Presidenti Ilir Meta: Ja shkeljet e Kushtetutës nga “Rilindja”

280
Sigal

Kreu i Shtetit: Qeveria mashtroi dhe shpifi për projektin “Vlorë-Orikum”, pasi fondet u devijuan për një tjetër rrugë duke i kërkuar Fondit Saudit ndërpren e marrveshjes. Si e gënjyen Kuvendin dhe korespondenca e plotë me ministrinë e Financave

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur zyrtarisht nga institucioni i Presidencës kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit të bëra një ditë më parë nga Vlora, ku e akuzoi Presidentin se ka bllokuar projektin për rrugën në Vlorë. Në një konferencë urgjente për media, Kreu i Shtetit tha se ka qenë vetë qeveria shqiptare që i ka kërkuar Fondit Saudit të Zhvillimit që të ndërpresë marrëveshjen për financimin e kësaj rruge. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zbuluar se lidhur me projektin e rrugës Vlorë-Orikum, përtej shkresave për Ministrinë e Ekonomisë e Financave ka vënë në dijeni edhe Ministrinë për Evropën dhe Punën e Jashtme drejtuar asojkohe nga Edi Rama. Presidenti Meta ka vënë në dijeni katër herë Ramën dhe s’ka marrë asnjë përgjigje prej tij si ministër i Jashtëm dhe konfirmoi edhe njëherë se ky projekt po bllokohet, pasi vetë Presidenti i Republikës ka kërkuar bashkëpunim për respektimin e ligjit, ligjshmëri, transparencë dhe zbatim të Kushtetutës. Presidenti Meta ka sqaruar se nuk është punë e tij nëse Rama harron, apo nuk do që të zbatojë Kushtetutën.

Deklarata e Presidentit Ilir Meta

OSHEE-ja ka filluar …fushatën elektorale

Ju kërkoj falje për vonesën, por na iku energjia elektrike në Presidencë, ndaj e kishim të pamundur të lidheshim në kohë me ju. Me sa kuptohet, ka nisur edhe OSHEE-ja fushatën elektorale dhe ndërprerjet energjisë elektrike, siç duket, do të jenë më të shpeshta.

Shpifjet dhe gënjeshtrat e kryeministrit në detyrë nuk meritojnë vëmendje të rëndësishme

Po bëj publike disa fakte të papërgjegjshmërisë ekstreme, të Kryeministrit ende në detyrë, dhe disa sqarime për akuzat e bëra prej tij dje në Vlorë, për nevoja propagandistike dhe elektorale. Kuvendi i Shqipërisë, në datën 9.11.2017, me ligjin nr. 100/2017, ka ratifikuar “Marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”. Presidenti i Republikës, menjëherë e ka mirëpritur këtë inicativë për zhvillimin e zonës së Lumit të Vlorës dhe menjëherë pas administrimit këtë ligji e ka shpallur Dekretin nr. 10647, datë15.11.2017. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me shkresën nr. 2350 prot, datë 21.09.2020, i ka përcjellë Presidentit të Republikës ligjin Nr.117/2020 “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”, ratifikuar me ligjin nr.100/2017”. Ky ligj është miratuar në seancën plenare të datës 17 shtator 2020. Presidenti i Republikës, në datë22.09.2020, e shpall këtë ligj me Dekretin nr. 11738. Mjafton të konsultoni Fletoren Zyrtare nr. 171, të datës 25 shtator2020. Po pse e shpalli këtë ligj Presidenti i Republikës?!Sepse shqyrtoi me vëmendje praktikën parlamentare, nga ku rezultonte se: Qeveria shqiptare përmes Ministrisësë Financave, me shkresën e saj Nr.Prot. 3132, datë 21 shkurt 2020, i kishte kërkuar Fondit Saudit për Zhvillim zgjidhjen e marrëveshjes së huasë. Fondi Saudit për Zhvillim përmes letrës së datës 22 prill 2020, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, i kthen përgjigje, ku i citon se: “Në vijim të letrës së Shkëlqesisë suaj, nr. 3132, datë 21.2.2020, në lidhje me objektin e mësipërm, shpreh kënaqësinë t’ju informoj se pranojmë të përfundojmë/zgjidhim Marrëveshjen e Huasë së lartpërmendur, me vendimin e bordit Nr.2380/125/9. Në këtë mënyrë, Marrëveshja e Huasë ndërpritet, që prej datës 29.12.2019”. Pra është e qartë, që Fondi Saudit për Zhvillim, ka pranuar një propozim të palës shqiptare për të zgjidhur këtë Marrëveshje dhe për të hequr financimin e Lotit IV të Lumit të Vlorës. Pra kjo ndërprerje e financimit për segmentin Peshkëpi – Selenicë– Kryq – Levan Tepelenë, me gjatësi prej 16.4 km, është bërë me kërkesë të Qeverisë Shqiptare dhe jo të palës tjetër. Në praktikën parlamentare, e konkretisht në Raportin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, citohej shprehimisht se: “Ky denoncim nuk e cenon rëndësinë historike të projektit për rehabilitimin e rrugës së Lumit të Vlorës. Punimet e kryera deri tani në këtë zonë kanë dhënë efekte mjaft pozitive ekonomike e sociale. Këto punime do të jenë të plota kur të përfundohet rehabilitimi i segmentit rrugor Peshkëpi – Selenicë, për të bërë pjesë të kësaj rruge të rëndësishme edhe Bashkinë e Selenicës.” Pra nga shqyrtimi i praktikës parlamentare, qartazi përfaqësues të Qeverisë gënjyen në Kuvend se do të vijonte projekti, por me fonde të tjera. Ndaj dhe Presidenti vijoi menjëherë me shpalljen e ligjit, madje i befasuar që për këtë projekt qeveria nuk kishte nevojë më për hua, por projekti do të mund të realizohej me fonde të brendshme, siç kishte qenë premtimi para deputetëve nga përfaqësues të Qeverisë. Po çfarë ndodhi më pas? Vetëm 7 ditë më vonë, në datën 29 shtator 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i paraqet një kërkesë Presidentit me Nr. 16905/6 prot., date 28.09.2020, me të cilën kjo ministri kërkon autorizim për plotfuqi nga Presidenti për nënshkrimin e një tjetër marrëveshje huaje, por tashmë për një tjetër projekt të ri. “Marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum).”

