Dule: Politika ka dështuar në trajtimin e minoriteteve, debat me argumente

62

TIRANE– Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së ka theksuar se klasa politike shqiptare ka dështuar në bërjen e ligjeve dhe politikave për minoritetet në vend. Një deklaratë e tillë vjen disa ditë pas debatit të Dules me kryeministrin Rama mbi mungesën e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, gjatë interpelancës që kërkoi kreu i PBDNJ-së.
 
“Të drejtat e minoriteteve ka qenë gjithmonë një çështje e debatueshme. Jemi të hapur për debat në të gjitha nivelet, debat në të cilin duhet të mbizotërojë argumenti. Gjithmonë ka patur dhe do të ketë mendime të ndryshme, në vendin tonë që kemi objektiv integrimin në BE, udhërrëfyes është struktura evropiane nëpërmjet qëndrimeve e raporteve të tyre. Nuk ka një legjislacion bashkëkohor për minoritetin, kuadri ligjor për minoritetet mbetet i fragmentarizuar, dhe ky është një vlerësim që bën BE. Jemi përpjekur për të kultivuar marrëdhënie pozitive bashkëpunuese me pjesëtarët e shumicës, por kemi dështuar si klasë politike nga mungesa e vullnetit dhe e përvojës, që të shndërrojmë në realitet ligjor të drejtat e minoriteteve në standardet e BE. Pa krijuar këtë realitet ligjor s’mund të ruajmë marrëdhëniet e shkëlqyera ndëretnike që janë deri më tani”, tha Kryetar ii PBDNJ-së, Vangjel Dule.
 
Vangjel Dule organizoi një tryezë të rrumbullakët për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, teksa ka theksuar se “duhet një debat gjithëpërfshirës për këtë çështje, një debat që do duhet të sundohet me argumente dhe jo me batuta”.