“Është shansi i fundit i shqiptarëve, që të jetojnë si komb dhe jo si banorë”

491
Sigal

INTERVISTA/Flet Kryetar i Lista për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj: “Reforma për kufizimin e imunitetit është elektorale, luftë për pushtet”

Kryeministri Berisha, në vazhdim të idesë që ka hedhur për imunitetin, na informoi se dy javët e para të shtatorit, do të depozitojë në Gjykatën e Tiranës kërkesën për referendumin e imunitetit. Nuk na sqaroi veçse, përse nuk nxitohet, që ta deponojë sa më shpejt, për të kapur caqet kohorë të tetorit, ku de jure përcaktohet fati i integrimit të Shqipërisë në BE. Të mendojmë që ky referendum,   për qeverinë,  nuk është edhe kaq i ngutshëm si prioritet politik? Edi Rama, dje, i bëri thirrje Kryeministrit, që brenda shtatorit- meqë koha e shkuar vajti dëm- të ulen e të gjejnë të mesmen politike, duke lënë të kuptohet që referendumi nuk është zgjidhje që PS-ja e mbështet. Këto dy qëndrime diametrikisht kaq të kundërta, për reformën e imunitetit, kur, ndërkohë kjo është një kushtëzim për fatet e shqiptarëve e Shqipërisë dhe koha politike është tepër e kufizuar, të bën të kuptosh që Rama e Berisha më shumë përpiqen, që secili, të shkarkojnë nga vetvetja  përgjegjësinë e dështimit, sesa të ndërtojnë midis tyre mirëkuptimin e bashkëpunimin.   Të para në kontekst, tërë kjo zhurmë politike për imunitetin, Koço Danaj, Kryetari i Lista për Shqipërinë Natyrale, në intervistën për “Telegraf”, pohon që kjo është një propagandë partiake, për të trullosur elektoratin. Kjo reformë nuk mund të jetë përcaktuese, thotë zoti Danaj, sepse integrimi para se të jetë legjislacion, është mentalitet, ku neve shqiptarëve, akoma na mungon. Politikanët, sikurse Rama dhe Berisha,  shton më tej zoti Danaj, nuk kanë kauzë, por vetëm klane politike, nuk kanë vizion për shumicën, por kërkojnë pushtetin në emrin e një  pakice.

– Zoti Danaj, mendoni se të dy palët politike, PD dhe PS e kanë, seriozisht, dëshirën që të luftojnë korrupsionin, me reformën e heqjes së imunitetit?

Seriozisht!!? Askush, nuk e beson propagandën partiake. Ajo nuk shërben për të treguar të vërtetën, por për të trullosur dhe manipuluar njerëzit. Pra, kemi të bëjmë me një propagandë partiake që synon elektoratin, për ta trullosur atë.

 – Sa përcaktues është kjo reformë në integrimin e shqiptarëve dhe Shqipërisë në BE?

– Zero. Nuk ka të bëjë fare me integrimin në BE. E para, sepse integrimi para se të jetë legjislacion është mentalitet. E dyta, sepse kushdo, me dy gram mënd, e kupton dhe e di tashmë se BE ka vdekur, në vend të saj po mendohet jo për BE, por për Shtetet e Bashkuara te Europës. E, ato, në qoftë se do  realizohen, do të kenë tjetër kuptim, tjetër legjislacion, tjetër mentalitet. Por, përsëri kemi të bëjmë me propagandën, që synon “turmën”, por jo opinionin publik, që synon rreshtin, por jo elitën. Pra thjesht, synohet dhe ecet me mendësinë: “ta kapërdijë” kush ta kapërdijë. Dhe e fundit, tashmë nuk shtrohet çështja e integrimit në BE, por mënyra e integrimit, pra si do integrohemi: Si banorë, apo si komb. Kozmopolitizmi integrist  synon të na shndërrojë nga Komb në banorë të Europës. Unë i respektoj dhjetëra dhe qindra shqiptarë që kanë bërë emër dhe kanë marrë famë në vende të ndryshme të Europës. Por, me trishtim pohoj se ata janë banorë të vendeve, ku jetojnë dhe fëmijët e tyre nesër do të jenë vetëm me origjinë shqiptare. E them këtë, pasi kështu më mëson historia e popujve të tjerë. Në lashtësi, në Athinë, midis 7 filozofëve që përbënin Këshillin e të Urtëve të Athinës, kishte edhe një filozof skith me emrin Anaharsis, por Skithët u zhdukën si popull. Ne nuk mund të zhdukemi, ne jemi bërthama e qytetërimit europian. Themelet e NATO i ka hedhur Skënderbeu me Ferdinandin e Napolit, para më shumë se 500 vjet. Mjafton kaq, për të thënë se ne duhet të refuzojmë çdo lloj integrimi që na mban si Vilajete Neotoamane, apo më keq që synon të na shpërbëjë si komb. Duhet të refuzojmë edhe çdo lloj politikani që na servir këtë filozofi shkombëtarizuese si modernizëm.

 – Ky ngërç i ri politik, i kufizimit të imunitetit, me akuza-kundërakuza të ndërsjella,  çfarë përmbajtje politike ka?

 -Elektorale, luftë për pushtet. Asgjë tjetër. Palët kanë zbritur në fushën e betejës elektorale dhe synojnë e para të konsolidojnë “turmën” e partisë dhe e dyta, mundësisht të manipulojnë edhe të tjerë për t’i futur në turmë.

