Gjykata e Lartë shpall listën e kandidatëve për t’u zgjedhur anëtarë. Ja 10 emrat e gjyqtarëve

1246
Sigal

Gjykata e Lartë ka shpallur listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, një nga institucionet më të rëndësishme të vetingut. Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. 6 (gjashtë) prej anëtarëve të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, nga të cilët; 1 anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 anëtarë nga Gjykatat e Apelit; dhe 3 anëtarë nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore.  Në vijim të njoftimit të datës 22.08.2018 lidhur me rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kanë paraqitur kandidaturën gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Vlorë Zj. Brikena Ukperaj dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Shkodër Z. Luan Dervishi. Mbas përfundimit të procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore, rezultoi se të dy kandidatët i plotësonin kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Duke patur parasysh faktin e dorëheqjes apo skualifikimit për shkaqe ligjore të parashikuara në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” të disa gjyqtarëve kandidatë, në mbështetje të ligjit nr. 115/2016, Gjykata e Lartë shpall zyrtarisht listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, si më poshtë: Nga Gjykata e Lartë: Medi Bici – Gjykata e Lartë.  Nga Gjykatat e Apeleve: Ilir Toska – Gjykata e Apelit Tiranë, Nertina Kosova – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, Luan Dervishi – Gjykata e Apelit Shkodër, Brikena Ukperaj – Gjykata e Apelit Vlorë. Nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore: Alma Brati – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Astrit Faqolli – Gjykata e Gjyqësor Rrethit Tiranë, Brunilda Kadi – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Manjola Xhaxho – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Marçela Shehu – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin.