FMN: Taksat më të larta për të pasurit do zvogëlojnë hendekun e pabarazisë

539
Norma më e lartë e tatimit mbi të ardhurat për të pasurit do të ndihmonte në zvogëlimin e pabarazisë pa pasur një ndikim negativ në rritjen e ekonomisë, deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN-ja me seli qendore në Uashington përdori monitorimin e saj fiskal gjysmëvjeçar për të kundërshtuar argumentin se rritja ekonomike do të vuante nëse qeveritë ne vendeve të përpararuara perëndimore do ta detyronin 1 për qindëshin e të pasurve të paguante më shumë taksa. FMN-ja vazhdoi më tej duke thënë se sipas teorisë së taksave, për personat me të ardhura shumë të larta duhet të kishte rrjedhimisht edhe norma shumë të larta taksimi, por argumenti i cili e hidhte poshtë një gjë të tillë ishte se një lëvizje e tillë do të ndikonte negativisht në rritjen e ekonomisë.
Por sipas institucionit me ndikim të lartë global “rezultatet empirike nuk e mbështesin këtë argument, të paktën për nivelet e progresivitetit që nuk janë të tepruara”. FMN-ja shtoi gjithashtu se disa lloje të ndryshme të taksave të pasurisë duhet të merreshin parasysh. Partia laburiste është duke lobuar fort për vendosjen e taksave më të larta për të pasurit, duke theksuar edhe ndërhyrjen e FMN-së, si një dëshmi për të pasur një sistem sa më të drejtë tatimor. Kjo parti propozoi një taksë të re prej 45 për qind për të gjithë ata që fitonin më shumë se 80,000 paund dhe një taksë të re prej 50 për qind për të gjithë ata që fitonin më shumë se 123,000 paund.
John McDonnell, kancelari në hije i Laboristëve u shpreh se FMN-ja mbështet argumentin që kemi bërë në Zgjedhjet e Përgjithshme për një sistem më të drejtë tatimor. Nuk kemi pse të vazhdojmë të mbështesim akoma ata që kanë frikë nga fakti që të pasurit duhet të paguajnë edhe më shumë taksa. Ai shtoi se jo vetëm që Konservatorët kanë ulur normën më të lartë të taksave, por ata ende planifikojnë miliarda në dhënien e taksave për korporatat super të pasura dhe të mëdha. Pavarësisht nga pretendimet e ministrave se planet e reja mbi sistemin tatimor të Laburistëve, do të jenë të dëmshme si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ana politike, Z. McDonnell beson se vendosja e taksave më të larta për të pasurit do të gjejë mbështejte të madhe në popull.
Çdo ditë që kalon rritet edhe nevoja që Departamenti i Thesarit të Shtetit të bëjë disa ndryshime të caktuara. Në vend që të angazhohet me çështje aspak të nevojshme brenda partisë së tij, kancelari duhet të dëgjojë thirrjet e laburistëve për vendosjen e një sistemi tatimor sa më të drejtë dhe rritjen e investimeve, në mënyrë të tillë që edhe të ekzistonte mundësia që të ndërtohej një ekonomi për shumicën dhe jo për pakicën.
Theresa May ka sulmuar në mënyrë të përsëritur qasjen e Laburistëve, duke e etiketuar atë si ekstremiste dhe duke thënë se Corbyn and McDonnell janë pjesë e “Planetit tjetër në Venezuelë” dhe jo në Britani. Por kryeministrja britanike ka pranuar gjithashtu gjatë një mbledhjeje të vogël në konferencën e partisë së saj në Mançester se opinioni publik duket se mbështet më shumë disa nga idetë ekonomike të laburistëve në krahasim me ato të strategëve konservativë.
“Ne menduam se kishte një konsensus politik dhe Jeremy Corbyn e ndryshoi këtë”, tha ajo. Me Philip Hammond në prag të dorëzimit të buxhetit të tij muajin e ardhshëm, është e paqartë nëse qeveria do të shtyjë ende shkurtimet e premtuara të taksave për shtresën më të pasur, duke përfshirë plane për rritjen e pragut të normës më të lartë për tatimin me të ardhura që shkojnë deri në 50,000 paund.
Monitorimi fiskal nuk veçon asnjë shtet dhe nuk specifikon se në çfarë niveli qeveritë duhet të përcaktojnë normën e re të tatimit për më të pasurit, po tha se taksa më e lartë për të pasurit ishte e nevojshme për të zvogëluar pabarazinë në rritje të të ardhurave, argument ky i përdorur nga Z. McDonnell dhe Jeremy Corbyn. Sipas FMN-së ekonomitë më të përparuara në Perëndim kishin përjetuar një rritje të konsiderueshme të pabarazisë së të ardhurave gjatë tre dekadave të fundit, të nxitura kryesisht nga rritja e të ardhurave të 1% të shtresës më të pasur.
Tradicionalisht, qeveritë kanë kërkuar që shoqëritë e tyre të jenë sa më pak të pabarabarta duke vendosur norma më të larta të tatimit mbi të ardhurat për të pasurit dhe duke i përdorur të ardhurat që gjenerohen në ndihmë të atyre që kanë më shumë nevojë, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet shërbimeve publike. Në një blog të FMN-së, kreu i njësisë së çështjeve fiskale të FMN-së, Vitor Gaspar, tha se shkalla mesatare e tatimit mbi të ardhurat për vendet e pasura të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ka rënë nga 62% në 1981 në 35% në vitin 2015.
“Përveç kësaj, sistemet e taksave janë më pak progresive sesa tregohen nga normat statutore, sepse individët e pasur kanë më shumë akses në lehtësimin e taksave”. Ajo çka është më e rëndësishme është se ne duhet të gjejmë se disa ekonomi të përparuara mund të rrisin progresivitetin pa penguar rritjen, përderisa progresiviteti nuk është i tepruar, tha ai më tej. Kërkimet e fundit të FMN-së zbuluan se në periudhën midis 1985 dhe 1995, rishpërndarja përmes sistemit tatimor kishte ndikuar në 60% të rritjes së pabarazisë të shkaktuar nga forcat e tregut. Por midis viteve 1995 dhe 2010, sistemet e tatimit mbi të ardhurat dështuan t’i përgjigjen rritjes së vazhdueshme të pabarazisë. Pavarësisht progresit, hendeqet e mëdha në qasjen ndaj një arsimi më cilësor dhe shërbimeve shëndetësore ndërmjet grupeve me të ardhura të ndryshme të popullsisë vazhdojnë të mbeten të shumta në shumë vende. Shpenzimet më të mira publike mund të ndihmojnë, për shembull, duke rialokuar arsimin ose shpenzimet shëndetësore nga të pasurit tek të varfrit, duke e mbajtur të pandryshuar arsimin e përgjithshëm publik ose shpenzimet shëndetësore”, shtoi më tej Z.Gaspar.
Por raporti gjithashtu theksoi rrezikun e mbështetjes së tejzgjatur monetare, e cila mund të çojë në ndërtimin e ekseseve të mëtejshme financiare. Sipas një zëdhënësi të Thesarit të Shtetit “Një sistem i drejtë taksash është një pjesë kritike e planit tonë për të ndërtuar një shoqëri sa më të drejtë”.
Sigal