I vetmi garant i Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese dhe se ajo është vija e kuqe

530
Sigal

Konferenca për shtyp e Presidentit të Republikës. Ilir Meta

Zoti President, a ishin emocionale deklaratat tuaja që bëtë pak më herët, paraditen e sotme, kur thatë se me një dekret parlamenti shpërndahet, për shkak se ju nuk e keni kompetencën për ta shpërndarë parlamentin apo jo?

Mendoj se jam shumë i qartë. Garante e Kushtetutës, e padiskutueshme në Republikën e Shqipërisë dhe sipas Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Pastaj është Presidenti e kështu me radhë, por Gjykata Kushtetuese është mbi të gjithë. Parlamenti, a shpërndahet me një dekret? Me një dekret shpërndahet. Se në çfarë rrethanash dhe si, kjo është çështje tjetër. Presidenti, a shkarkohet? Shkarkohet nga një parlament legjitim dhe njëkohësisht kush e shkarkon? Në fund fare e shkarkon përsëri Gjykata Kushtetuese. Pra dhe Gjykata Kushtetuese është më e rëndësishme se vetë Presidenti. Qeveria, a rrëzohet? Me një mocion mosbesimi. Shikojeni, lexojeni Kushtetutën, rrëzohet shumë kollaj, nuk po flas për gjëra të tjera. Nuk ka më Gjykatë Kushtetuese. Dhe këtu nuk luhet. Këtu është vijë e kuqe për të gjithë, për cilindo, sepse kjo është e vetmja që mund të mbrojë popullin shqiptar, interesat kombëtare dhe shtetërore. Sepse një gjykatë e zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, të paligjshme, në mënyrë mafioze, kërcënon seriozisht interesat shtetërore, kombëtare dhe aq më tepër të drejtat demokratike, të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Edhe njëherë, në rast se nuk e keni kuptuar: Ajo që është botuar gjoja në Fletoren Zyrtare më 9 nëntor, është i njëjti vendim, ai 132 i datës 21 që është botuar edhe në faqen e Gjykatës së Lartë. Pra e njëjta gjë. Ajo shkresa që i dërgojnë Presidentit, këta katër emra, është botuar një herë. Dhe vendimi që ka qenë për t’u botuar, sepse e ka marrë vetë vendimin KED-ja, në faqen e Gjykatës pjesa që është për KED-në. Është botuar më datë 22 shtator, i njëjti vendim. Tani vetë ky, të njëjtin vendim shkon dhe e boton se ka miq e ka shokë, në mënyrë të paligjshme te Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë për të krijuar idenë që e konstatoi KED-ja këtë vetëzgjedhjen e kësaj zonjës në bazë të gjoja mekanizmit zhbllokues. Pra, është vetëm për efekte mashtrimi për opinionin vendas dhe ndërkombëtar! Që të krijohet ideja se Presidenti e kaloi afatin, kuptohet, sepse edhe fakti që kjo u botua në Fletoren Zyrtare do të thotë që tani kjo hyri në fuqi. Dhe që të justifikojë pastaj veprimin e qëllimshëm të Parlamentit, që është pjesë e gjithë këtij procesi për fat të keq, kjo është shumë e mirëdokumentuar, – dhe prokuroria duhet të hetojë e të garantojë edhe dokumentacionin për këtë proces të marrëdhënieve midis KED-së dhe Kuvendit, – në mënyrë që të eliminojë, ose të shmanget zonja Vorpsi si e vetëshpallur dhe zgjidheshin dy kandidatura të tjera. Pra Kuvendi nga dy që i takonin sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit, të merrte tre, dhe Presidenti nga dy që i takonin sipas Kushtetutës dhe ligjit, të mbetej me një, dhe një t’ia merrnin kështu në këtë mënyrë, që s’besoj se ka fëmijë në Republikën e Shqipërisë që nuk e ka kuptuar, besoj.

Zoti President, pas deklaratës suaj se me një dekret mund të shpërndahet parlamenti, sot zëvendëskryeministri, më lejoni t’jua citoj zotin Erion Braçe që ka deklaruar: “çdo berber mund të shpërndajë parlamentin”. Si e komentoni deklaratën e tij?

