Gentian Çala: Nuk ta kthen Gjykata atë që ke humbur në sytë e shqiptarëve!

190

Kryeministri i Shqipërisë ka paditur për shpifje në Gjykatën Komunale të Prishtinës Kryeministrin në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj. Konflikt vizionesh apo inate katundare në viset ku flitet shqip e shahet shqip? Jo! KM-ja i Shqipërisë mendon se nuk ia pret dot kush mjekrën as fizikisht dhe as simbolikisht, ndaj atë që e ka humbur moralisht para bashkëkombësve të tij, po tenton ta fitojë nga një gjykatë. Bah!

Naiv dhe pa moral, pa vizion dhe pazarxhi për nga qasja, ky humbeno i futur një herë në pazarin e ndryshimit të kufijve (ide e dështuar tashmë), më pas u përfshi në historinë e Mini-Shengenit Ballkanik, duke lënë anash Kosovën. Investimi i tij përkrah Presidentit të Serbisë në konceptin kozmopolit të paqes, por në formën dhe mënyrën e gabuar, e ka bërë që në sytë e shqiptarëve ai të zhbëjë autoritetin e tij. Beteja ndaj Ramushit duket thjesht një përpjekje e kotë dhe e dështuar për të rifituar respektin e humbur.

Konflikti kryeministror shqiptar në portar e drejtësisë duket qesharak dhe fëminor. I kotë dhe pa asnjë ndikim, i shërben vetëm tekës egoiste të një Kryeministri inatçor dhe pazarxhi që quhet Edi Rama. Kryeministri Haradinaj na ka shpalosur me deklarimet e tij pjesën e panjohur të korridoreve të politikës dhe diplomacisë ku sjellja e Ramës dëshmon se bëhet fjalë për një njeri servil me të fuqishmit dhe pazarxhi me ata i ka afër nivelit të tij.

Ka edhe një aspekt etik, i shkelur tashmë. Që dy burra shteti, të dy shteteve sovrane,  nuk duhet ta çojnë konfliktin deri këtu, aq më keq që kanë të njëjtën kombësi. Rama e shtyu deri këtu dhe është plotësisht përgjegjës për këtë ngjarje, e cila nuk do ti shërbejë për asgjë, madje që në zanafillë e demaskon tërësisht. Sondazhet dëshmojnë se pëlqyeshmëria ndaj tij është në kuotën më të ulët, posaçërisht në Kosovë.