Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është peng i politikave partiake

481
Sigal

FORUM/ 2013-a, domosdoshmëri  për një marrëdhënie të re midis politikës dhe qytetarit, midis partive dhe pushtetit

Në këtë forum, “Telegraf” sjell opinionet e analistëve Afrim Krasniqi, Zamira Çavo dhe të Myslim Pashaj, për të dhënë këndvështrime të ndryshme të ngërçit të procesit të Integrimit. Ndërsa në tetor, ne presim mëshirën e europianëve, të na japin në zarf, startin e Integrimit në BE, pavarësisht se politika jonë është në reaminacionin pathologjik të ngërçeve.

– Karakteristë kryesore në ecurinë e realizimit të reformave të 12 prioriteteve është kohëzvarritja, dhe pastaj, në momentin e fundit, ngutja për të votuar ç’të jetë, për të mos marrë përgjegjësinë e bllokimit. Kujt qëllimi politik i shërben kjo parapolitikë?

KRASNIQI: – Palët politike flasin për integrimin, si diçka utopike, të paprekshme, diçka mitike, pa lejuar të kalohet me terma konkretë, duke spekuluar me kërkesat dhe prioritetet, duke abuzuar me këtë proces dhe realisht, duke e përdorur atë si alibi për dështimet e tyre periodike. P.sh, aktualisht kemi një maxhorancë të bazuar e cilësuar si koalicion për integrimin. LSI me këtë alibi formale qëndron në qeveri.  Dy grupet drejtuese në PD-PS nuk kanë ndonjë interes madhor tek integrimi.

PASHAJ: – Ne e kuptojmë se realizimi i 12 prioriteteve është formale, mbasi poshtë këtij formati dihet se është një katakomb i tërë prapësive ekonomike dhe politike, ku mungesa e demokracisë dhe autokratizmi nuk do të ishte i mirëpritur në Europë. Po është vështirë që t’i realizosh në një politikë të tillë kur interesat e partive të klaneve, oligarkisë së re ekonomike, janë ngritur mbi interesat e ardhmërisë së Shqipërisë dhe perspektivës së saj.

– A ka ardhur momenti politik që elektorati shqiptar të votojë për zgjidhje më të mirë dhe jo për zgjedhjen më të mirë personale?

KRASNIQI:-  Natyrisht që po. Ndodhi në Greqi, po ndodh në Itali, ndodhi në Slloveni, në njëfarë mase ndodhi edhe në Kosovë dhe me siguri do të vazhdojë të ndodhë edhe tek ne. Udhëheqësit e tranzicionit nuk njohin realitet e model tjetër, janë të paaftë të përshtaten e të jetojnë në një fazë të re demokracie ku midis individit, qytetarit, pronës dhe zyrave të shtetit ka vija të kuqe ligjore e kushtetuese, të detyrueshme për tu respektuar. Ata nuk e njohin votën, nuk e pranojnë votën kundër, kanë alergji nga kritika dhe e shohin veten si udhëheqës të pavdekshëm.

PASHAJ: –  Dypolarizimi duhet shkërmoqur. Po unë do ta quaja jo “dypolarizim”, por “një trup i vetëm që ha vetveten”, mbasi për shqiptarët është qartë se nuk ka asnjë prirje të majtë apo të djathtë si kundër thuhet, ku nuk ka interesa të së majtës apo të së djathtës, por vetëm të klaneve ekonomike rrënuese kombëtare. Në këto kushte doktrinat e partive të reja janë shpresë që ky spektër politik  i gënjeshtrës të iki sa më parë.

ZAMIRA ÇAVO: – Koha ka kaluar. Jemi shumë vonë. Dhe kjo vonesë do të vazhdojë sa kohë që nuk kemi elita të reja politike dhe sa kohë që populli nuk arrin të kuptojë se çfarë fuqie ka në dorë!

