Babëzia me parkun kombëtar/ Gjykata Kushtetuese riçel seancën për Butrintin, shqyrton dokumentet dhe tërhiqet për vendim. Zhupa: Presim drejtësi

16

Rama e mbajti të fshehtë/ VOA nxjerr raportin e UNESCO për Butrintit: Kritika të forta Qeverisë.

Sigal

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese zhvilloi ditën e enjte një seancë të re seancë plenare në procesin e kërkuar nga një grup deputetësh për të shfuqizuar si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Gjykata Kushtetuese zhvilloi sot seancën, ku administroi provat, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe është tërhequr për vendimmarrje. Gjykata vendosi në janar për të riçelur seancën plenare, në mënyrë që, në dokumentat për shqyrtim të shtohej edhe Raporti i Misionit të Përbashkët UNESCO-ICOMOS për Butrintin. Gjykata e rinisi seancën e shqyrtimit dokumentar sot nga mëngjesi me dyer të mbyllura, ndërsa Zëri i Amerikës mësoi se Gjykata administroi provat, mbylli shqyrtimin gjyqësor mbi bazën e dokumentave dhe tashmë është tërhequr për të marrë vendim, i cili pritet të dalë brenda afateve ligjore.

Një grup prej 36 deputetësh e cilëson si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare ligjin mbi administrimin e një pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit, bazuar në një marrëveshje mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Ata e vunë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, e cila pasi dëgjoi palët, kërkoi edhe raportin e UNESCO-s, i cili nuk ishte publikuar, pasi pala shqiptare nuk dha pëlqimin, por u ishte dorëzuar autoriteteve në shtatorin e kaluar. Në maj të vitit 2022 qeveria dhe Kuvendi me shumicë socialiste vendosën që Parku Kombëtar i Butrintit të administrohet nga një fondacion i krijuar prej ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).Veprimtarët e shoqërisë civile dhe deputetët opozitarë protestuan me dyshimet se kjo pasuri e vendit mund të dëmtohet nga kjo mënyrë e pazakonshme administrimi.

Në raportin e monitorimit nga UNESCO shprehet shqetësim i thellë për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria shqiptare me heqjen e 600 hektarëve pa dijeninë dhe miratimin e organizatës. Ndërsa sipas një verifikimi të Zërit të Amerikës në dokumentat zyrtare, jashtë kufijve të Parkut Kombëtar janë lënë 802 hektarë. UNESCO-ja është kritike edhe për modelin e ri të menaxhimit të qytetit antik të Butrinit, të njohur si zona A-3 prej një Fondacioni të krijuar nga ministria e Kulturës dhe nga AADF-ja. Në raportin e monitorimit thuhet se administrimi vetëm i kësaj zone nuk përmbush kërkesat e UNESCO-s për menaxhim të integruar, që lidhet me natyrën, arkeologjinë dhe monumentet.

Misioni i UNESCO-s ka kërkuar që ministria e Kulturës të ruajë autoritetin e Shtetit Palë për Butrintin, ku organizata kërkon përgjegjësitë shtetërore në përputhje me standartet botërore të vendosura nga UNESCO.

“Marrëveshjet mes ministrisë se Kulturës, AADF-së dhe Fondacioni i ri nuk japin një zgjidhje të përshtatshme, pasi nuk janë përgjegjëse për menaxhimin e pasurisë së Trashëgimisë Botërore si të tillë”, -thotë misioni i monitorimit, nga UNESCO.

Qeveria publikoi pak ditë më parë raportin e saj drejtuar UNESCO-s lidhur me Parkun Kombëtar të Butrintit, ku angazhohet të përshtasë Planin e Veprimit drejt një marrëveshje, ku ministria përkatëse të ketë përgjegjësinë dhe autoritetin mbikqyrës për Butrintin. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikoi një reagim të mërkurën, një ditë para seancës në Gjykatën Kushtetuese, ku theksoi se roli qendror i shtetit, jo vetëm nuk do të zbehet në formën e re administruese të një pjese të pasurisë universale, por do të jetë garantues i koherencës së mbrojtjes dhe zhvillimit të gjithë Parkut Kombëtar të Butrintit.

