Ermal Dobi: ” Ministria e Drejtësisë është lider në futjen e teknologjisë dixhitale”

671
Sigal

INTERVISTA/Zv/ministri i Drejtësisë: “Forcimi i përgjegjshmërisë, pavarësisë të gjyqësorit mbetet prioriteti kryesor i MD-së

Zoti Dobi, cili është vlerësimi juaj për raport-progresin për Shqipërinë, përsa i përket reformave që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe gjyqësorin?

– Raport Progresi në tërësinë e tij vlerëson se sistemi i drejtësisë ka patur progres të moderuar. Personalisht, jam i mendimit se ky progres mund dhe duhet të ishte më i madh nisur nga fakti, se disa nisma mjaft të rëndësishme ligjore, nisma me efekt të drejtpërdrejt në përmirësimin e efiçencës së punës së gjyqësorit, por, njëkohësisht dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimit që i ofrohet qytetarëve, të kthimit të besimit të tyre tek drejtësia apo luftën ndaj korrupsionit janë ndërmarrë vetëm brenda këtij viti. Por, nevojitet një angazhim dhe përkushtimi më serioz i të gjithë aktorëve pjesëmarrës në proces dhe sidomos i të gjitha forcave politike.

– Kritika e këtij raporti : “E rëndësishme mbetet të forcohet përgjegjshmëria, pavarësia dhe efikasiviteti i gjyqësorit”, çfarë detyrimi parashtron ndaj jush dhe politikës në përgjithësi?

– Forcimi i përgjegjshmërisë, pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit mbetet një prej prioriteteve kryesore të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë aspekt vlen të përmend rëndësinë e implementimit të plotë të strategjisë së reformës në drejtësi dhe planit të veprimit të saj (strategjia është miratuar në korrik 2011), zbatimi i suksesshëm i së cilës do sigurojë pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore. Por realizimi i këtij prioriteti, mbi të gjitha, kërkon vullnetin politik të palëve në proces.

– Çfarë keni parasysh kur përmendni vullnetin politik?

– Këtu kam parasysh vullnetin e forcave politike të përfaqësuara në parlament për shqyrtimin dhe miratimin në një kohë sa më të shpejt të këtij projektligji, i cili ka nevojë për një shumicë të cilësuar votash (3/5).

– Me gjithë reformat e realizuara deri tani në drejtësi e Gjyqësor,  përsa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Sipas jush, cilat janë arsyet?

– Duhet mbajtur në konsideratë që reforma në drejtësi është një proces i vazhdueshëm, i vështirë dhe kompleks. Duke qenë se gjatë këtyre viteve të fundit konsensusi parlamentar për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar votash ka munguar, MD u përqendruam kryesisht në ndërmarrjen e reformave, të cilat nuk e kërkonin këtë shumicë votash me qëllim  vazhdimin e mëtejshëm të tyre. Ndërkohë, mund t’ju them me plotë bindjen, se MD është lider në futjen e teknologjisë  dixhitale.

– Në përgjithësi, perceptimi i publikut për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave mbetet i ulët. Kjo ka të bëjë me paaftësinë profesionale të punonjësve, apo me mungesën e kuadrit ligjor?

– Kuadri ligjor që aktualisht ne kemi është i reformuar konform standardeve më të mira europiane. Në kuadër të reformave të fundit legjislative të ndërmarra përsa i përket sistemit gjyqësor, spikasin miratimi i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative”, ligji “Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare”  si dhe hartimi i draftit për Gjykatën e Lartë. Zbatimi i këtyre ligjeve në praktikë do të ofrojë garancitë e duhura për profilizimin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve që do të rekrutohen në to, por edhe rregulla të transparencës së veprimtarisë së tyre.  Tashmë me miratimin e ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare pritet ti jepet shtysë zhvillimeve të brendshme në pushtetin gjyqësor, duke i dhënë rolin që komuniteti i gjyqtarëve meriton, por edhe duke shmangur konfliktin e interesit të anëtarëve të KLD-së të zgjedhur prej kësaj Konference. Ndërkohë përpjekje të vazhdueshme janë bërë edhe për rritjen e kapaciteteve profesionale të të gjithë punonjësve të sistemit të drejtësisë nëpërmjet mundësimit të trajnimeve të vazhdueshme.  Më lejoni të përmend këtu, që në Raport Progres vlerësohet shumë pozitivisht dhe me nota shumë të mira puna e bërë nga Shkolla e Magjistraturës, sidomos në pasurimin e kurrikulave dhe temave të trajnimit që mundësohen nga ky institucion.

