Esad Gjonbalaj: Zgjedhjet në Malin e Zi dhe shqiptarët e Plavë-Gucisë

440
Sigal

Në Plavë dhe Guci janë përafërsisht rreth 1000 votues
shqiptarë. Ky është një elektorat i ndjeshëm jo vetëm në atë zonë, që në
vazhdimësi po manipulohet. Ky manipulim bëhet duke shfrytëzuar lidhjet
personale e familjare si dhe populizmin të shprehur me terma dhe retorika te
mirënjohura “A doni qe kështu të dukej mirëqenia e juaj….!!!???” Dhe këtu një
rol të madh po luan edhe diaspora. Në fakt, në Plave-Guci unë nuk shoh
elektorat të mirëfilltë dhe të organizuar ideologjikisht. Ajo që shoh janë
vetëm “simpatizantë” të personaliteteve të caktuara. E them këtë sepse nga
asnjë subjekt politik nuk kam parë asnjë platformë apo një vizion të qartë. Nuk
kam parë asgjë të shkruar që do të mund ta cilësoja si kontratë me votuesin.
Ajo që kam parë janë vetëm fjalë të “THATA”. Dëgjoj fjalime të mbushura me
terminologji kinse patriotike dhe të mbushura me një terminologji që përdoret
që 20 e ma shumë vite nga figura të shpenzuara kombëtarisht dhe moralisht. E
çka është ma e keqja, bëhuni gati të dëgjoni edhe për blerje të votave te
pleqve dhe te plakave shqiptare në Plavë e Guci me parat e misionarëve të
kafeneve të diasporës. Sepse ai është niveli i atdhedashurisë dhe
kombëtarizimit të e të ashtuquajturave subjekte të veshura me emrin parti
politike që duan thjesht të rrinë në pushtet pa bërë atë që duhet e pa sjellë
ndryshimin që duhet. Mungesa e perspektivës ekonomike dhe e punësimit e rinisë
tonë në Plavë e Guci i shtyn ata që të rreshtohen në këtë formë organizmi. Kjo
ndodh sepse rina jonë për një vend pune fatkeqësisht rreshtohet dhe bahet
militante e partive të hallave, të dajave dhe të tezeve. Kështu partitë bëhen
klane familjare e nuk punojnë për interesin kombëtar. Dhe, natyrisht, koha
kalon dhe armiku arrin qëllimit të vet. E ndërkohë, ne merremi me vetveten,
mbesim të përçarë dhe mbeturinat hidhen sërish në fushën e shqiptarëve. Një rol
të madh po luan diaspora që po ndikon në vazhdimin e këtyre strukturave
familjare. Vlerësoj se diaspora nuk duhet të jetë dekor i subjekteve politike
apo i grupeve të interesit, jo pse me këtë tentoj t’ia mohoj ndokujt të drejtën
bazë të shprehjes së vullnetit të lirë. Këmbëngul në këtë pikë sepse vlerësoj
që specifikat e Plavë-Gucisë nuk mund të na dhurojnë një luks të tillë për t’u
bërë edhe ne në mërgim pjesë e ndarjeve apo e dobësimit të faktorit shqiptar në
vendlindje e në atë trevë. Plaga e rëndë e mërgimit e ka sjellë qënien dhe
ekzistencën e qënies shqiptare në rrezik në ato treva. Andaj diaspora që vjen
nga Plavë Guci duhet të ndihmojë vendlindjen me projekte dhe me investime e jo
me rreshtime klanore dhe partiake që vetëm ndikojnë në vazhdimin e gjendjes.
Nuk është e shëndetshme kjo situatë sepse kjo qasje e futjes së Diasporës në
rreshta partiakë e ka efektin e kundërt e negativ edhe këtu në SHBA. Sepse
ndasitë që lindin në Plavë e Guci reflektohen mbrapsht dhe kjo dobëson dhe
përçan edhe vetë diasporën tonë shumë të fuqishme numerikisht e materialisht.
Financimi i subjekteve të ashtuquajtura politike nga diaspora pa marrë parasysh
shumën e dhuruar për blerjen e votave nuk behet për çështjen kombëtarë. Kjo
bëhet për t’ua zgjatur jetën klaneve dhe grupeve lokale të interesit dhe
njëkohësisht është edhe përulje e subjektit ne fjalë para interesit te
individit të caktuar. Prandaj duhet që edhe në këto zgjedhje të shkojmë të
bashkuar, me mendësi tjetër, me program të qartë dhe duke mbajtur parasysh
interesat kombëtare në këtë trevë të rëndësishme dhe jetike për kombin.