Ilir Meta lidh besën me lezhjanët

511
Sigal

Takim madhështor në Lezhë, LSI-ja prezanton Monika Kryemadhin si  kandidate për deputete

 LSI-ja zhvilloi dje një takim madhështor në sheshin qendror të qytetit të Lezhës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 7 kandidatëve për deputetë në Qarkun e Lezhës.  Lista e kandidatëve tëLSI-së në Qarkun e Lezhën kryesohet nga Monika Kryemadhi, duke vijuar me Petrit Gjonin, Gjok, Bunën, Bib Gjonmarkaj, Edmond Pirolin, Erisi Zaimi, si dhe Prenda Sejdia.

“Kemi krizë besimi”

Ilir Meta, në fjalën e tij, ndër të tjera tha se kriza e sotme, përveç krizës ekonomike është edhe krizë besimi. “Ne e dimë se zgjedhjet e 23 Qershorit janë vendimtare sepse nuk do të përcaktohet fati i disa politikanëve për katër vitet që vijnë, por drejtimi që do të marrë vendi për dekadat që vijnë. Kjo krizë e gjithanshme nuk është vetëm ekonomike. Është për fat të keq edhe një krizë sigurie për jetën, është një krizë politike, institucionale dhe qeverisëse. Në radhë të parë është një krizë besimi. Kjo krizë ka mbërthyer ekonominë tonë. Kjo krizë po zbraz xhepat tuaj çdo ditë, duke lënë mijëra familje në mëshirë të fatit. Ne e kuptojmë seriozitetin e kësaj krize, ne dëgjojmë për të çdo ditë, por edhe i shohim efektet e saj çdo ditë, e ndjejmë atë çdo ditë. Papunësia është problemi më i madh dhe më serioz. Me mijëra shqiptarë humbasin vendete punës. Qindra biznese të vogla dhe të mesme anembanë vendit mbyllin aktivitetet e tyre duke lënë mijëra familje pa shpresë për të nesërmen.

Zotimi ynë:Të vëmë në jetë energjitë e të rinjve!

Kryetari iLSI-së, ndërkohë, dha edhe zotimin e tij, se përmes programit të punësimit, do të riaktivizojë energjitë dhe aftësitë e të rinjve, për të gjetur vendin e punën e duhur. “Por, reflektimi më i dhimbshëm i kësaj krize shfaqet te rinia jonë sepse në radhë të parë kjo krizë synon të vrasë shpresën dhe të ardhmen e rinisë. Ne angazhohemi përmes programit tonë të punësimit, për t’i vënë në jetë energjitë dhe aftësitë e të rinjve, për të pasur një rini aktive ku diploma dhe profesioni të gjejnë vendin e duhur të sigurt të punës për të ndërtuar të ardhmen dhe familjen e tyre këtu në Shqipëri.

Alternativa e LSI-së për punësimin në Qarkun e Lezhës

Ndaj Plani ynë i Punësimit i cili stimulon zhvillimin dinamik të Bujqësisë, të shërbimeve, të turizmit, industrisë, infrastrukturës dhe të gjithë bizneseve të reja, të vogla dhe të mesme është një plan konkret që sjell punësim afatgjatë për të gjithë qytetarët dhe që fokusohet tek sektorët potencialë të ekonomisë, për hapjen e dhjetëra, mijëra vende të reja të punës. Përmes një reforme agrare, e cila synon shumëfishimin e buxhetit për bujqësinë nga 0,5 % të Produktit të Përgjithshëm Bruto në 2 për qind të tij. Ne do të aplikojmë skemën e granteve të subvencioneve dhe të kredive agrare me interesa 3 për qind që rrisin prodhimin bujqësor.

Ne angazhohemi për të zhvilluar në interesin e komunitetit tuaj resorte turistike të standardeve evropiane në Shëngjin, në Tale dhe në Patok, sepse janë shumë pak turistë që vijnë në Lezhë vetëm për të vizituar disa orë kalanë apo vendin e Besëlidhjes së Lezhës.

Ndërkohë që ne kemi nevojë për të zhvilluar industrinë e peshkimit në një industri të mirëfilltë, si një burim i jashtëzakonshëm për të zhvilluar të gjithë këtë industri përpunuese dhe për të qenë një bazë e fuqishme e eksporteve tona duke nisur këtu nga Lezha.

Ndaj ne angazhohemi për një paketë fiskale one-stop –shop për të gjithë investitorët vendas dhe të huaj përmes krijimit të zonave të lira ekonomike dhe parqeve industriale ku bizneset  përjashtohen nga të gjitha taksat dhe tatimet për vitet e para të aktivitetit vetëm me një qëllim që ne të rrisim mundësitë e punësimit.

Ndërtimi i parkut industrial, zhvillimi i dhe modernizimi i shpejtë i portit të Shëngjinit, janë dy objektivat tona strategjike për zhvillimin e shpejtë dhe afatgjatë të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës.

Fjala e kryesueses së listës së LSI-së në Qarkun Lezhë, Monika Kryemadhi

Me votën tuaj, duke më besuar mua dhe ekipin eLSI-së, ne do të shkojmë drejt Europës, atë rrugë të cilën e kemi nisur që 16 vite më parë, e cila e vetmja rrugë drejt integrimit europian. Unë sot ju falënderoj ju të gjithëve që më besuat për të qenë përfaqësuesja juaj në Kuvendin e Shqipërisë. Ne sot do të lidhim besën për t’u ndarë përfundimisht nga politika e mospërfilljes dhe e bllokimit. Ne sot do të lidhim besën për të nisur së bashku një rrugë të re, për të zënë vendin që ne meritojmë, vend historik, strategjik dhe intelektual që i takon Qarkut të Lezhës. Ju jeni djepi i qytetarisë, ju keni nxjerrë në shekuj prijës dhe udhëheqës, intelektualë të klerit, por edhe shkrimtarë, artistë, shkencëtarë, doktorë dhe gazetarë.