Duka i bën thirrjes Ramës: Legalizmi i kanabisit mund të shfrytëzohet në mënyrë negative

255
Sigal

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, komentoi në rubrikën “Opinion”, në Neës24, propozimin e kryeministrit Edi Rama për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor.

Duka këshilloi Ramën që, para se të marrë një vendim të tillë, të konsultohet me grupet e interesit dhe me vendet e tjera, që e kanë marrë më herët, për të parë pasojat negative që mund të ketë në të ardhmen.

Sipas kreut të PAA, ky është një vendim jashtëzakonisht i vështirë, duke shtuar se nuk përjashtohet mundësia që Rama ta bëjë një gjë të tillë, për shkak se ndodhemi para zgjedhjeve parlamentare.

“Kjo kërkon një analizë dhe është një vendim shumë i vështirë. Nëse e shohim në prizmin ekonomik, çdo iniciativë që sjell rritje ekonomike është pozitive, por duke e parë me një sy tjetër, ku ne si shtet nuk kemi treguar se e zbatojmë ligjin, mund të shfrytëzohet në mënyrë negative. Është një vendim jashtëzakonisht i vështirë, edhe për faktin se nuk e di sa mund të jetë pozitive kjo për fermerët dhe njerëzit që merren me bujqësi. Kjo është diçka e re.

Përfitimi për kultivimin e kësaj bime është rreth 100 mijë euro, pra nuk është një shumë e madhe. Nuk jam kundër, por është shumë vështirë të jem pro, pasi ka një sërë pasojash. Unë i këshilloj kryeministrit që patjetër para se të marrë vendimin final duhet të konsultohet me grupet e interesit, si dhe të konsultohet me vendet e tjera, për pasojat që kanë pas, sepse mund të sjellë pasoja ndër vite”, u shpreh Duka.

I pyetur se, nëse kishte dyshime që, kryeministri po e legalizon kanabisin një vit para zgjedhjeve, Duka tha: “Aty të shkon mendja, pasi janë dy veprime që pasojnë njëri-tjetrin, amnistia fiskale, për të cilin kam pas kundërshtitë e mia, sepse mendoj se para të tilla mund të sjellin pasoja negative në ekonomi, dhe legalizimi i kanabisit. Të shkon mendja që qëllimi i Ramës është i tillë për të përfituar”.