Ilir Meta në njësinë nr.8: Ne do t’i japim fund ankthit të legalizimeve!

252

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka zhvilluar një takim banorët e Njësisë bashkiake nr. 8 në Tiranë. Në fjalën e tij, Meta i siguroi të gjithë banorët se LSI-ja do t’i japë fund  ankthit të legalizimeve. “Është për të ardhur keq që Partia Demokratike që në vitin 2005 përpara zgjedhjeve premtoi legalizimet dhe pothuajse nuk ka bërë asgjë përveçse e ka vështirësuar e burokratizuar këtë proces, ua ka sjellë shpirtin njerëzve në majë të hundës dhe i ka lënë ata realisht ende peng të tekave dhe kapriçove të drejtuesve të caktuar të ALUIZNI-t, por në fund të fundit ky është rezultat i mungesës së vullnetit politik për të zgjidhur këtë çështje një herë e mirë. Ndaj unë dua t’iu siguroj për vendosmërinë e LSI-së për të zgjidhur menjëherë brenda pak muajve në qeverisjen e ardhshme çështjen e legalizimeve dhe për t’u dhënë të gjithë tapitë dhe certifikatat e pronësisë në duar”, -tha Meta. Gjithashtu, kreu i LSI-së theksoi se, sot Shqipëria ka nevojë për t’u vënë në punë, shqiptarët kanë nevojë për punësim, kanë nevojë për një qeveri, e cila nuk mund të jetë e vetëkënaqur dhe nuk mundet të tregojë histori që nuk kanë lidhje me realitetin që qytetarët përjetojnë çdo ditë.”Çështja kryesore me të cilët ne duhet të ndeshemi është ajo e rritjes ekonomike të vendit e rritjes së prodhimit në vend dhe përmes kësaj rritjeje, uljes së importeve dhe rritjes së eksporteve, zbutjes sa më të shpejtë të deficiti tregtar. Pra, garantimi i një ekonomie që rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurt, sepse vetëm kjo siguron bazën e një punësimi të sigurt dhe afatgjatë dhe vetëm kjo siguron mundësinë për të luftuar varfërinë edhe për shumë banorë të kësaj njësie edhe të kryeqytetit dhe të Shqipërisë”,- tha Meta.

EDI RAMA: “ZGJIDHNI MES DY BOTËVE, KUJTONI 44, VOTONI 29”

Kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi sot se zgjedhjet e 23 Qershorit janë historike për vendin, pasi nuk janë zgjedhje mes dypalësh, por janë zgjedhje mes rrënimit dhe rilindjes së vendit. Duke folur në një aktivitet me temë “Tironsit për Rilindjen”, Kryesocialisti Rama tha se në 23 Qershor shqiptarët do të zgjedhin se çfarë Shqipërie dëshirojnë. “Zgjedhjet e 23 Qershorit është më tepër se zgjedhja mes dikujt e dikujt tjetër. Ka moment në historinë e një vendi ku zgjedhjet janë më shumë se zgjedhje mes palësh.  Zgjedhjet në vitin ’92 ishin zgjedhje mes të shkuarës dhe të ardhmes, zgjedhjet e 23 Qershorit janë zgjedhje mes rrënimit të mëtejshëm dhe një rilindje qytetare. Janë zgjedhje për të marrë një vendim për çfarë Shqipërie duam nesër që ti ngjajë më shumë për keq kësaj që kemi tani. Është një zgjidhje mes kësaj Shqipërie, ku ka krim, pasiguri, konflikte pronash, papunësi të madhe, arsim jocilësor, analfabetizëm, sistem shëndetësor të falimentuar, sistem shëndetësor të korruptuar, ndotje, plehra dhe plot probleme të tjera; dhe një Shqipërie ku puna të mos jetë privilegj, por dinjitet i secilit, një Shqipërie që të ofrojë shërbime, njësoj si për ata që kanë, si për ata që s’kanë, një Shqipërie normale ku të ketë vaditje të tokave, dhe jo tharje të tyre kur është verë dhe përmbytje kur ka reshje”,- tha Rama. Kryesocialisti Rama premtoi se hallet e popullit do të jenë hallet e tij, problemet e tyre do të jenë problem i tij dhe përpjekjet e njerëzve do të jenë përpjekjet e tij. “Ju siguroj duke votuar për PS-në dhe nr.29 ne nuk do të bëjmë magji sepse nuk kemi shkop magjik, por një gjë zotohem që hallet e njerëzve do të jenë hallet e mia, problemet e njerëzve do të jenë problemet e mia sepse unë kam bindjen se Shqipërisë i ka munguar shteti”, tha Rama.