 – Çfarë shprese duhet të ushqejmë ne,të tjerët,  nga fati që do të ketë kjo reformë e kufizimit të imunitetit, në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar?

– Asnjë shpresë. Shteti dhe shoqëria shqiptare nuk vuajnë nga mungesa e ligjeve për të luftuar këtë apo atë, nuk vuajnë nga mungesa e njerëzve të aftë për ta çuar deri në fund këtë luftë. Ne kemi akoma një shtet që më shumë ngjan me një “Ambulancë” urgjencash, në vend të një shteti “Strateg”  që parashikon të ardhmen. Dhe e dyta, ne kemi akoma një shoqëri “pa sy”, që ecën po nuk di nga ecën, që shkon po nuk di ku shkon. “Demi kapet nga brirët, jo nga bishti”. Natyrisht kur kërkon ta kapësh vërtet.

 – Ju si e vlerësoni rolin e Presidentit në emërimin e nënkryetarit të KLD-së dhe të SHISH, derisa ato janë e drejta e tij kushtetuese? Duhet të nxitohemi në kritika  dhe ndoshta paragjykojmë paraprakisht?

 – Unë nuk paragjykoj askënd, përpiqem të gjykoj mbi ato që ka bërë dhe bën, por jo për ta kapur me ndjenjën e kënaqësisë perverse “Ja të kapa”. Ajo që unë nuk arrij të kuptoj tek presidenti aktual është bashkëjetesa zyrtare midis republikanistit Nishani me monarkistin Leka Zogu i dytë, që shërben si këshilltar politik i tij. Në çdo vend të Europës nuk do të lejohej ky absurditet.

– Si e parashikoni rolin e LSI-së, në fatin e aleancave që do të krijohen në fushatën zgjedhore të 2013-s?

– LSI-ja, tashmë është konsoliduar si parti politike. Pas 4 palë zgjedhjesh, ajo vazhdon të mbetet forca e tretë politike në Shqipëri. Por nëse, do të dijë të gjejë një kauzë reale, në të  ardhmen e afërt, do të avancojë më shumë, jo thjesht si balancë pushteti, por ekuilibër shteti. Komoditet nuk do të thotë gjumë. Komoditeti i pushtetit nuk është i barabartë me “komoditetin” e ideve.

-Po FRD-ja e Topit, do të mundet të luajë rol në një reformim të së djathtës?

– Dua ta them që në fillim. Sharjet dhe vota anti nuk synojnë reformim. Deri tani, kemi të bëjmë me vota anti. Por harrohet se vota “Anti” është votë desktruktive, shkatërruese. Ndërsa Shqipërisë i duhet vota “Pro”, mirëqenia e shqiptarëve ka nevojë për votën “Pro”.  Deri tani, këtë që sapo thashë, nuk e shoh, më shumë shikoj qëndrimi “Anti”.

– Është situata politike që në Shqipëri të krijohet një pol i tretë politik, që mund të thyejë depolarizimin politik të PD-PS, meqenëse zhgënjimi i elektoratit shprehet për të dy këto forca politike?

– Më falni, po cili është Poli i parë, cili është Poli i dytë? Në Shqipëri nuk ka as Pol të Parë, e as të dytë. Atëherë, si mund të ketë, të tretë. Kemi vetëm grumbullime njerëzish, që vetëquhen të djathtë, apo të majtë, por që të gjithë i ngjajnë Pellagji Nillovnës së Gogolit, që thoshte: “Eh, ëmë gjeti me këta njerëz, që nuk dinë të dallojnë të majtën nga e djathta”.

– Po politikën e AK-së  në këtë çështje të bashkimit të kombit shqiptar? AK-ja a mund  të luajë rol kryesor në politikën shqiptare?

– Akoma nuk kam lexuar platformën e saj. Kam lexuar programin që ekziston në Gjykatën e Tiranës, ku synohet bashkimi në BE. Deklaratat propagandistike, nuk janë program politik

– Faleminderit!

_____________________________________________________________

ROLI I EDI RAMËS NË NDRYSHIMET KUSHTETUESE 2008, DHE PRIVILEGJI I LISTAVE TË DEPUTETËVE

Po, ju thashë, thjesht në Shqipëri kemi luftë për pushtet, në emër të një pakice, por nuk kemi vizion në emër të një shumice. Ky lloj politikani, që ekziston në Shqipëri, që nga Rama deri tek Berisha, etj., etj., në thelb të veprimtarisë së tyre kanë pushtetin e një grupi, por jo interesat e një kombi. Ata nuk kanë kauzë, e kur mungon kauza, nuk ka shpresë, ka vetëm klan, vetëm grup. Kemi një rikthim tek Majakovski dhe vargjet e tij: Kur themi Lenini, nënkuptojmë partia, kur themi partia nënkuptojmë Lenini. Dhe sa kohë që do të jetë kështu, fiton kush është më i zgjuar, kush bën më shumë hile. Më i zgjuar doli Berisha, pra fitoi Berisha. Rama ra brenda gropës që hapi vetë. Çdo – gjoja-  reflektim i sotëm nuk ka vlerë praktike, është thjesht ngushëllim shpirti. Mbase, mëson për 2013-n.