Ai ka theksuar se parkingu që po ndërtohet do të jetë në dispozicion qytetarëve, sidomos të atyre që vizitojnë kodrat e Liqenit Artificial apo zonat përreth, të cilët do të kenë një mundësi më shumë për një vend parkimi për makinën e tyre. “Të gjithë qytetarët duhet ta dinë se nëse vijnë të kalojnë kohë te kodrat e liqenit apo në sheshin “Nënë Tereza”, do të kenë një parking të sigurt”, u shpreh më tej kryetari i Bashkisë. Por, ky do të jetë vetëm parkingu i parë mes disa të tillëve që Bashkia e Tiranës ka vendosur të ndërtojë në Tiranë, si një përpjekje për të lehtësuar sadopak problemin e parkimit në kryeqytet. “Ky është projekti i parë i një rrjeti parkingjesh në qytetin e Tiranës, të cilat Bashkia do t’i sistemojë gjatë gjithë këtij viti”, tha Veliaj.
Nga ana tjetër kryebashkiaku Veliaj ka bërë të ditur se krahas investimeve për parkingje, Bashkia e Tiranës ka si synim të sajin që të nxisë sa më shumë lëvizjet që nuk ndotin ambientin në Tiranë. Ndaj, ai bëri të ditur se në 18 tetor bashkia dhe organizatat që mbështesin nismat ambientaliste, do të organizojnë një tjetër ditë pa makina. “Sigurisht, ne do të vijojmë me ditët pa makina. Dita tjetër pa makina do të jetë në 18 tetor, çka i paraprin lumturimit të Nënë Terezës, një ditë ku duam të bëjmë aktivitete kushtuar filantropisë dhe solidaritetit të qytetit tonë. Besoj se kemi nevojë për më shumë ditë pa makina dhe për hapësira ku njerëzit i lënë makinat dhe me paratë e parkingjeve sponsorizojmë punët publike të qytetit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.