Atëhere edhe njëherë: Të mos shmangemi nga veprimtari mafioze e qytetarit Ardian Dvorani, sepse është rasti për të rikthyer besimin te drejtësia! Dhe është rasti që edhe prokuroria të tregojë integritetin e saj në këtë proces, sepse ky proces një ditë do ta ketë ndëshkimin të pashmangshëm. Në mënyrë që të bëhet një mësim për të gjithë që tallen me Kushtetutën, që tallen me ligjin. Ai vendim që ishte botuar atje, 132 në datën 22 shtator, që ishte i 21 shtator e që ishte thjesht për njoftimin e Presidentit për pikëzimin që ishte bërë nga KED-ja, dhe që është ribotuar përsëri në Fletoren Zyrtare, lexojeni me vëmendje se çfarë thotë! Është e njëjta gjë dhe në fund fare, pika 2 e vendimit: Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në pjesën e përcaktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Dhe ribotohet përsëri, pasi u botua një herë atje, a e kuptoni? Ju faleminderit për mirëkuptimin!

Vetëm pak orë më parë Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë, thelbi të cilës është që dekreti juaj për zonjën Marsida Xhaferllari ishte nul dhe i papranueshëm. A keni një vlerësim për këtë çështje?

Unë edhe një herë tjetër i kërkoj Prokurorisë të tregojë integritet në këtë moment mjaft të rëndësishëm për rivendosjen e besimit të opinionit publik te reformë në drejtësi. Të hetoj të gjithë personat e përfshirë në këtë akt mafioz. Unë si President jam i gatshëm të bashkëpunoj dhe institucioni që unë përfaqësoj në mënyrën më të ngushtë. Gjithçka është e mirëdokumentuar dhe përsa u takon atyre përrallave që thotë dikush, dëgjova se ç’fliste njëri sot në parlament dhe nuk mu duk në rregull, që i kanë bërë këto lojëra me ekspertë europianë, amerikanë, i them mos i keqpërdor më SHBA-të, ai diplomat e ata ekspertë si ata që firmosën për zgjedhjen e PPS-së në mënyrë antikushtetuese me 69 vota, ashtu le të përdorë sa të dojë, sepse Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e kemi me SHBA-të, e kemi bërë me BE-në de e kemi bërë me Komisionin e Venecias. Dhe e kemi bërë në mënyrë tepër të qartë aq më tepër për këtë çështje. Sepse përndryshe do të ketë hetim ndërkombëtar për këtë çështje dhe do të ketë edhe ndëshkim ndërkombëtar për këtë çështje. Sepse ka dy vjet që është sabotuar qëllimisht sabotimi i KED-së, në vitin 2017 dhe në vitin 2018, për të ardhur këtu që ky person i besuar i partisë të bëjë të gjithë këto veprime, të gjithë këto manipulime kaq të qarta besoj për çdo njeri dhe që do të sqarohen edhe më tej në ditët e ardhshme.

Zoti Meta, ishte parashikuar mbajtja e kësaj konference të jashtëzakonshme në fakt në orën 14:00, por në interes të publikut, por edhe në interes mediatik, a mund të dimë arsyet përse u shty me më shumë se një orë?

Ky nuk është një material kaq i thjeshtë, është një material mirësistemuar, është një material zyrtar, që do të plotësohet edhe nesër apo pasnesër. Unë ndonjëherë bëj edhe ndonjë gabim ortografik, sepse nuk kam pasur shumë kohë për ta punuar e ripunuar disa herë. Ky është një dokument historik, është një provë kjo. Do të gjykohet një ditë kjo gjë. Unë shpresoj të jetë e shpejtë, sepse është një lajm i mirë që reforma në drejtësi po funksionon dhe patjetër që do të funksionojë një ditë. Është e padiskutueshme kjo gjë.

A keni takuar ndonjë përfaqësues ndërkombëtar gjatë kësaj kohe që ne gazetarët ju prisnim këtu ose gjatë ditës së sotme?

Kam takuar, gjatë gjithë ditës unë takoj përfaqësues ndërkombëtarë, gjithmonë takoj. Keni ndonjë shqetësim ju?

