“FREEDOM HOUSE” PRODHON RAPORTE ME FINANCIMET E SOROSIT

621
Kush qëndron pas dokumenteve të publikuara për gjendjen në Shqipëri, reagimet dhe vlerësimet për qeverinë e opozitën. Shqetësimet në Hungari e Maqedoni
Raporti: Shqipëria, një regjim hibrid
Demokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim gjatë vitit 2017, pasi “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”, sipas organizatës “Freedom House”. Shqipëria është në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid, ndonëse ka shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan të qeta. Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës “Freedom House” “Vendet në Tranizicion”, thuhet se përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, u zbeh nga dyshimet se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës. Raporti kritikoi zgjedhjen e Metës si president, ndërsa deklaroi se arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën edhe nga “zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohshme më 18 dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”, thuhet në raport. Sipas tij, zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit shënuan përparim, pasi ofruan garanci të gjera për opozitën. Falë këtij përmirësimi, rezultati i përgjithshëm i indeksit të demokracisë u përmirësua në 4.11 nga 4.14 që ishte një vit më parë. Sipas “Freedom House” numri 1 përfaqëson nivelin më të lartë të demokracisë dhe numri 7 më të ulëtin. “Fushata zgjedhore, si dhe numërimi i votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishte shumë më pak probleme sesa në zgjedhjet e kaluara. Për këtë arsye, asnjë nga partitë kryesore nuk i kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve”, thotë raporti. Por zgjedhjeve u parapriu një bllokim politik mes opozitës dhe qeverisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2017 “që e vuri të gjithë procesin zgjedhor në rrezik”. Në raport thuhet se qeverisja demokratike në Shqipëri, u karakterizua nga ngecja në vend për shkak të polarizimit të thellë mes partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Partisë Socialiste në pushtet, si edhe nga prirjet autoritare në vitin 2017. Bojkotimi i parlamentit nga Partia Demokratike gjatë katër muajve të parë të 2017-ës, e frenoi reformën e kodit zgjedhor që ishte rekomanduar nga OSBE/ODIHR-i. Po ashtu rrezikoi ta hidhte të gjithë procesin zgjedhor në kaos, pasi PD-ja refuzoi të emëronte përfaqësuesit e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe i regjistroi kandidatët e vet, shumë pas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. “Marrëveshja e majit mes PS-së dhe PD-së, që i dha fund bojkotit, megjithëse u hapi rrugë zgjedhjeve të qeta, e sforcoi sistemin zgjedhor, pasi logjika politike iu imponua Kodit Zgjedhor”, thuhet në raport. “Freedom House” thotë se në vitin 2017 pati një farë përparimi kundër korrupsionit dhe ryshfeteve, veçanërisht në radhët e policisë, si edhe në luftën kundër drogës, që u vu re në reduktimin e kultivimit të kanabisit. Por përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, thuhet në raport, u zbeh nga njoftimet e agjencive italiane të rendit, se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës. “Me gjithë këto njoftime, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë votoi kundër kërkesës së prokurorëve për t’i hequr Tahirit imunitetin parlamentar, që ai të mund të arrestohej”. Në raport thuhet se kultivimi i kanabisit ra në mënyrë drastike në Shqipëri, pjesërisht falë ndërhyrjes së policisë shqiptare. “Ndërsa zyrtarët e qeverisë ia atribuan këtë strategjisë së tyre kundër kanabisit, analistët e pavarur argumentuan se mbiprodhimi gjatë tre viteve të mëparshme, krijoi