– Meqë  disa forca të reja politike i kritikojnë si maxhorancën dhe opozitën për bashkëfajësi të barabartë,  mos vallë përpara elektoratit, dashur padashur kultivojnë idenë e zgjedhjes të së  keqes më të vogël?

KRASNIQI: – Nuk e di cili është efekti, por e di se vendi ka nevojë për hapësira të reja konkurruese. PD e PS nuk kanë më moral politik sepse janë të gatshëm të bëjnë (siç kanë bërë) koalicion me këdo, mjafton të qëndrojnë në pushtet ose të marrin pushtet. Ndaj çdo forcë e tretë politike, jo si numër, por si frymë, si projekt, si ide, si mënyrë tjetër sjelljeve dhe veprimi, përbën risi dhe është e mirëpritur dhe e nevojshme.

ZAMIRA ÇAVO: – Fatkeqësisht mendoj se shqiptarët ende nuk janë gati të vlerësojnë vetveten. Jemi një popull pa tradita demokratike dhe historia na ka vënë në “rresht” para “kapedanëve”. Pra, nuk kam ndonjë shpresë tek forcat e reja politike. Sigurisht që, do të këtë pak rrjedhje nga partitë klasike, por sërish do të mbeten në shifrat e zakonshme, për aq kohë sa 2 partitë nuk shpalosin strategjitë e tyre elektorale.

– Mendoni që PS-ja si opozitë ka një program që të fitojë  besueshmërinë e një alternative të ndryshimit, apo më shumë mbështetet në politikën ” kundër”?

KRASNIQI:- Shqipëria ka nevojë për rotacion, ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për opozitë, por nevoja e saj më e madhe është për ndryshimin e sistemit dypartiak që i ka zënë frymën sistemit politik, demokracisë, shtetit dhe qytetarëve, duke i detyruar ata të votojnë rregullisht të keqen më të vogël. Shqipëria ka nevojë për zgjedhjen e të mirës më të madhe, pra një alternative që ndërton, synon, zhvillon, jep shpresë, – gjë që aktualisht nuk e shoh tek asnjëra palë e vjetër politike.

ZAMIRA ÇAVO: – Politika shqiptare përpiqet të tregohet makiaveliste, por nuk arrin. Ideja se duhet larguar me patjetër Berisha, është shndërruar në një sindromë të politikës opozitare, e cila me siguri do të “paguajë” haraçin e kësaj sindrome. Sërish është një politikë diletante

– Vasaliteti i shkallës absolute të politikës tonë ndaj faktorit ndërkombëtar, çdo të thotë? Përkushtimin e madh politik për integrim?

KRASNIQI:-Në mentalitetin e secilës palë politike,  është se nëse SHBA e BE janë pro qëndrimeve të saj, ata mbeten të mirë, nëse jo atëherë etiketohen dhe shpallen sloganet absurde të sovranitetit.

PASHAJ: –  Është e vërtetë se ka një vasalitet dhe një kompleks inferioriteti të dukshëm. Duket se Shqipëria në këtë 100- vjetor dhe në shekullin e XXI nuk ka mëvetësi të plotë, por të çalë.  Nga Politika, por edhe nga vet Populli se ai nuk ka besim te zgjidhjet që duhet të japë politika shqiptare, prandaj me të drejtë i mban sytë nga jashtë , nga të mëdhenjtë. Kjo është shumë e rëndë, por është edhe një realitet. Nëse përzgjedhja e drejtuesve të institucioneve do të bëhej në mënyrë demokratike mbështetur në kritere të baraspeshimit të pushteteve, s’kishte se përse të kërkohej ndërhyrja nga jashtë dhe ndikimi i tyre. Demokracia jonë po bën prapa dhe s’ka progres. Ndikimi i partnerëve tanë nuk duhet të jetë formal por n ë themelin demokratik për të cilin kemi nevojë.

ZAMIRA ÇAVO: – E gjithë politika shqiptare ka një varësi të paparë nga faktori ndërkombëtarë. Më gjeni një vend të botës, ku ambasadori amerikan të sillet si “kryeministër”?