– Cilat janë ato reforma që ju keni ndërmarrë që të luftohet klientelizmi dhe korrupsioni  në drejtësi e Gjyqësor?

– Lufta kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor është e përqendruar në realizimin e shumë masave me karakter parandalues dhe ndëshkues.  Vlerësohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve ligjhartuese dhe institucioneve ligjzbatuese, të cilat nëpërmjet masave të tyre kanë bërë të mundur që lufta kundër korrupsionit është intensifikuar.  Ndërkohë në Raport Progres përmendet se heqja e imunitetit është një ndër masat më të rëndësishme të realizuara. Ashtu siç përmenda dhe më lart futja e teknologjisë dixhitale në sistemin e drejtësisë gjithashtu ka një impakt tepër të madh dhe të drejtpërdrejt në luftën ndaj fenomenit të korrupsionit. Një rol tepër pozitiv në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe kthimit të besimit të qytetarëve te drejtësia mendoj se do të luaj promovimi i gjyqtarëve dhe prokuroreve në bazë të një sistemi të qartë karriere dhe vlerësimi, bazuar në kritere të qarta dhe transparente si dhe largimi i gjyqtarëve dhe prokuroreve të korruptuar nga sistemi. Ndërkohë vetëm disa javë më parë Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë  kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi i cili synon bashkërendimin e punës midis inspektorateve të dy institucioneve, për qartësimin e kompetencave të tyre dhe në ushtrimin e monitorimit të veprimtarisë së gjykatave.

– Një nga përparësitë që duhet vlerësuar Ministria e Drejtësisë është se ka përparuar shumë në zbatimin e dixhitalizimit në shumë fusha e të veprimtarisë. Cilat janë risitë e dixhitalizimit, që ju po zbatoni tashmë ?

– Nisma më e re e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë, në kuadër të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë në tërësi, synon të instalojë në të gjitha gjykatat, sistemin e regjistrimit audio të seancave gjyqësore. Teknologjia e regjistrimit audio në gjykata mundëson regjistrimin e të gjithë komunikimit verbal që ndodh gjatë seancave gjyqësore dhe siguron ridëgjimin e mëvonshëm të këtij komunikimi, nëse do të jetë e nevojshme. Kjo teknologji ndihmon me efektshmëri procesin e një gjykimi të drejtë, i cili bazohet në komunikimin e plotë të ndodhur në seancat gjyqësore dhe jo thjesht në atë që mund të riprodhohet. Shfrytëzimi i saj mundëson rritjen e nivelit të transparencës gjatë seancave gjyqësore duke rritur aksesin e publikut në gjykata. Gjithashtu, një tjetër masë e realizuar me sukses gjatë muajve të fundit është krijimi dhe funksionimi i portalit elektronik të ankesave të qytetarëve ndaj gjyqtarëve i cili është instaluar në faqet zyrtare elektronike të MD-së dhe KLD-së, si dhe funksionimi i portalit të gjykatave (vvvvvv.gjykata.org.al), i cili paraqet informacion të plotë dhe në kohë reale për çdo çështje gjyqësore në çdo gjykatë të vendit. Gjithashtu, progres në dixhitalizimin e sistemit drejtësisë janë bërë edhe në drejtim të instalimit të sistemit on-line për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe dhënia e aksesit për noterët. Mbikëqyrja elektronike është një tjetër masë e realizuar në këtë drejtim.  Po kështu, edhe dixhitalizimi i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore civile, nëpërmjet sistemit ALBIS, përmirëson ndjeshëm respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

– Faleminderit!