rezerva të pa shitura të kanabisit që e shkurajoi kultivimin e mëtejshëm në vitin 2017”, thuhet në raport. Përparimi i bërë në vitin 2017 për të ulur korrupsionin në nivele të ulëta, thuhet në raportin e Freedom House, u zbeh nga humbja e terrenit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kapjes së shtetit. Raporti flet për strategjitë e miratuara kundër korrupsionit nga qeveria, përfshirë reformën në drejtësi që ka sy synim vetingun mes gjykatësve dhe prokurorëve në gjithë nivelet. Më 13 shtator, parlamenti miratoi qeverinë e dytë të udhëhequr nga Edi Rama, që përbëhej pothuajse plotësisht nga besnikë të tij. Kjo, shkaktoi frikë mes analistëve politikë se Rama mund të qeveriste me grusht të hekurt, duke pasur parasysh shumicën e tij prej 74 vendesh dhe kontrollin e tij të fortë mbi ekzekutivin. Raporti thotë se një numër ngjarjesh në vitin 2017 duket se i konfirmuan shqetësime të tilla, përfshirë amendamentet e propozuara për ligjin e taksave që i jepnin autoritet të pashembullt (qeverisë) për të përcaktuar nivelet e taksave për biznese të ndryshme si edhe përdorimi i shumicës së thjeshtë për të zgjedhur Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme. “Në fakt, vendimi i Ramës për të zgjedhur në mënyrë të njëanshme Prokuroren e re të Përgjithshme të përkohshme me një shumicë të thjeshtë në parlamentin shqiptar në dhjetor, duke shpërfillur kundërshtimet e ashpra të dy partive kryesore opozitare, shfaqi një hap të parë shqetësues në këtë trajektore”, thotë raporti. Sipas “Freedom House”, 2018-a paraqet mundësi për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri, por edhe rrezikun e autoritarizmit. Me një shumicë të gjerë, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë një shans të vërtetë për të kryer reforma të rëndësishme, që kanë mundësinë të ulin korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe ryshfetete në administratën publike, dhe njëkohësisht të përmirësojnë qeverisjen e mirë. Nga ana tjetër, kontrolli i plotë që ka kryeministri Rama mbi Partinë Socialiste dhe shumica e konsiderueshme që ai ka në parlament, e kombinuar me një kontroll të fortë mbi ekzekutivin, mund t’u hapë rrugën prirjeve autoritare që mund t’i vendosin institucionet shtetërore nën kontrollin e kryeministrit.
Sipas Wikipedias
‘Freedom House’ është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare (OJQ) me seli në Uashington, D.C, qëllimi i së cilës është të promovojë demokracitë liberale në mbarë botën. Ajo është më e njohur për raportet e saj vjetore ‘Liria në Botë’ dhe ‘Liria e Shtypit’. Ajo ka filluar publikimet që nga viti 1973, për lirinë në botë dhe është një nga treguesit më të vjetër që heton gjendjen e lirisë dhe demokracisë. Këto raporte kanë marrë shumë vëmendje aktualisht në media, shkencë dhe politikë.
Histori
Organizata ‘Freedom House’ u themelua në vitin 1941 nga Wendell Willkie, Eleanor Roosevelt, George Field, Dorothy Thompson, Herbert Bayard Swope dhe të tjerët në New York City në përgjigje të nazizmit totalitar. Në kundërshtim me politikën e jashtme të izolimit që mbizotëronte, ‘Freedom House’ u rreshtua në krah të e Britanisë në këtë fazë për ndërhyrjen e SHBA në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë viteve 1940, ‘Shtëpia e Lirisë’, mbështeti Planin Marshall dhe themelimin e NATO-s. Megjithëse me drejtimin e vet anti-komunist, Freedom House ishte gjithashtu një kundërshtar i hapur i McCarthyismit. Gjatë viteve 1950 dhe 1960, ajo mbështeti Lëvizjen e të Drejtave Civile të SHBA. Në vitet 1980, ajo mbështeti lëvizjen ‘Solidarnost’ në Poloni dhe opozitën demokratike në Filipine. Kohët e fundit, ‘Freedom House’ mbështeti qytetarët e përfshirë në trazirat në Serbi, Ukrainë dhe Kirgistan.
