Harta territoriale, do të punohet me variantet për 39 dhe 47 bashki

420
Sigal

Komisioni i posaçëm për Reformën Territoriale u sërish mblodh dje pa praninë e opozitës, për të vijuar punën për përgatitjen e pr/ligjit për ndarjen e re administrativo-territoriale. Ndërsa shprehu keqardhje për mospraninë e opozitës, kryetari i Komisionit, Bashkim Fino tha se pr/ligji i ndarjes administrativo-territoriale do të jetë gati në 22 korrik dhe pritet të votohet në Kuvend deri në fund të muajit. Në përfundim të mbledhjes u ra dakord që puna për reformën të vijojë me variantet 39 dhe 47. Dy variantet e përzgjedhura bazohen mbi ndarjet respektive, me 39 dhe 47 bashkive. Sipas variantit me 47 bashki Tirana nuk do të ketë njësi bashkiake, ndërsa do përmbledhë shumë komuna si Kashari, Ndroqi dhe Petrela. Në variantin 47 edhe Himara e Kamza janë njësi më vete. Ndërsa në variantin 39 Himara nuk parashikohet njësi më vete. Pritet që në hartën e re, të mos cenohen njësitë me shumicë minoritare. Pas shpalljes së variantit fitues për ndarjen e re territoriale, harta e re do të konsultohet për rreth dy muaj me qytetarët. Ishte i pranishëm në mbledhje, Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të komisionit rreth dy varianteve për ndarjen e re territoriale, veçanërisht për kriteret e ndjekura për komunat e minoritetit. Ai tha se: “Në fakt sot edhe Europa po i largohet nocionit të minoritetit si dallim brenda një shteti. Por kjo nuk na ndalon ne të krijojmë mundësitë që të drejtat që burojnë nga konventa kuadër për mbrojtjen e minoriteteve, të krijojmë instrumente dhe kushte që këto të drejta të mbrohen në mënyrë sa më të mirë. Nuk është krijuar asgjë e re, por ato që janë bashkuar dhe janë ruajtur përkatësia e tyre minoritare etnike. Ne deri diku e kemi ezauruar këtë argument dhe debat dhe më pas kemi përcaktuar kriteret që kemi ndjekur”.