Europa bashkohet me Berishën kundër Ramës

557
Sigal

Imuniteti/ Ringjallet konflikti mes opozitës dhe maxhorancës për çështjen e ndryshimeve kushtetuese

Kryeministri Berisha sulmoi sërish kryetarin e opozitës, Edi Rama për çështjen e imunitetit, duke theksuar se po vonon votimin, “me shpresën se kjo do të dëmtojë qeverinë në sytë e shqiptareve.” Deklarata e kryeministrit Berisha u bë gjatë takimit që zhvilloi dje me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PPE-së në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Luca Volonte. “Çdo qytetar shqiptar po pret me padurim rrëzimin më datë 6 gusht të murit të imunitetit dhe korrupsionit dhe hapjen e dyerve të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Rama nuk voton heqjen e imunitetit vetëm e vetëm për të bllokuar marrjen e statusit, pasi beson se kjo do të dëmtojë në sytë e shqiptarëve qeverinë, ndërkohë që kjo dëmton rëndë interesin jetik të çdo qytetari shqiptar.”- u shpreh kryeministri Berisha. Në takim kryeministri theksoi se marrëveshja e nëntorit midis forcave politike u respektua nga palët, në këtë kontest u miratuan reforma zgjedhore dhe një seri kodesh por, siç tha ai, tani në një qëndrim bllokues Rama nuk pranon heqjen e imunitetit. “Rama për më shumë se 5 vjet e bllokoi heqjen e imunitetit, duke kërkuar që kjo heqje të bëhet nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës. Kur ne pranuam heqjen e imunitetit nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës dhe dorëzuam në Parlament projektin e përgatitur nga KE dhe Euralius, Rama nuk pranoi të votojë, por kërkoi të votohet projekti i Partisë Socialiste, i cili nuk lejonte arrestimin dhe kontrollin e banesës se deputetit pa miratimin e Parlamentit. Kur ne pranuam kërkesat e tij, zoti Rama përsëri deklaroi se nuk do të lejonte grupin të votonte me date 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit megjithëse kjo datë është caktuar më datë 12 korrik si datë për votimin e heqjes së imunitetit me miratimin unanim të Parlamentit”, – u shpreh Kryeministri. Nga ana e tij zoti Volonte u shpreh se bllokimi i procesit te statusit është tejet i dëmshëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Kryeministrisë, zoti Volonte tha se “në takimin e fundit me përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të KE-së kishte akuzuar qeverinë se nuk pranon heqjen e imunitetit, sepse me imunitetin mbron korrupsionin e zyrtarëve të saj, kurse tani rezulton se është ai dhe opozita që duke bllokuar heqjen e imunitetit mbrojnë korrupsionin dhe bllokojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria”.