Financimi
‘Freedom House’ midis donatorëve më të mëdhenj të saj ka sigurisht institucionet e qeverisë amerikane. Tre donatorët më të mëdhenj që u përfshinë në vitin 2010 ishin në Fondin e Kombeve të Bashkuara për Demokraci (UNDEF). Përveç kësaj, ajo merr edhe fonde nga qeveri të tjera, por edhe nga fondacione të ndryshme gjysmë publike dhe private, siç janë Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të George Soros. Në vitin 2016, sipas raportit të vet financiar, ‘Freedom House’ ishte 86 për qind e financuar nga qeveria amerikane. Mbështetësit kryesorë përfshinin Programin e të Drejtave të Njeriut të BE-së dhe qeveritë e Kanadasë, Holandës dhe Norvegjisë…
MAQEDONI “FREEDOM HOUSE” ËSHTË NJË ORGANIZATË E FINANCUAR DREJTPËRSËDREJTI NGA GEORGE SOROS
Në emisionin e debatit “Топ тема на ваша страна” (Tema kryesore në anën tënde) që u transmetua në stacionin televiziv “Telma” (5 prill 2017), ambasadori i sapoemëruar i Misionit të Republikës së Maqedonisë në BE, ish-deputeti nga VMRO -DPMNE, Aleksandar Nikoloski, ndër të tjera deklaroi: “Është një fakt që ‘Freedom House’ është një organizatë e financuar drejtpërsëdrejti nga George Soros, si një financues i madh dhe themelor, kështu që çdo koment mbi të do të ishte i lirë … Sidoqoftë, ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo çështje që është pjesë e raportit: Mund të diskutojmë për statusin e demokracisë, medias etj, por unë nuk mund ta pranoj raportin si një temë relevante.” 
[Burimi: YouTube, (nga 54:40 në 55:12 në video) data: 05 prill 2017]
HUNGARI 11 PRILL 2018 ZËDHËNËSI I QEVERISË SË HUNGARISË, KOVÁCS: NË RAPORTIN E ‘FREEDOM HOUSE’: SOROS!
Dje kemi raportuar se ‘Freedom House’ e kishte renditur Hungarinë si vendin më pak demokratik në Bashkimin Evropian. Qeveria hungareze ishte e shpejtë në përgjigjen e saj, kur shpërthente përmes zemërimit të zëdhënësit të saj, Zoltan Kovacs (foto) me shpresën për të hedhur poshtë çdo objektivitetit në nocionin e analizave të Freedom House. Përgjigjja e Kovács ishte emblematike, se si qeveria reagon ndaj çdo kritike duke konfirmuar: “Është i gjithë faji i George Soros.”
Sipas Kovács:
Është plotësisht e qartë se raporti i ‘Freedom House’ është pjesë e një sulmi të koordinuar nga George Soros ndaj Hungarisë. Metodologjia e ‘Freedom House’ është e motivuar politikisht. Sistemi i vlerësimit është politik dhe është i lidhur me George Soros dhe qarqet liberale që kanë mospajtime ideologjike dhe politike me Hungarinë. Është problematike që ‘Freedom House’ nuk diskutoi se çfarë ndodhi në Hungari më 23 tetor 2006 [protestat anti-socialiste ndaj rrugës qeverisëse].
Freedom House është një organizatë (nën ndikimin) e Soros-it, është e njëanshme dhe sulmet e saj ndaj Hungarisë janë të motivuara nga interesa politike…. Kovács shkroi një përgjigje të gjatë dhe të zemëruar ndaj raportit të komitetit të kësaj organizate. Në vend të adresimit për ndonjë nga gjetjet e raportit në krye të tij, ai është i vendosur për të nënvizuar një argument bazë: “Ky raport vjen nga stafi i pakicave në Senat, të dhjetë anëtarëve të – Thats, dhjetë senatorët demokratë – i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit. Shumica dërmuese e këtyre senatorëve – kemi gjetur se nëntë nga dhjetë – kanë marrë financime nga Soros, qoftë nga kontribute të drejtpërdrejta ose nëpërmjet komiteteve të veprimit politik, pra, kanë marrë sasi të mëdha financimesh nga Sorosi. Për pasojë të financimeve raporti i këtyre Senatorëve Demokratë është makinacion politik liberal i Soros-it. “
(https://budapestbeacon.com/kovacs-freedom-house-report-soros )


Sigal