorë?

Në mënyre që të ngrihen Institucionet e reja, individët duhet të kalojnë Vetingun në të dyja shkallët. Kjo është formula që kemi vendosur në kuadër të krijimit të institucioneve të pastra

Fakte dhe Shifra të përafërta:

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) përbëhet nga 12 persona. Në këtë Komision duhet të kalojnë: 365 Gjyqtare + 78 ndihmës ligjor, 360 Prokurorë dhe inspektore, në total afërsisht mbi 800 persona secili me nga tre komponentë. Sipas Kushtetutës Vetingu duhet të mbarojë brenda 5 viteve, deri në vitin 2021. Një vit ka afërsisht 200 ditë pune, duke zbritur muajin Gusht dhe pushimet e Viti të Ri. Me një kalkulim të thjeshtë, që të përfundojë Vetingu, KPK duhet të japë çdo ditë nga një vendim. Nga eksperienca e vitit 2018-2019 KPK (shkalla e parë ka përfunduar 140 vendime, pra një vendim 70 vendime në vit)

 Konkluzioni?

Me këto ritme Vetingu, vetëm për Shkallën e Parë, përfundon për 10-12 vjet. Për Apelin afatet gati dyfishohen

Çfarë efektesh sjellin vonesat në Veting?

  1. a) Vetingu, Kaosi në shkallët e para dhe Apel për shkak të tejzgjatjes. Me këto ritme do të na duhen edhe 10-12 vjet në këtë gjendje, eliminimi i ndikimit politik (Gjykata Administrative jep vendime pro qeverisë nga frika e vetingut).
  2. b) Mungesa e institucioneve të reja, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, SPAK, BKH dhe ILD, janë shkak i vonesave në veting dhe mungesës së burimeve njerëzore (pishina nga përzgjidhen)
  3. c) KÇK: Mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve për proceset aktuale dhe minimizimi i korrupsionit nesër.
  4. d) Vonesat e jashtëzakonshme në dhënien e drejtësisë, sot në GJL dhe nesër në Apel.

Këto janë probleme për të cilat duhen marrë masa për ti eliminuar, duke treguar vullnet politik por dhe me incedivim nga aktorët dhe faktorët vendas dhe ndërkombëtarë me shumë larg në financime.-Zoti Halimi, si ish-bashkëkryetari i Reformës në Drejtësi, çfarë propozoni Ju, për të përmirësuar zbatimin e kësaj reforme në drejtësi?

01

 

  • Amnisti për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që largohen nga sistemi me vullnetin e tyre.

 

  • Forcim të masave ndaj korrupsionit dhe aplikim të ligjit antimafia për ata që do të qëndrojnë dhe për të ardhmen.
    • Kjo do të sillte nxitjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të larguar, përshpejtim të procesit të vetingut, pastrim të shpejtë të sistemit dhe ngritje të shpejtë të Institucioneve të reja.
    • Do të sillte ulje të kostove për qeverinë dhe BE pasi procesi i vetingut për 5 vjet i kushton BE 50 mln Euro ndërkohë që fondet për SPAK rrezikojnë.
    • Përfundim të shpejtë të vetingut, shoqëruar me rritjen e kapaciteteve dhe financimit nga qeveria, përfundim i procesit brenda 5 viteve, pastrim tërësor i sistemit nga gjyqtarët e prokurorët, eliminim i kaosit dhe ndikimit politik (fokus Gjykata Administrative e cila nuk jep vendime pro biznesit por pro qeverisë nga frika e vetingut)
    • Duhet të jemi larg me reformat dhe revolucionin e drejtësisë; nuk kap se të jetë domeni i 15 njerëzve të emëruar dhe kontrolluar, por një proces i 35 apo 45 vetëve me një staf prej 100 vetësh që ta përfundojnë procesin.
    • Krijimi i Institucioneve të reja do të reduktoje korrupsionin në administratën qendrore dhe lokale, shembull Rumania, me investime dhe prokurime transparente dhe reduktim të korrupsionit në 60% për vitin 2018 (shumë kompani shqiptare kanë fituar tenderë mln EUR në Rumani (klientët tanë), pa paguar një kafe në administratë). Për krijimin e tyre duhen fonde për përfundimin e vetingut me një listë prioritare.
    • Masa shtesë do të ishin për kontrollin, llogaridhënien, digjitalizimin dhe smart system. Rritje e transparencës, ndërtimi i sistemeve inteligjente për rritjen e kapaciteteve, përdorimi automatik i të dhënave.

02Për situatën sui generis të krijuar nga mungesa e Gjykatës së Lartë duhet të përgatitemi për 10-vjeçarin e ardhshëm duke u treguar pak më liberal. Sot, në GjL janë 32.000 dosje dhe çdo ditë e më shumë ato shtohen. Nëse krijohet nesër GJL me 19 gjyqtarë çdo biznesi do ti duhej të priste 17 vjet e 4 muaj për një çështje. Unike në botë kjo.

  • Zgjidhja Për vitet 2020-2025, të dyfishohet numri i gjyqtarëve në Gjykatës së Lartë me mandate zëvendësuese (si Gjykata Kushtetuese) për evadimin e çështjeve dhe ardhjen në normalitet.

03  Për këtë komponent e rëndësishme është e ardhmja, 2025-2030. Vetingu do të sjell largimin e ndoshta 40% të gjyqtarëve e prokurorëve deri në vitin 2025, pra rreth 320 personave, ndërkohë që na duhen më shumë të tillë për shkak të stokut që do të krijohet.

Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi: Opinioni final i Venecias, një verdikt drejtësie

Ish ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe ish-bashkëkryetari i Reformës në Drejtësi ka reaguar pas publikimit të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë. Ish ministri i Drejtësisë Eduard Halimi shprehet se Opinioni Përfundimtar i Venecias është verdikt drejtësie dhe këtë e ka shprehur edhe më parë, sepse kishte krijuar bindjen se argumentet e plota të stafit të Presidentit, do të prodhonin një verdikt drejtësie. Eduard Halimi: Nuk kam pasur kurrë dyshim se opinionet përfundimtare të forumit më profesional në Evropë janë verdikte drejtësie. Në të gjitha intervistat e javës së kaluar miqtë gazetarë me pyesnin: A do ndryshojë draft opinioni nga opinioni përfundimtar? Përgjigjja ime bazohej në besimin e verdiktit përfundimtar, integritetin e Institucionit dhe bindjen se argumentet e plota të stafit të Presidentit, do të prodhonin një verdikt drejtësie. Verdikti i sotëm i Venecias, është një verdikt drejtësie për Shqipërinë e sotme, të nesërme dhe gjithë vendeve anëtare të KiE. #zeroshkelje #presidenti #kushtetuta.