Humbja e Partisë Demokratike, reagojnë disa nga anëtarët më të vjetër të saj

437
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani është shprehur se forca që përfaqëson e pranon humbjen, ndërsa u ka bërë thirrje komisionerëve të PD gjatë ditës së djeshme që, megjithatë të mbrojnë çdo votë të opozitës. “Falënderoj me mirënjohje të thellë të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike për katër vitet e një opozite të vështirë, tre muaj qëndresë në çadër dhe një muaj fushatë të përkushtuar. Po ashtu ju bëj thirrje numëruesve dhe komisionarëve te PD, që të numërojnë çdo votë te opozitës, që vullneti i Shqiptarëve të pasqyrohet drejtësisht. Me përgjegjësinë e plotë si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë shpreh keqardhjen për rezultatin e zgjedhjeve dhe bindjen se misioni i Partisë Demokratike vazhdon”, shkruan Ristani. Arben Ristani, i renditur i katërti në listën e Vlorës, nga numërimi i deritanishëm i kutive të votimit rezulton se do të mbesë jashtë Parlamentit të ardhshëm. Reagim ka ardhur edhe nga një prej anëtarëve të PD-së, i cili ka qenë kritik me drejtuesit e partisë së tij, Eduard Selami. Humbja e Partisë Demokratike në këto zgjedhje përballë Partisë Socialiste është komentuar edhe nga disa prej përfaqësuesve më të vjetër të kësaj partie. Eduard Selami e cilëson si një nga momentet më të vështira për Partinë Demokratike. Në një postim në rrjetet sociale ai deklaron se ka besim të plotë se demokratët do të ringrihen. Selami u la jashtë nga listat e kandidatëve për deputetë nga Lulzim Basha, por gjatë ditës së djeshme, ka komentuar me një deklaratë të shkurtër.
Sigal