Duka: Rama e përdori pushtetin me 4-5 të fortë

81
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, zhvilloi një takim me mbështetësit e PAA në Lushnjë, të cilët në këto zgjedhje kontributin e tyre do ta japin për Partinë Demokratike. Duka u bëri thirrje fermerëve të Lushnjës të votojnë për Partinë Demokratike, si të vetmen mundësi të mirë për ta. Duke folur në lidhje me programin e të djathtës për bujqësinë, si heqjen e akcizës së naftës për fermerët, garantimin e tregjeve dhe mbështetje të tjera financiare për ta, Duka tha se është edhe diçka tjetër që jo vetëm fermerët, por edhe çdo qytetarët shqiptar nuk duhet të pranojë qeverisjen nga krimi. “E ka përdor pushtetin me katër apo pesë burra të fortë. Edhe në Durrës. E ka ricikluar pushtetin përmes atyre duke u dhënë leje abuzive, duke u dhënë tenderë etj. Dhe ka thënë “ç’më duhen njerëzit e tjerë, sepse njerëzit janë bagëti dhe unë i blej sa herë dua”. Ai socialisti i vërtetë, i cili ka votuar përherë Partinë Socialiste, nuk ka përfituar as mirënjohjen dhe as respektin më minimal”, tha Duka. Ai u bëri thirrje edhe të majtëve me shumë sinqeritet, duke nënvizuar se Edi Rama i ka nëpërkëmbur. ”Edi, së bashku me emisarët e tij nëpër qarqe, besoj edhe këtu në Fier dhe në Lushnjë këtë punë ka bërë. Duhet t’u themi mjaft këtyre, sepse pushteti është i njerëzve dhe jo i katër-pesë personave që riciklikojnë para kriminale dhe vazhdojnë mbajnë pushtetin. Në fund të fundit unë nuk mund të pranoj, refuzoj që fëmijët e mi të vazhdojnë të riciklohen me pushtet kriminal. Nuk është problemi se i qëndrova thjeshtë Bashës, por i qëndrova vetes time, familjes time. Dhe mendoj që nëse ne të gjithë jemi bashkë ai burri do të ikë andej nga erdhi sepse për këtë na kanë dhënë një dorë të fortë edhe ndërkombëtarët”, tha ndër të tjera Duka. Të pranishën në këtë takim ishin edhe kryesuesi i listës së Fierit për PD, Enkelejd Alibeaj, i cili bëri një përshkrim të programimit të demokratëve për qeverisjen e vendit katër vitet e ardhshme, si dhe kandidati Olsi Çukaj.