Droga dhe roli i agjencisë doganore

247
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hetuar lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës, ku janë marrë në cilësinë e të pandehurve 19 doganierë të Portit të Durrësit. Nën hetim, sipas burimeve nga organi i hetimit, është përfshirë edhe agjencia “Ujori shpk”, e cila drejtohet nga bashkëshortja e kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Sipas prokurorëve, ka qenë pikërisht kamioni i përpunuar nga kjo shoqëri, që ka ndryshuar destinacion dhe ka kaluar përmes doganës së Durrësit pa iu nënshtruar kontrollit drejtë vendit fqinj, ku edhe është pikasur. Për trafikimin e 8 tonëve hashash, në materialin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se agjencia doganore, që ka kryer procedurat e tranzitimit në Shqipëri të kamionit që vinte nga Maqedonia dhe që është bllokuar në Itali, rezulton se është në pronësi të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, Xhuljana Sejdini. Agjencia doganore “Ujori”, fillimisht në doganën shqiptare ka deklaruar se kamioni me drejtues Stanojoskin, kishte si destinacion dalje nga Shqipëria pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Por rreth mesditës së datës 5 shkurt 2017, i arrestuari Kadilli i është drejtuar doganës shqiptare, me një kërkesë, duke kërkuar ndryshimin e destinacionit të kamionit.