Nisur nga fakti dhe nga përplasja që krijoi edhe rezoluta si edhe dekreti juaj…

Cila rezolutë? Përplasjen nuk e ka krijuar rezoluta, përplasjen e ka krijuar personi i cili të hënën shkon për hetim në Prokurori, në mënyrë shumë të qartë. Duan t’i dalin në mbrojtje ata me rezolutë këtyre veprimeve? Kuptohet ajo është normale, sepse ai nuk i ka bërë pa dashje këto veprime, këto janë shumë mirë dokumentuara, që çdo gjë është e qëllimshme. Përse? Për të kapur edhe Gjykatën Kushtetuese, sepse çdo gjë tjetër e kanë kapur, tani do të kapin edhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. E çfarë u mbetet njerëzve pastaj në këtë vend? Parlamentin e kanë kapur, pushtetin lokal e kanë kapur në mënyrë paligjshme, atë Prokurorinë e kanë kapur. Të shohim tani kjo është një provë e madhe për Prokurorinë, shpresojmë që t’i japë drejtim kësaj çështjeje. Gjithë gjërat e tjera i kanë kapur, çfarë ka mbetur këtu? Këtu njerëzve u ka mbetur, në qoftë se Presidenti do të tolerojë veprime të tilla mafioze, të cilat krijojnë Gjykatë Kushtetuese me betime fshehurazi andej-këtej, padyshim që Presidenti është i detyruar t’i thotë popullit shqiptar që këtu ka përfunduar çdo gjë lidhur me shtetin e së drejtës. Çdo mundësi demokratike për ndryshim në mënyrë demokratike. Dhe këtu kanë mbetur tre rrugë nëse Presidenti do të pranonte këtë gjë: o njerëzit për ndryshimin të marrin armët, gjë që është e dënueshme dhe e papranueshme, ose të bëhen skllevër të një regjimi njëpartiak, që e kanë provuar për 40 vjet, ose të ikin të gjithë nga Shqipëria. Të tre janë të papranueshme, por ato dy të fundit për mua janë tmerrësisht të papranueshme. Kështu që është detyra e Presidentit dhe siç e shikoni edhe nga ky material zyrtar që do të plotësohet edhe me dokumente të tjera zyrtare dhe shkresore, është detyra e Presidentit që të mbrojë këtë proces mjaft të rëndësishëm, kushtetues të vetëndërtimit të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti ka qenë bashkëpunues, nuk ka qenë jo bashkëpunues. A u bë mbledhja e KED-së më 7 nëntor, pasi Presidenti i kishte bërë kërkesën më 5 nëntor? Pse nuk i thanë Presidentit atje, që zoti President ne mendojmë që ty edhe mund të ketë mbaruar afati. Mund ta thoshin, por jo. Edhe përfaqësuesi i Presidentit ka shprehur edhe një herë vullnetin aty, ka qenë prezent edhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, që ne duam të bëjmë këtë gjë, por ju lutem zgjidhni këto gjëra, bëni këto dhe na jepni edhe këto dokumentacionet që t’i vlerësojmë për këtë çështje. Aty kanë qenë edhe përfaqësues të Kuvendit, se mund t’i thoshin, zoti President shiko se ty të ka kaluar apo po ta kalon afati, ke vullnet ti apo nuk ke vullnet? Jo vetëm që Presidenti ka vullnet, por çdo veprim që do të marrë, do ta bëjë në respekt të Kushtetutës, nuk mund të shkel unë Kushtetutën, sepse të dy kemi afate, por ti si Kuvend e ke afatin me Kushtetutë. Presidenti e ka afatin me ligj dhe ligji është për të respektuar Kushtetutën dhe KED-ja është vetëm që të ndihmojë Presidentin, Parlamentin, Gjykatën e Lartë, që t’u bëjë letrat. Që ne t’i kemi letrat në rregull kur të marrim vendimin. Pra, të shikojë datën, këtë, atë, kriteret nëse plotësohen apo jo dhe të thotë urdhëro zoti President, zgjidh një nga këta kandidatë, sepse këta i plotësojnë kriteret. Për këtë është, nuk është për t’i thënë Presidentit shkel Kushtetutën ti tani se unë vura këtu personalisht një afat dhe pastaj ngaqë kam mik unë, mikun tim Agaçi, thotë ai Dvorani, unë e botoj në Fletore Zyrtare edhe për herë të dytë, edhe për herë të tretë, edhe pse në vendimin e shtatorit KED-ja ka thënë se ky është për tjetër gjë. Kjo është thjesht për t’ia çuar Presidentit dhe është botuar, ka mbaruar, është konsumuar kjo gjë sipas rregullave të Gjykatës së Lartë. Pse? Po se do u themi ne tani ndërkombëtarëve, shikoni tani kjo është botuar në Fletore Zyrtare, e boto KED-ja. Cila KED? KED-ja nuk është shprehur që Presidentit i ka mbaruar koha për t’u shprehur dhe duhet vënë mekanizmi zhbllokues në lëvizje. Ky është mashtrim. Në qoftë se Presidenti nuk e kishte vullnetin thoshte në fund të 30 ditëve, unë nuk kam vullnetin sepse nuk kam besim se dikush nga këta nuk e gëzon besimin tim për këtë gjë. Dhe pastaj padyshim i binte kush do të ishe i pari në listë të gjendje mënyra për t’u zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Dhe prapë do të vinte këtu për t’u zgjedhur, apo jo?

