Flet për “Telegraf”, Idajet Beqiri, Kryetari i PKU-ut

633
Sigal

AK-ja a kishte ftesë zyrtare për t’u bashkuar në koalicionin e Majtë?

Meqenëse koalicioni është ndërtuar si bashkim gjithëpërfshirës forcash politike që kërkojnë realizimin e domosdoshëm të rrotacionit të pushtetit si dhe largimin e Berishës me votë, AK-ja e ka vendin në koalicionin e gjerë me mbi 40 parti që tashmë është formësuar nën udhëheqjen e PS-së. . Ftesa që i është bërë AK-së, për të qenë në koalicionin tonë është serioze. Në se AK-ja do të pozicionohej jashtë koalicionit të majtë opozitar, vlerësoj se, ky akt do të ishte një deformim i papranueshëm e i papërgjegjshëm, sepse forcat politike me qëllime të njëjta, nuk duhet të veprojnë kundër vetvetes «për mustaqet e Çelos »! Nga ana tjetër vlerësojmë se ka ende kohë që Rama, si lideri kryesor i koalicionit të majtë opozitar, duhet t’i ribëjë një ftesë tjetër serioze AK-së për të qenë në mesin tonë.

Cila ishte arsyeja që Gjinushi e Milo nuk erdhën?
APSD dhe PDS  janë ndër partitë e para që e kanë iniciuar, mbështetur dhe ushqyer këtë koalicion. Ato, parë nga çdo këndvështrim,  janë thelbi dhe pjesa më e natyrshme e këtij koalicioni. Mungesa e Gjinushit dhe e Milos në takimin e djeshëm ishte për arsye të justifikuara dhe lidhej thjesht dhe vetëm me angazhimet e tyre në punë të planifikuara kohë më parë.

Marrëveshja bilaterale që do nënshkruajnë Gjinushi e Milo me PS, do të nënshkruhet mbi bazën e kësaj platforme?

Marrëveshjet bilaterale do të jenë të veçanta me çdo Parti pjesëmarrëse në koalicion. Marrëveshja dypalëshe, domethënë PS-ja me çdo aleat në koalicion, do të ketë si orientim marrëveshjen kornizë që miratuam dhe e nënshkruam përfundimisht dje. Por do të ketë edhe specifikime. Specifikimet do të jenë në përputhje me kontributet, me interesat dhe me kërkesat e çdo partie. Në takimin e djeshëm, një Parti politike e spektrit të djathtë pjesëtare në koalicionin tonë, i kishte kërkuar Ramës vetëm një post në se fitonin numrin e nevojshëm të votave për të qenë pjesë e pushtetit që do fitohet pas 23 Qershorit. Kjo Parti donte vetëm postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, sepse i është bërë opsesion të pres Berishën, kur t’i drejtohet derës së institucionit që kërkon të marrë dhe të drejtojë lideri i kësaj Partie!

Po bashkëpunimi PS-LSI, do të ndërtohet mbi marrëveshje, e cila nuk do të bazohet mbi platformën?

 LSI është pjesë e koalicionit. Ajo ka pranuar Platformën që kemi nënshkruar të gjithë. LSInuk vjen në këtë koalicion si e paragjykuar dhe e privilegjuar. Ajo ka ardhur aty si gjithë forcat e tjera politike. Në se del fituese si më parë, ose më mirë se më parë në garën e 23 Qershorit, do të vlerësohet sipas votave që do të marrë. Koalicioni është konceptuar, po realizohet dhe do të bëjë vlerësimet përfundimtare bazuar në kontributin real që do jap çdo Parti pjesë përbërëse e tij për mbushjen me vota “të thesit të madh” të opozitës me në krye PS-në.