Ilir Meta: Vlerësojmë mbështetjen profesionale të misionit EURALIUS dhe OPDAT

447
Pas seancës së djeshme plenare kryeparalmentari Ilir Meta ka theksuar se “kemi përmbyllur një proçes të rëndësishëm, siç është dekriminalizimi. Por opozita ishte ajo e cila e bojkotoi këtë seancë plenare. 
Rritje integriteti për të zgjedhurit zyrtarë
Procesi i dekriminalizimit do të bëjë të mundur që ligji mbi integritetin e të gjithë të zgjedhurve dhe zyrtarëve publikë, të hyjë në fuqi me efekt të plotë. Pra kemi arritur, është shprehur parlamentari Meta, që ligjin konsensual, në mënyrë po konsensuale, ta mbështesim me këto akte mjaft të rëndësishme të Kuvendit, duke treguar vullnetin politik për të ngritur standardet e përfaqësimit publik të qytetarëve shqiptarë, jo vetëm në Kuvend, por në të gjitha institucionet. “Mendoj se ky është një ogur i mirë për të punuar me durim dhe me përpjekje të përbashkëta për të shmangur mosbesimin dhe ndërtuar ura mirëkuptimi, sidomos për sa i takon momentit në të cilën ndodhemi, për të finalizuar me sukses reformën në drejtësi”. Ilir Meta u shpreh se reforma në drejtësi paçka është komplekse, do e kemi më të thjeshtë duke marrë në konsideratë faktin e angazhimit të plotë të Komisionit të Venecias, si dhe të opinionit përfundimtar që ka ardhur për të gjitha çështjet që palët e angazhuara në këtë proces kanë adresuar. 
Asistenca euro-atlantike
Meta ka theksuar se: “Jemi me fat që kemi kontributin çmuar dhe asistencën profesionale të misionit të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, si dhe vullnetin e shprehur nga të gjitha palët për të respektuar standardet që do të afirmojë Komisioni i Venecias. Besoj se në këtë mënyrë do të arrijmë të përmbushim edhe këtë detyrim shumë të rëndësishëm, në radhë të parë ndaj qytetarëve tanë, por edhe ndaj Bashkimit Europian dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që edhe ky proces që përmbyllëm sot, të zbatohet në një klimë shumë më besuese ndaj drejtësisë, si dhe të shoqërohet edhe me shumë reforma të tjera, të cilat do të forcojnë standardet e shtetit ligjor në vendin tonë dhe do të rrisin besimin e qytetarëve tek ligji dhe tek drejtësia”. Por opozita ka lënë sallën e Parlamentit duke deklaruar se nuk do të kthehet ose do të bllokojë sallën nëse nuk zbatohen kushtet që ka deklaruar të enjten në sallën e seancës. Ndonëse opozita ka ndërmarrë këtë veprim, Meta është shprehur besim plotë në vazhdimin e punës për të ndërtuar gjithnjë ura komunikimi dhe raporte konstruktive, larg ultimatumeve të panevojshme, larg përpjekjeve për të minuar besimin. 
Meta: Ftoj opozitën të bëhet pjesë e procesit
“Ndaj besoj që edhe opozita është në frymën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, sepse edhe opozita ka shprehur vullnetin dhe mbështetjen e saj për reformën në fushën e drejtësisë. Të gjitha kërkesa dhe pretendimet e saj për çështje të caktuara do të shqyrtohen në bazë të rregullores së Kuvendit. Unë besoj se ekzistojnë të gjitha premisat dhe të gjitha mundësitë që të punojmë së bashku për Reformën në Drejtësi, si edhe për të gjitha reformat e tjera që i interesojnë vendit”, është shprehur Meta.
Sigal