Përfaqësues të Qeverisë kanë gënjyer Kuvendin

Presidenti njihet me faktin që kjo Marrëveshje, madje ishte miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 745, datë 23.9.2020! Si rezultat i kësaj praktike, rezulton se:

Jo vetëm që Presidentit i kërkohet të lëshojë një autorizim për plotfuqi nënshkrimi të një marrëveshje, për të cilën nuk ishte lëshuar më parë autorizim për negocim (si një hap thelbësor që i paraprin procedurat e tjera);

Jo vetëm që Këshilli i Ministrave, pa verifikuar aspak procedurën e ka miratuar në parim marrëveshjen, duke kapërcyer fazën e negocimit; Por ajo që është po kaq e rëndë, përfaqësues të Qeverisë kanë gënjyer Kuvendin, kur kanë thënë se propjekti do të vazhdonte, në momentin që kanë ndjekur procedurat për zgjidhjen e marrëveshjes së huasë për Lotin IV të projektit të rrugës së Lumit të Vlorës. Ata e dinin mirë që ky projekt nuk do bëhej. Ata kërkuan që huanë ta transferonin për një projekt tjetër të ndryshuar pa asnjë transparencë dhe çka është më e rënda, duke shkelur kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit, që janë shumë të qarta, që përcaktojnë që një marrëveshje e re huaje, duhet patjetër negociuar përpara se të nënshkruhet.

Ministria e Financave pranon sërish se nuk ka patur asnjë negocim!

