Gjithë shqiptarët, të bashkohen në interes të prosperitetit të kombit tonë

502
Sigal

Presidenti Meta merr pjesë në përurimin e shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, së bashku me kryeministrin Edi Rama me kryeministrin e Kosovës Haradinaj, mori pjesë dje në përurimin e shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes historike të Prizrenit. Me rastin e 140-vjetorit, në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përuruan pasditen e së dielës shtatoret e tre udhëheqësve historikë të saj: Ymer Prizrenit, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshit. Presidenti Meta theksoi: “Për mua është një nder dhe kënaqësi e veçantë që të jem sot në Prizren vetëm pak muaj pasi përuruam fillimin e përpjekjeve për vendosjen e këtyre shtatoreve. Shpreh kënaqësinë që në një kohë kaq të shpejtë është realizuar kjo vepër e jashtëzakonshme dhe e shkëlqyer. Dua të përshëndes qeverinë e Kosovës, por edhe të gjithë artistët, të cilët kontribuan që Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi dhe Abdyl Frashëri të “rikthehen” në Prizren dhe me këtë rast, të na bashkojnë të gjithëve për të nderuar atë akt të jashtëzakonshëm që ata kryen 140 vite më parë. Aq më tepër që jemi mbledhur në një ditë nëntori, në një atmosferë të jashtëzakonshme të festave tona, të cilat lidhen jo vetëm me këtë Vit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, por njëkohësisht edhe me 110-vjetorin e Alfabetit të njësuar të Gjuhës Shqipe dhe natyrisht, edhe me festën tonë, që na bashkon të gjithë shqiptarëve kudo në gjithë botën, me atë të 28 Nëntorit, Festën e Flamurit Kombëtar. Faleminderit të gjithëve për këtë angazhim mjaft serioz! Le të përfitojmë nga ky çast për të bërë thirrje të forcimit të bashkëpunimit, dhe të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në interes të prosperitetit të kombit tonë, por njëkohësisht edhe të përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve për forcimin e perspektivës sonë europiane dhe të gjithë popujve të tjerë në këtë rajon!”

Kryeministri Rama: Është e papranueshme mohimi i lëvizjes së lirë për Kosovën

Kryeministri, Edi Rama, nga ceremonia në përurimin e shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit u shpreh se është e papranueshme mohimi i lëvizjes së lirë për Kosovën. : Si atëherë dhe si sot, nën petkun e dyshimtë të një ligjësie ndërkombëtare të nëpërkëmbur dhe për fat të keq sot e gjithë ditën të njollosur m’u aty ku është e pamundur të imagjinohet pse Kosova përjeton një mohim të papranueshëm, atë të mohimit të lëvizjes së lirë, si një popull i cili zgjodhi dhe çoi deri në fund rrugën e lirisë, gjeti dhe bëri të mundur pavarësinë përmes kësaj rruge dhe sot në mënyrë paradoksale gjendet në një rrethim sa absurd aq edhe të pajustifikueshëm për krejt bashkësinë ndërkombëtare.

Presidenti Meta viziton shkollën 9-vjeçare në gjuhën shqipe në fshatin Dacaj, Komuna Rozhajë Mal i Zi

Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në shkollën 9-vjeçare në gjuhën shqipe në fshatin Dacaj, të Komunës Rozhajë. Presidenti Meta u prit nga drejtori i shkollës, zoti Haxhi Lajçi, stafi pedagogjik, nxënësit dhe prindërit të tyre. “Jam shumë i lumtur që kam ardhur në Rozhajë, akoma më i lumtur që jam në këtë shkollë për vetë historinë e saj, por edhe për vetë shpresat dhe aspiratat e këtyre fëmijëve që kemi këtu. Dua t’ju siguroj se nga kjo ditë do të jem gjithmonë në këtë shkollë! Do të jetoj me ëndrrat dhe me vështirësitë e realizimit të ëndrrave të këtyre fëmijëve këtu, dhe të gjithë fëmijëve shqiptarë të Rozhajës e kudo ndodhen. Kemi biseduar për të rritur bashkëpunimin mes Rozhajës dhe Shqipërisë dhe shumë shpejt do realizojmë një binjakëzim me një nga bashkitë e Shqipërisë. Po kështu drejtori Lajçi shprehu dëshirën për t’u binjakëzuar me një shkollë në Shqipëri, dhe do të gjejmë jo një, por dy-tre shkolla shumë të mira për t’u binjakëzuar me shkollën tuaj këtu në Dacaj. Njëkohësisht i ftoj të gjithë fëmijët e shkollës dhe kolektivin e mësuesve për një vizitë njëjavore në Shqipëri..” – iu drejtua Presidenti Meta të pranishmëve. Pasi e përgëzoi stafin pedagogjik për punën e shkëlqyer që po bëjnë në këtë shkollë, veçanërisht për ruajtjen e gjuhës shqipe, Presidenti Meta i dhuroi këtij institucioni arsimor 40 fotografi të përfaqësuesve më të spikatur të Rilindjes Kombëtare, një fotografi të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut si dhe një kolazh fotografish nga punimet e Kongresit të Manastirit, në kuadër të 110-vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Presidenti Meta pritet në takim nga Kryetari i Kuvendit të Komunës Rozhajë dhe Zv/kryeministri i Malit të Zi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit dje në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Komunës Rozhajë në Malin e Zi, Amir Avdiç. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Rafet Husoviç, Ministri i Infrastrukturës, Osman Nurkoviç, si edhe deputetë. Presidenti Meta, pasi falënderoi autoritetet qendrore e vendore si edhe banorët për pritjen e ngrohtë, shprehu kënaqësinë që viziton për herë të parë Komunën e Rozhajës. “Pakicat kombëtare janë një pasuri e madhe, një vlerë e shtuar për të gjithë ne dhe më vjen mirë që dy vendet tona janë një shembull i respektimit të të drejtave të tyre në rajon. Bashkëjetesa dhe fqinjësia mes shqiptarëve e malazezëve, si në Shqipëri e Mal të Zi, por edhe në Kosovë, është një udhërrëfyes i mirë për bashkëjetesën me pakicat e minoritetet kombëtare në Ballkan. Shqiptarët në Mal të Zi kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë shtet, veçanërisht për Pavarësinë e tij si dhe për proceset integruese të Malit të Zi në familjen euro-atlantike dhe kjo është një arsye që na bën krenarë”, – nënvizoi mes të tjerash Presidenti Meta.

Presidenca ngjyroset portokalli, Presidenti Meta: Jo amnisti për dhunuesit

Presidenca është ngjyrosur portokalli mbrëmjen e djeshme dhe arsyeja është shumë e fortë. Në ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj grave dhe vajzave Presidenti Meta jep një mesazh: “Dhuna fizike e verbale ndaj grave dhe vajzave është dobësi! Nuk është burrëri! Është një plagë e shenjë turpi për shoqërinë, një pengesë e madhe për zhvillimin gjithëpërfshirës, të barabartë dhe të qëndrueshëm. Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave i bashkohem fushatës botërore. Përsëris qëndrimin tim të palëkundur për të mos amnistuar asnjë të dënuar për vepra penale të dhunës në familje”.