Në fakt zoti President, Kryeministri sot nga Kuvendi u shpreh për një krizë artificiale….

Po krizë artificiale është se e krijon ai, çfarë krize ka krijuar Presidenti këtu?

Dhe kam një pyetje për ju, a ka ndonjë shkresë të Kuvendit drejtuar Presidentit?

Meqë të dyja palët, të dyja institucionet kishin emra të njëjtë, se ky është një problem tjetër, në kundërshtim me Kushtetutën është, të kritereve dhe të ligjit për Kushtetutën. A ka ndonjë shkresë të Kuvendit që thotë, zoti President ne mendojmë që t’i mund ti bësh të dy direkte meqë ke këtë hallin kështu apo hajde të bisedojmë. Presidenti i ka bërë të gjitha veprimet dhe për këtë ka njoftuar KED-në në mënyrë sistematike dhe e ka njoftuar që në gusht për këtë gjë, që mos krijohet përplasja dhe që të respektohet renditja. Ka njoftuar dhe Kuvendin, që ju lutem zgjidheni shpejt këtë punë që në qoftë se e bëni ju shpejt e bëj dhe unë menjëherë dhe nuk pres un një afat tjetër. Se qëllimi im është ky. Kam njoftuar dhe Avokatin e Popullit, që ka qenë dhe është prezent në të gjitha mbledhjet e KED-së, kështu që kjo është shumë e qartë. Ka njoftuar dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kanë dëshirë të shohin dhe të lexojnë dhe kanë durim e qartësi, të lexojnë Kushtetutën, ligjin, aktet administrative të Republikës së Shqipërisë. Kush punon me memot e mikut tim Agaçi, shqiptar apo ndërkombëtar të jetë, ajo është çështje tjetër, punon për interesat e qeverisë ajo është punë tjetër. Mua askush nuk duhet të më guxojë, të më dërgojë sekserë, qofshin ata edhe ndërkombëtarë, apo dhe çfarëdo që të jenë, që të shkel unë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Se unë këtë Kushtetutë e kam bërë, e thashë edhe një herë tjetër, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Europian dhe e kam bërë edhe njëkohësisht me Komisionin e Venecias. Ai thotë Amerika, Europa siç thoshte sot, apo jo! Europa që i ka vënë kushtet sa një mal se e ka parë që nuk funksionon sistemi i drejtësisë. Për Europën atje e ka apo e ka për këto deklaratat klienteliste këtu? Për cilën Europë e ka? A e mbani mend ju dy vjet, para se të miratohej me konsensus 140 vota në parlament Reforma në Drejtësi se çfarë thoshin, nuk do opozita reformën në drejtësi, nuk do ky, nuk do ai nuk do ajo. Ngatërroi dynjanë, ngatërroi dhe ndërkombëtarët, i ngatërroi të gjithë. Dhe kur u arrit konsensusi në fund fare prapë i ngatërroi të gjithë se donte të merrte të gjitha institucionet me Kushtetutë, pra në mënyrë tërësisht të pandershme dhe të fajësonte pastaj opozitën. Kur u bë mbledhja te Kryetari i Kuvendit që u bllokua seanca, që erdhi aty dhe Amerika, që erdhi aty dhe BE-ja, që erdhi aty dhe Lulzim Basha në mënyrë që ne ta miratonim me konsensus siç kishim dhënë fjalën, kush mungonte? Vetëm Kryeministri Rama, po pse mungonte ky në një ballafaqim se çfarë kërkonte njëri dhe kush e kishte fajin, pse mungonte ky? Aty u vendos që Kushtetuta do bëhej ashtu si është dhe siç është këtu. Dhe në qoftë se e mori ai me firmat e atyre ekspertëve ndërkombëtarë Prokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutë, që e ka bërë me ligj të njëanshëm kundër Kushtetutës me 69 vota, Gjykatën Kushtetuese në këtë mënyrë, jo ai, po askush nuk e prek dot dhe nuk e merr dot. Është e shenjtë Kushtetuta dhe sidomos është i shenjtë procesi kushtetues i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Presidenti po të mos ishte i përgjegjshëm ose po të donte të gjente pretekste për të krijuar probleme, kishte mbajtur qëndrim tjetër dhe për mënyrën sesi u soll dhe sesi zgjodhi Kuvendi. Sepse ky është një proces me probleme të mëdha kushtetuese, por në rast se Kuvendi ka pasur disa probleme këto janë për shkak të Kuvendit, nuk janë për shkak të Presidentit. Presidenti është i përgjegjshëm, duke ruajtur ato balanca që përcakton Kushtetuta, beri ato veprime që ka bërë edhe dje, në mënyrë që Shqipëria të ketë sa më shpejt Kushtetutë në veprim, jo në letër. Dhe kjo është, vetëm nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese mund të garantohet. Kjo është besoj shumë e qartë.

Zoti President, besoj jeni njohur, sepse ishit edhe në pritje të konferencës, të njoftimit që dërgoi Gjykata Kushtetuese, vetëm pak minuta më parë, e cila njoftoi fillimisht se ende nuk ka kuorumin e saj për t’u shprehur në seancë gjyqësore. Por përmes emrave për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi nga anëtarët e saj, ju ka dërguar edhe emrin e zonjës Marsida Xhaferllari, e cila u betua një ditë më parë këtu në Presidencë. A mendoni ju zoti President, se në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese gjeti një formulë indirekte për t’ju dhënë të drejtë, ndërsa për momentin nuk shprehet dot në mënyrë të drejtpërdrejt?

Nuk ka institucion në botë që mund të guxojë të dalë kundër dekretit tërësisht kushtetues të Presidentit të Republikës. Nëse ekziston një institucion në botë që mund të dalë kundër kësaj do të dëgjoni edhe përgjigjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ju thashë, këtë Kushtetutë, e kemi bërë më shqiptarët, e kemi bërë më partnerët tanë dhe me Komisionin e Venecias. Sa herë ndërrohen diplomatë të caktuar në Tiranë, apo sa herë ndërrohen ekspertë të caktuar ndërkombëtar në Tiranë, unë nuk kam ndërmend të tallem me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Boll janë tallur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që u votua me konsensus. Te Gjykata Kushtetuese vija është e kuqe dhe është e kuqe flakë. Meqë përmende këtë çështje dhe emrin e zonjës Xhaferllari, se unë nuk kam dashur të hyj në çështje emrash, dy gjëra do t’ua them shumë sinqerisht, pavarësisht nga veprimi që ka bërë zonja tjetër, që është një zgjidhje e saj. Unë, kam preferuar zonjën Xhaferllari për një arsye shumë të thjeshtë, sepse kam qenë i bindur në integritetin e saj, dhe mund t’ju them që e ka treguar integritetin e saj, jo vetëm përgjatë gjithë veprimtarisë, që është tashmë e shqyrtuar, pavarësisht se ka qenë në presione të jashtëzakonshme, siç kanë qenë dhe shumë kandidatë të tjerë që janë tërhequr nga presionet. Por, ajo e ka treguar integritetin e saj, sepse ka respektuar frymën e Kushtetutës më mirë se kushdo tjetër, duke kandiduar vetëm për një vakancë. Sepse nuk është normale që të kandidosh për katër vakanca, kur ato dihen që janë vakanca të ndryshme. Zonja Xhaferllari mund të kishte kandiduar edhe për dy vakanca në qoftë se është ideja që Presidenti donte të zgjidhte atë, sepse Presidenti, kishte dy vakanca apo jo? Në qoftë se dikush kandidoi për katër, ajo ka respektuar frymën e Kushtetutës, sepse nuk mund të bëhet një proces që për katër vende të mbeten 6 veta dhe Kuvendi detyrohet të votojë