Por çfarë bëri Presidenti, që pengoka sipas Kryeministrit këtë hua dhe këtë projekt?! Në datën 6.10.2020, Presidenti me kërkesën me Nr.prot. 3306/1, i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe për dijeni Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që atëhere ishte vetë z.Rama, ku i thotë se: “Pas verifikimeve paraprake të kryera, nuk na rezulton që për këtë marrëveshje, me këtë përmbajtje, palë dhe vlerë, Presidenti i Republikës të ketë lëshuar autorizimin për plotfuqi për negocimin e saj. Me qëllim mos pengimin e procesit të vlerësimit të kërkesës për autorizim për lëshimin e plotfuqisë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, kërkojmë nga ana juaj të na informoni brenda një kohe sa më të shpejtëlidhur me të gjitha hapat, që janë ndjekur për finalizimin e marrëveshjes, duke filluar nga procesi i negociimit e deri tek faza e kërkesës për nënshkrimin e marrëveshjes së sipërcituar, pas miratimit në parim nga Këshilli i Ministrave.” Ministria e Financave, i kthen përgjigje Presidentit me shkresën Nr.Prot. 16905/8, datë15.10.2020, dhe pranon se: “Konkretisht për marrëveshjen për të cilën kërkohet ky autorizim nuk ka patur negociata,pasi asnjë prej Institucioneve të cilat në varësi të fushës së kompetencave janë palë të saj nuk ka patur komente apo sugjerime mbi draftmarrëveshjen e vënë në dispozicion nga Fondi Saudit për Zhvillim”.Presidenti sërish me durim dhe në mënyrë konstruktive, duke mos dashur të besojë nënjë shkelje kaq flagrante tëKushtetutës dhe të ligjit, i drejtohet sërish me kërkesë për informacion shtesë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe për dijeni edhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në atë kohë, z.Rama. Kjo kërkesë mban datën 27.10.2020, me nr. prot. 3306/3. Presidenti nuk mund të mos fshehte tashmë shqetësimin e vënë disa herë në dukje dhe i rikujton ministrit të Financave se, sipas ligjit Nr.9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka detyrimin të negociojë dhe më pas të vendosëpër kushtet thelbësore të kontratave të huasë në emër të Republikës së Shqipërisë ose të Këshillit të Ministrave, ashtu si dhe të vlerësojë paraprakisht dhe negociojë rregullat për të drejtat dhe detyrimet e palëve, kushtet dhe mënyrat, sipas të cilave shteti shqiptar siguron fonde qoftë përmes huadhënies. Ndërsa Ministria e Financave pranon me shkresën me Nr.16905/8 prot., datë 15.10.2020, që nuk ka zhvilluar negociata për marrjen e një huaje në vlerë rreth 30 milionë dollarë, dhe se nuk ka tentuar as të negociojë për nivelin e interesit të kësaj huaje, apo afatin e maturimit. Presidenti kërkon dhe vënien në dispozicion të të gjithë korrespondencës së ndjekur nga qeveria për këtë çështje. Ministria e Financave i kthen përgjigje në datën 2.11.2020, me shkresën nr. prot. 16905/10, dhe pranon sërish se nuk ka patur asnjë negocim!

Konkluzioni i maskaradës së qeverisë

Në përgjigjen e Fondit Saudit për Zhvillim, të datës 24.8.2020, jepet vetëm dakordësia për të kryer transferimin e fondeve nga projekti “Rehabilitimi i Rrugës së Lumit të Vlorës, Loti IV”, në projektin e ri “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”. Nuk vihet dhe citohet asnjë kusht panegociueshmërie! Në shkresën me Nr.Prot. 202/8, datë 28.8.2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pranon qartë, ndryshe nga çfarë pretendon Ministria e Financave shkresërisht se ka patur negociata. Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë se: “Pas diskutimeve që kemi pasur gjatë përcjelljes elektronike të drafteve,…… .” Pra ka patur drafte dhe propozime përkatëse të shkëmbyera. Ndërkohë që, Presidenti i Republikës shqyrton të gjithë praktikën e dërguar nga Ministria e Financave, Kryeministri në një shfaqje teatrale të bërë nga Vlora, një ditë më parë, deklaron me zë dhe figurë, se i paska kryer të gjitha negociatat me palën Saudite. Po citoj Kryeministrin… “… është fakt që qysh nga fillimi i nëntorit presim plotfuqinë, një autorizim formal të Presidentit, pasi kemi bërë gjithë negociatën me Fondin Saudit”. Si konkluzion i gjithë kësaj maskarade: Duket qartë se, ose janë kryer negociata, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, të dyshimta dhe për interesa të palës shqiptare, që në çdo rast kanë qenë pa autorizimin e Presidentit, siç e konfirmon Kryeministri dhe Drejtori i tij i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ose nuk janë kryer fare negociata, siç thotë me shkresën zyrtare Ministrja e Financave. Ose Qeveria lejon negociata të paautorizuara e të paligjshme! Ose Qeveria e miraton një draft-marrëveshje të panegociuar! Në të gjitha drejtimet, dhe kushdo qoftë e vërteta të dyja rrugët janë në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare”.

Presidenti, si gjithmonë,  do të jetë në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit

Qytetarët e Vlorës e kanë tashmë të qartë se kush gënjen, kush mashtron dhe jam i sigurtë që Vlora do t’ja bëjë gjithmonë fora.

Presidenti, si gjithmonë, do të jetë në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit.

Këtu ka shumë probleme dhe vepra penale, sepse kemi të bëjmë me interesa publike, por do ta gjykojmë me shumë qetësi, sepse është e qartë që këtu është shpërdoruar edhe mirëbesimi i palës tjetër, pasi ata janë mashtruar sikur ka patur një autorizim për negociata, kur një gjë e tillë nuk ju është dhënë përfaqësuesve të Qeverisë. Sikundër janë mashtruar qytetarët e Selenicës, të gjithë zonës e deri në Levan, kur ju është thënë që ka qenë një kërkesë e Fondit Saudit për të ndërprerë financimin dhe për të zhvendosur financimin e Lotit IV që kishte të bënte me ndërtimin e kësaj rruge.