Gjosha-Hahn: Gjermania, shtysë e fortë në zhvillimin e vendit

77
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, u prit sot në një takim nga Florian Hahn, anëtar i Bundestagut, Kryetar i Grupit Parlamentar të Unionit Kristian-Social për Çështje të Jashtme, Mbrojtjen, Çështje të Bashkimit Europian, të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare. Ky është takimi i parë i Ministres Gjosha në vizitën e saj zyrtare që po zhvillon në Gjermani. Gjatë takimit, Ministrja e Integrimit Europian theksoi se përpjekjet dhe reformat e Shqipërisë për t’u afruar me Bashkimin Europian, nuk kanë ndalur për asnjë moment dhe do të vazhdojnë deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve që i janë lënë. Ministrja Gjosha shprehu mirënjohje në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. 

 “Marrja e statusit të vendit kandidat ishte një sfidë shumë e rëndësishme të cilën ne e kapërcyem, dhe për këtë sigurisht mbështetja e Gjermanisë ka qenë shumë e madhe. Këtë hap pozitiv përpara, për procesin e integrimit ne e konsideruam një shtysë edhe më të fortë për të vazhduar përpjekjen tonë, reformat, në mënyrë që sa më shpejt të kalojmë në hapin e radhës që është më i rëndësishmi, dhe që do t’i mundësojë jo vetëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, por edhe mekanizmat për t’u monitoruar më lehtësisht nga vendet anëtare”, tha Ministrja Gjosha. Hahn vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe u shpreh se është e domosdoshme që të vijohet me të gjitha hallkat e procesit, të cilat janë kusht për të avancuar më tej. Hahn theksoi se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë, sikurse ka bërë deri tani në shumë fusha që ndihmojnë integrimin e shpejtë të saj.