Elbasan, padi penale për kreun e ALUIZNI-t. Qytetari:  “I ka legalizuar truallin tim një personi  tjetër”

485
Sigal

Drejtuesi ALUIZNI-t lajmëronte gjithmonë personin anonim,  për tërheqjen e lejes së legalizimit, një veprim sa antiligjor aq edhe korruptiv

Një fakt skandaloz  është bërë objekt i kallëzimit penal  ndaj drejtorit të degës së ALUIZNI-t në Elbasan, Kastriot  Gurra. Dy ditë më parë shtetasi Flamur Harri, ka dorëzuar në Prokurorinë e Elbasanit një padi penale ndaj kreut të ALUIZNI-t,  Kastriot Gurra  6 zyrtarëve vartës të tij, me pretendimin se, “kanë legalizuar në truallin tim të ligjshëm, duke bërë pronar një person tjetër, që nuk ka lidhje aspak me mua dhe pronat e mia”. Zoti Harri deklaroi për “Telegraf” se,  “e kam bërë këtë  kallëzim penal në adresë të Drejtorisë ALUIZNI-t të Qarkut  Elbasan, i shokuar  nga një njoftim në gazetën lokale “Info” për qytetarët që nuk  kanë tërhequr lejet për ndërtimet pa leje, ndër  të tjera, shikoj se në nr. rendor10 figuronte Fuat Ali Grada, (i ndjeri ka vdekur para pak muajsh), që ka bërë ndërtime pa leje pra të paligjshme në truallin e familjes  Harri”. Sipas zotit Harri,  “ky person ka bërë pas vitit 1992, shtesa dhe ndërtime pa leje në truallin tonë, për ta finalizuar në muajt mars, prill, maj të vitit 2014, duke bërë dhjetëra metra katrore ndërtime pa leje, në shkelje të ligjit”. Ndër të tjera, në kallëzimin penal ndaj drejtorit të ALUIZNI-t Elbasan thuhet se, “pronat e familjes Harri kanë një status të veçantë, pasi ato janë të konfiskuara për motive politike në vitin 1947 dhe na është kthyer me ligjin e të përndjekurve politikë. Për arsye  të veprimeve korruptive të pushtetarëve, prona është në një proces të tejzgjatur gjyqësor dhe  aktualisht çështja është në Gjykatën e Lartë. Përveç statusit politik, prona jonë ndodhet në  mes  të  Elbasanit dhe jo në  zona informale. Që nga viti 2005, kam vënë në dijeni drejtuesit e ALUIZNI-t  që të  mos  kryhet  asnjë  veprim  zyrtar  pa mbaruar procesi  gjyqësor.  Sa herë  janë ndërruar  drejtuesit  gjithmonë i kam vënë në  dijeni me shkresa  që  të mos bëhen legalizime të paligjshme.  Të njëjtën  gjë  kam bërë dhe me drejtuesin e ri Kastriot Gurra, i ardhur në krye të zyrës në vitin  2013”. Zoti Harri u shpreh se, “ky drejtues për habinë  dhe zhgënjimin tim, tim lajmëronte personin anonim,  për tërheqjen e lejes së legalizimit, një veprim sa antiligjor aq edhe korruptiv. Nisur nga këto veprime të dyshimta dhe legale, ai i ka  kërkuar  Prokurorisë  Elbasan, nisjen e hetimit për këtë  vepër penale të kryer nga drejtuesi ALUIZNI-t  Elbasan duke i vënë në dispozicion organit të akuzës dosjen dhe hartat e pronave të tij. Nga ana e saj Prokuroria dje paradite ka nisur fletë-thirrjet ndaj drejtorit ALUIZNI-t Elbasan,  Kastriot Gurra, duke caktuar si pikënisje të procesit  ballafaqimin me palën paditëse. Dega e ALUIZNI-t në  Elbasan, vitet e fundit ka qenë e përfolur  dhe e denoncuar  nga qytetarë dhe kryesisht  ish-pronarët për shkeljet dhe abuzimet e zyrtarëve  dhe ish-drejtuesve të saj. Në Prokurorinë e Elbasani ndodhen  mbi  200  dosje penale ndaj zyrtarëve të kësaj dege.

Tefik  OSMANI