Eriona Bixha: Është e patolerueshme që çmimi i ujit të pijshëm të rritet përsëri për qytetarët e Bashkisë Tiranë!

111

Sekretarja Organizative dhe ish këshilltarja e LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Eriona Bixha ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, në lidhje me rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

Në postimin e saj, Bixha paraqet një analizë të shkurtër të situatës së sotme të UKT-së dhe shërbimeve të saj si dhe shprehet që është e patolerueshme që paaftësia, vjedhjet dhe abuzimi t’iu faturohen sërish qytetarëve në rritjen e radhës të çmimit të ujit.

Postimi i plotë:

Çmimi i ujit të pijshëm rritet përsëri për qytetarët e Bashkisë Tiranë!

Në korrik 2017, grupi i këshilltarëve të LSI-së mbajti qëndrim të prerë dhe të qartë duke kundërshtuar rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 40% që iu faturua qytetarëve të Tiranës.

Edhe pse asokohe Erion Veliaj me grupin e këshilltarëve të tij ” të shitur e të blerë”, arriti t’iu merrte me shumë lekë nga xhepat qytetarëve të Tiranës.

Por, le të bëjmë një analizë të thjeshtë e të shkurtër situatës së sotme të UKT- së dhe shërbimeve të saj:
– Lidhjet e paligjshme vazhdojnë të jenë prezente, kryesisht nga bizneset e mëdha;
– Keqpërdorimi i ujit të pijshëm nuk është shmangur;
– Kryeqyteti vazhdon të furnizohet me ujë të pijshëm me orar madje në të shumtën e rasteve vuan me ditë të tëra mungesën e ujit;
– UKT vazhdon të ketë një performancë të dobët në mbledhjen e të ardhurave duke rritur ndjeshëm numrin e debitorëve.

Edhe sot me justifikimin se “performanca financiare e UKT- së nuk është e qëndrueshme” lind nevoja e dhënies së konçensionit të rradhës…

Eshtë e patolerueshme që paaftësia, vjedhja dhe abuzimi me shërbimet publike t’iu faturohet përsëri qytetarëve në rritjen e rradhës të çmimit të ujit!