Gjyqtarja që burgosi Zaganin për akuzat ndaj Tahirit, do gjykojë Tahirin për trafik droge

616
Sigal

Ish-komisari i policisë, Dritan Zagani, ka denoncuar faktin se në treshen e gjyqtarëve që do gjykojnë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri është edhe Flora Hajredinaj. Kjo e fundit është e njëjta gjyqtare që e ka dënuar më herët Zaganin me 6 muaj burg, pas akuzave të tij ndaj Tahirit në kohën kur ishte oficer i antidrogës. Aktualisht Zagani ka fituar azil politik dhe ndodhet në Zvicër ndërsa ka denoncuar rastin në fjalë si skandal. “VETTING: Gjyqtaria e Krimeve të Rënda Flora Hajredinaj, që në 2014 me kërkesë të Anton Martini dhe porosi të Sajës më mbylli mua për 6 muaj në burg, dhe pas shkeljes së afateve me 8 ditë nga Prokurori i “hekurt” Anton Martini, në vend të lirimit të menjëhershëm si e parashikon ligji për shkelje të tilla, po me marrëveshje të zeza më kalon në “arrest shtëpie”. Sot rreth 5 vjet mbas, lexoj në media që e njëjta gjyqtare e nderuar është pjesë e treshes që do na gjykojë të pandehurin Sajmir Tahiri për veprën “Trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim, etj., vepra të rënda, ku i pandehuri është në gjendje të lirë! Pra, o shqiptarë, kjo është një nga arritjet më të forta që ky “vetting” na e solli drejtësinë tonë të korruptuar në një zhdrejtësi brilante. Vlen të përmendim me këtë rast si arritje e vettingut edhe së shpejt do kemi Anton Martini një nga anëtarët më “brilant” të SPAK-ut. P.S…si t’ia ve emrin kësaj që po ndodh me zhdrejtësinë tonë të kalbur, se vetting për t’u bërë drejtësi nga sa ndodh nuk ka gjasa të jetë!” – shkruan Zagani në faqen e tij në rrjetin social.