vetëm me një, sepse të tjerat kanë rënë për shkak të procesit. Se edhe vetë Kushtetua, parashikon që të paktën duhet të jenë 3, për të patur një mundësi zgjedhje midis 3 të ndryshme, jo tre a, b, c përnjëherë dhe b, c, a për tjetrën, sepse kjo është emërim nuk është zgjedhje. Jemi në kushtet e imponimit të emërimit, që ti je një institucion kushtetues i emërtesës, Kuvend, apo President, apo Gjykatë e Lartë, ty të imponohet nga KED një organ kolegjial administrativ, të imponohet të bësh një proces të tillë. Për zonjën Vorpsi, se nuk dua të bëjë komente të tjera, kam patur një vërejtje ose një rezervë, sepse ka qenë anëtarë e grupit të ekspertëve të lartë të reformës në drejtësi, për çështjen e ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ngaqë ka punuar atje. Duhet të keni parasysh se kur jemi marrë me këtë çështje, me çështjen e ligjeve dhe kjo ka qenë publike dhe në atë kohë dhe është deklaruar edhe nga ambasadorët që ishin shumë aktiv atëherë, por edhe nga të gjithë se ishte një kërkesë edhe opozitës, kryesisht e Partisë Demokratike, këta ekspertë do të përjashtohen ose nuk do të merren në konsideratë për të evituar konfliktin e interesit kur të ndërtohen këto institucione. Pra, nëse një ekspert i nivelit të lartë po merrej me ligjin e Prokurorisë, kur të bëhen kandidimet për Prokurorinë dhe institucionet e Prokurorisë, nuk do të përfshihet. Ishte një marrëveshje xhentëlmenësh, por ka qenë edhe publike. E njëjta gjë ka qenë edhe për Gjykatën Kushtetuese, edhe për institucione të tjera. Një nga arsyet e pikëzimit, që ka bërë KED-ja, se në fund fare e kemi parasysh se kush e ka drejtuar dhe vazhdon ta drejtojë KED-në, është e mbështetur edhe në faktin, sepse në këtë ligj i është dhënë përparësi këshilltarëve që punojnë në Gjykatën Kushtetuese. Një përparësi që i favorizon në raport me kandidatë të tjerë dhe në vlerësimin tim është një konflikt interesi. Ndërsa për zonjën Xhaferllari, meqë kam dëgjuar shumë për ndikimin e saj nga PD-ja, unë dua t’ju them një fakt që zonja Xhaferllari ka qenë kandidate për kryetare e KQZ-së në vitin 2011, kur unë atëherë nuk isha në këtë detyrë po isha në koalicion me Doktorin dhe e di shumë mirë, që Partia Demokratike dhe koalicioni që drejtohej nga Partia Demokratike në atë kohë nuk e ka votuar zonjën Xhaferllari, e ka rrëzuar për kryetare të KQZ-së, sepse nuk vlerësohej si njeri i besueshëm aq sa duhej për partinë në atë kohë. Kështu që mos u merrni me këto histori që nuk nderojnë askënd, merruni me Kushtetutën, merruni me ligjin. Dhe Kushtetuta dhe ligji janë ashtu siç ua ka thënë Presidenti i Republikës.