Por Shteti Palë nuk e ka më autoritetin për një periudhë dhjetëvjeçare në zonën A-3, ku gjendet qyteti antik, pjesa më e rëndësishme e Butrintit, pasi kjo zonë prej rreth 614,3 hektarësh do të administrohet nga një organizatë jofitimprurëse në formë fondacioni, bazuar në marrëveshjen mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF). Ministria premtoi ngritjen e Komitetit të Koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit për të koordinuar dhe monitoruar zbatimin e strategjive dhe politikave të konservimit dhe administrimit të pasurisë universale të Parkut Kombëtar. Në reagim thuhet se grupet interesit dhe komunitetet vendore mund të përfaqësohen në Bord me statusin e vëzhguesit për të rritur transparencën.

“Roli qendror i shtetit dhe përgjegjësia e tij ndaj Konventës nuk cënohen as nga forma e re e administrimit të nën-zonës A3 të Parkut nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit dhe as nga Bordi i tij i drejtorëve, i cili me 100 për qind të votave punon për mbrojtjen, konservimin dhe zhvillimin e pasurisë kulturore e natyrore”, -thuhet në reagimin e ministrisë.

Por ministri i Kulturës ka vetëm një votë në Bordin e Drejtorëve të Fondacionit të përbërë nga 5 anëtarë, të cilët kanë fuqinë e tyre vendimmarrëse. Ministria e Kulturës edhe Drejtorin ekzekutiv të Fondacionit e ka përzgjedhur një shtetas të huaj të panjohur më parë për rrethet e studiuesve, arkeologëve e restauratorëve, që kanë punuar në Butrint. Konventa e UNESCO-s, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 1989, e sheh krijimin e fondacioneve nga Shteti Palë me qëllim që të ftojnë donacione për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por jo me rol të tyre në përfaqësimin e Shtetit Palë, administrues dhe menaxhues të pasurisë botërore.

Ashtu si në raportin e qeverisë shqiptare, që iu dorëzua UNESCO-s pak ditë më parë, as në reagimin e djeshëm të ministrisë nuk përmendet heqja nga qeveria e 802 hektarëve nga Parku i Butrintit, akt që i hapi rrugë menjëherë ndërtimeve. Në raportin e monitorimit përmendet fakti që një muaj pas ndryshimit të kufijve, u dha leja për ndërtimin e një resorti. Ministria i referohet vetëm zhvendosjes së një pjese të territorit urban të Ksamilit nga zona e mbrojtur e Parkut Kombëtar të Butrintit, por Plani i Menaxhimit parashikonte për këtë 50 deri në 150 hektarë dhe jo 802 hektarë.

Për herë të parë që nga viti 1997, kur Shqipëria u përfshi nga trazirat kaotike, Butrinti rrezikon sërish, sipas specialistëve të trashëgimisë, që të përfshihet në “Listën e Pasurive Botërore në Rrezik”. Humbja e autoritetit të Shtetit Palë në administrimin e një pjese të pasurisë botërore, ndryshimi i kufijve të pronës pa dijeninë dhe miratimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe zhvillimi projekteve të shpejta urbane dhe të turizmit në zonën e hequr nga Parku i Butrintit pritet të shqyrtohen nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, që do të mblidhet në korrik të këtij viti në Indi/VOA

Ina Zhupa: Presim drejtësi për Butrintin nga Gjykata Kushtetuese

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, deklaroi se sot është seanca e fundit për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe se janë duke pritur që Gjykata Kushtetuese të bëjë drejtësi duke mos lejuar dhënien e tij me koncesion dhe ndarjen në parcela, përfshirë një pjesë për ndërtime.

Në një deklaratë para mediave në hyrje të Kuvendit, Zhupa numëroi të gjithë agjencitë dhe organizmat e huaja që kanë dalë kundër synimit të qeverisë shqiptare për ta dhënë me koncesionin trashëgiminë e çmuar të shqiptarëve.

“Nuk e kuptoj se si një qeveri mund të mbajë qëndrimin që OKB nuk ka rëndësi, – tha Zhupa. – që Konventa e Parisit që e ka ratifikuar parlamentin shqiptar nuk ka rëndësi, se si fondet dhe njohja që vjen nga UNESCO nuk ka rëndësi. Kjo tregon se ata janë të zhytur thellë në këtë aferë saqë çdo gjë nuk ka rëndësi, përveçse ka rëndësi të jetë mirë AADF-ja, koncensionari që merr Butrintin.