Gjykata e Apelit: “Gardistët Prendi dhe Llupo vranë nga pakujdesia”

448
Sigal

Sfidë ndaj premtimit elektoral të Kryeministrit Rama është vendimi i Apelit për vrasjet e 21 Janarit 2011

Katër vjet burg ishte vendimi i  gjykatës së Apelit të kryeqytet për ta akuzuarit e çështjes së 21 janarit, ku mbetën të vdekur 4 demonstrues të opozitës së atëhershme. Kjo gjykatë ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, njëkohësisht  ka bërë edhe rikualifikim të veprës penale nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia për të akuzuarit . Relatori i çështjes, Ervin Metalla me një lexim të shpejtë ka kërkuar dënimin e ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg, ndërsa për Agim Llupon ka vendosur dënimin e tij me 3 vjet. Ndërkaq, menjëherë pas vendimit reaguan edhe avokatët e dy të pandehurve, të cilët u shprehën të çuditur nga vendimi dhe pohuan se do ta çojnë çështjen për rekurs në gjykatën e lartë. Për t’u parë mbetet edhe reagimi i Prokurorisë, nëse do ta çojnë çështjen për rekurs. Sepse një ditë më parë prokurorët, Shkëlqim Hajdari e Altin Dumani, përgjatë katër orëve procesi gjyqësor u treguan të ashpër në konkluzionet e tyre, duke kërkuar prishjen e vendimit të shkallës së pare si i dhënë në zbatim të gabuar të ligjit dhe pa analizuar minimalisht provat  Një pikëpyetje është nëse do të arrestohen dy gardistët, por në bazë të llogarive Ndrea Prendi dhe Agim Llupo e kanë kryer dënimin që vendosi gjykata në kohën e paraburgimit. Kështu që përfundimisht ata janë të lirë dhe këtë radhë me një vendim të formës së prerë.

Avokati Gjokutaj
Vendimi i Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, por është i pabazuar në ligj. Ne do të ndjekim hapat e ankimit, do të jetë gjykata Supreme që do të thonë përfundimisht fjalën e tyre”,- tha avokati mbrojtës i Prendit, Gjokutaj, i cili theksoi se do të ndjekë shkallët e gjyqësorit deri në nxjerrjen e pafajshëm të Ndrea Prendit.  “Do të ndjekim hapat e ankimit, do jetë gjykata Supreme dhe shkallët e gjyqësorit që do thonë fjalën e tyre”.

Familjarët e viktimave: “Vendimi i Gjykatës, tallës dhe fyes”

Familjarët e viktimave të “21 Janarit” ndihen të fyer nga vendimi i Gjykatës së Apelit në Tiranë, për dënimin me 1 vit burg të ish- komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe 3 vjet burg për ish- gardistin Agim Llupo, me motivacionin “vrasje nga pakujdesia”.  Djali i demonstruesit të vrarë Faik Myrtaj, kërkoi që drejtësia të vendoset në vend dhe të dënohen ata që u dhanë urdhrin gardistëve për të qëlluar ndaj protestuesve. Renato Myrtaj shprehu besimin se qeveria e re e kryeministrit Rama “do t’i çojë gjërat në vend”.  Ndërkohë edhe familjarët e të ndjerit Ziver Veizi janë shprehu të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Apelit. Motra e Veizit deklaroi se vendimi i Gjykatës është tallës dhe fyes. Vëllai i Hekuran Dedës, Zabit Deda akuzoi gjykatësit, duke e cilësuar të papranueshëm faktin se një person që ka vrarë të dënohet vetëm me 1 vit burg. “Gjykatat janë kriminelë. Gjykatat mundohen t’i fshehin gjërat. Ne i kemi parë, e dimë kush i ka vrarë. Ata që kanë dhënë urdhër me vra të pafajshmit janë kriminale, që kanë vrarë njerëzit në bulevard me duar në xhepa. Si ka mundësi të dënohet me 1 vit burg, çfarë gjykatash janë këto.”- deklaroi Zabit Deda.
Braçe: Ta shpërfillim të gjithë bashkë!

Deputeti i PS-së, Braçe  kërkon nga të gjithë që ta shpërfillin këtë vendim të Gjykatës së Apelit. “Kanë bërë një gabim të madh, nuk kanë gjykuar vrasje me dashje”, shkruan Braçe. Deputeti i PS-së bën thirrje qeverisë së re që të bëjë drejtësi. “Tani duhet bërë drejtësi! Qeveria e re duhet të nxjerrë nga varri ku Berisha i mbuloi çdo provë që dëshmon se vrasjet ishin me dashje!! Ato prova duhet të rihapin hetimet për “vrasjet e plagosjet me dashje”, drejtpërdrejt dhe për të ekzekutuar kundërshtarët në bulevard, në 21 janar!!”, përfundon Braçe.