Durrës, Rama inspekton 5 kantiere ndërtimi: Punimet, premisë zhvillimi

42

DURRES– Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot punimet në 5 kantiere ndërtimi në Durrës. Kreu i qeverisë tha se punimet janë premisë e zhvillimit europianizues të vendit, ndërsa shtoi se me këto kantiere po bëhet punë për aq sa nuk është bërë në 20 vite.
 
“Sot kemi përpara një zinxhir kantieresh që na bëjnë të ndihemi krenarë. Me këto kantiere, ne po bëjmë vitin e parë aq sa nuk është bërë në 20 sa i takon volumit të investimeve. Kjo punë dhe këto kantiere janë premisë e zhvillimit europianizues. Ndihemi mire përballë çdokujt që na besoi. Transformimi nuk është vetëm në infrastrukturë, po dhe ekonomik e kulturor. Nga një territor me plehra do kemi park dhe stacion modern. Rruga e plazhit ka nisur ndryshimi. Në hyrje të qytetit te Ura e Dajlanit përftohet një tjetër park i madh urban”, tha Rama.
 
Ndërkaq, kreu i qeverisë është ndalur edhe tek investimet e tjera në qytetin e Durrësit, të cilat do t’i japin zhvillim edhe turizmit.
 
“Rruga që lidh qytetin me plazhin po ashtu është në zhvillim. Faza e dytë çelet për pak javë, me një numër të madh kantieresh në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Transformimi që premtuam ka nisur. Vit pas viti në 4 vitet e para do u themi qytetarëve të Durrësit se sa largpamës ishte investimi i atyre që na besuan në 23 qershor. Për herë të parë ndërtohet një korsi biçikletash prej 7 km. Sheshi “Iliria” do kthehet në një atraksion turistik. Edhe vizitorët që vitin tjetër do ta prekin ndryshimin e madh të Durrësit”, tha Rama.