 

PS-JA NË LUSHNJË: NJË ZGJEDHJE TË SAKTË MES DY BOTËVE

Këtë ka kërkuar kreu i PS, Edi Rama, nga banorët e Lushnjës ndërsa zhvilloi një miting elektoral, ku prezantoi edhe kandidatët për deputetë. Duke shprehur entuziazëm për numrin e madh të qytetarëve në miting, Rama tha se lushnjarët e kanë kuptuar rëndësinë e 23 Qershorit. “Më 23 Qershor është një zgjedhje mes dy botësh të ndryshme, mes botës rrënuese të Saliut dhe partisë së tij familjare dhe botës së rilindur së skuadrës sonë kombëtare të programit tonë për rilindje. Që së bashku t’i japim Shqipërisë një rrugë të re që do e ndajë, Shqipërinë dhe shqiptarët nga pamundësia që rritet çdo ditë, nga taksa e sheshtë. Se ju e dini shumë mirë që ky shtet të ofron shërbime sipas xhepit dhe çdo derë në këtë shtet hapet vetëm me para. Më tej Rama u premtoi lushnjarëve se do të punojë natë e ditë që ky vend të mos ketë asnjë të papunë, ndërsa citoi dhe një amanet të një mikut të tij veteran. “Sot kam një amanet për ju nga një miku im i vjetër, veteran i luftës i cili më mori në telefon dhe më tha kur të shkosh në Lushnje, thuaju, kujtoni 44 votoni 29. E pra, qytetarë, fermerë, mes rrënimit e Rilindjes ka vetëm një adresë, PS nr. 29?.

 

 

PPSHR-JA: “RAMA DHE META TË MOS DEZERTOJNË NGA DETYRIMET PËR KQZ-NË”

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar i bashkohet thirrjeve të faktorit ndërkombëtar, që synon normalizimin e procesit zgjedhor të 23 Qershorit dhe thekson që kjo është e vetmja rrugë për të mbrojtur votën e popullit në këtë ditë të rëndësishme për fatet e vendit. Ne paralajmërojmë miqtë tanë se procesi zgjedhor është në një rrezik të madh për shkak se gjithë vendimmarrja është në dorë të një njeriu të vetëm, Sali Berishës. PPSHR kërkon të rritet presioni brenda dhe jashtë vendit mbi drejtuesit e opozitës shqiptare që të zënë urgjentisht vendet në KQZ, si garanci për një vendimmarrje të drejtë. Edhe faktori ndërkombëtar duhet të ndjejë përgjegjësinë e vet për këtë palo demokraci që i imponoi shqiptarëve që në vitet ’90. Populli shqiptar i ka besuar fatet e tij në dorën e koalicionit të majtë, pjesë e rëndësishme e të cilit jemi edhe ne, komunistët e PPSHR-së. Partia jonë është shprehur në mënyrë të vazhdueshme për rrugën e zgjedhjeve të lira e të ndershme si rruga për të ardhur në pushtet dhe ne nuk do të tolerojmë asnjë devijim nga rruga e vullnetit të popullit. Linja teorike e marksizëm-leninizmit e përcakton qartë se, revolucioni është i pashmangshëm, pikërisht atëherë, kur forcat reaksionare synojnë manipulimin e vullnetit popullor dhe mbyllin të gjitha shtigjet për demokracinë popullore. Për fat të keq, ne konstatojmë se edhe Edi Rama dhe Ilir Meta, me veprimet e tyre, po i lënë rrugë veprimi hajdutëve në pushtet që të vjedhin sërish shpresat e këtij populli për një të ardhme më të mirë. Ne i paralajmërojmë zotërinjtë e politikës se në rast të deformimit të vullnetit të popullit do t’i konsiderojmë njësoj bashkëfajtorë, si Sali Berishën, edhe Edi Ramën e Ilir Metën. Kjo është luftë dhe shmangia nga të tilla detyrime nuk ka veçse një emër: Dezertim!

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSHR, Marko Dajti