Drejtorët, të trepunësuar, marrin rroga në tre bordero

74
Tashmë, jo vetëm ministrat, zv/ministrat, apo drejtorët e drejtorive, por edhe drejtorët në rrethe janë të trepunësuar, pra marrin para dhe rroga të majme nga posti që mbajnë, plus edhe nga vende të tjera pune, që janë sikur të ishin “anëtarë bordi, anëtarë komisionesh, apo edhe lektorë të jashtëm”. Një fjalë e urtë thotë “shikon rrushi-rrushin dhe piqet”. Duke parë shefat e tyre në Tiranë dhe duke mësuar fakte, sipas të cilave “veç rrogës së postit ata merrnin edhe 2-3 rroga të majme nga universitetet, bordet ekzekutive dhe komisionet e tjera” edhe drejtorët e rretheve, duket mbeten pas tyre.
Çdo drejtor rajonal me 3 rroga, sikurse edhe shefat e tyre nëpër ministri
Drejtorët kanë nisur të kenë oreks të shtuar, sidomos në para. Kudo që ata drejtojnë në OSHEE, Ujësjellës, Arsim, Shëndetësi, Bujqësi, dhe pothuajse në të gjitha institucionet e tjera të shtetit, nuk gjen një të tillë të mos marrë e pakta 3 rroga mujore, vlera e të cilave arrin deri 4 milionë lekë. Një shkelje e pastër e ligjit dhe e Kodit të Punës, një zhvatje e pastër e parave të taksapaguesve të thjeshtë. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, drejtorët kanë bërë ortakë dhe “bashkëpunëtorë” në punët e tyre edhe familjarët dhe farefisin. Drejtoritë dhe zyrat e institucioneve janë mbushur me njerëzit e tyre të afërt, me motra, vëllezër, krushqi, miq e shokë, duke i katandisur institucionet sikur të ishin çifliqet e tyre. Një shpërdorim flagrant i financave shqiptare, duke paguar me miliona lekë çdo muaj drejtorë dhe farefisin e tyre. Gazeta “Telegraf” ka mësuar fakte të pakundërshtueshme nga burime të besueshme zyrtare, nga shefa financash dhe punonjëse të Degëve të Thesarit, mbi pagesat e majme që mbushin çdo muaj xhepat e pafryrë me para të një grushti drejtorësh në rrethe, e duke lënë në mjerim qindra e qindra familje që nuk kanë bukë të hanë. Këto fakte skandaloze i dinë edhe ministrat e linjës, edhe zv/ministrat, edhe drejtorët e drejtorive në këto dikastere, por askush nuk ndjehet, askush nuk merr masa, pasi edhe vetë janë të zhytur në llumin e zi. Drejtorët në rrethe do t’i gjesh anëtarë bordesh, duke nisur nga portet, bordet e kullimit, kantieret e ndërtimit, spitalet e duke përfunduar në universitetet publike, nga ku ata marrin prej tyre çdo muaj rroga të majme.
Titullarët në qeveri e dinë, por heshtin
Gjithçka duket si një masë betoni e padepërtueshme, si një sistem i përforcuar që brenda, ka një grusht njerëzish që ka përfituar poste të pamerituara dhe që po bëhen milionerë me para të pamerituara. Kryeministri i vendit, zoti Rama, ka marrë së fundi sinjalizime rreth këtyre skandaleve financiare, por deri sot, edhe pse ka shpallur “40ditëshin e sqarimit të qytetarëve për punët e bëra dhe të pabëra të qeverisë”, duket se nuk ka ndërmend të ndëshkojë askënd nga ata që nën “hundën” e qeverisë po bëhen agallarët e rretheve. Si ka mundësi që skandale të tilla nuk kanë rënë në sy edhe nga koordinatorët e rretheve, që PS i ka të “deleguarit” e kësaj partie me mandat deri në zgjedhjet e vitit 2017? Si mundet që organet kompetente apo Auditi KM, të mos veprojë publikojë dhe të mos ndëshkojë celulat e milionerëve, që kanë mbushur xhepat me para korrupsioni dhe, së fundi, edhe me para nga taksapaguesit shqiptarë? Duket sikur gjithë administrata e shtetit është e tre punësuar dhe çdo muaj, çdo zyrtar i saj dhe çdo drejtues, mbush xhepat me milionat e pamerituara. 
Hetimi i thjeshtë: Verifikoni, në sa bordero firmosin drejtorët për rrogat e tyre
Nuk është nevoja as për Task-Forcë, as për ekipe dhe grupe speciale hetimore, mjafton të verifikohen borderotë e institucioneve dhe do të shikosh të njëjtat emra në 3-4 vende, që paguhen në mënyrën më të paligjshme. Në të gjitha rastet, kur media është interesuar të dijë arsyet se “përse një drejtues, apo zyrtar i lartë vendor paguhet me 1 milion lekë nga ju? Kur ai ka një post tjetër difinitiv”, përgjigja ka qenë komprometuese: “e kam mik, kam detyrime ndaj tij”. Duke përdorur në të gjitha rastet shprehje të tilla justifikuese, me sens banal dhe denigrues për një drejtues, që shpërdoron milionat e shtetit, duke bërë ndere të tilla, bindesh se shqiptarët kanë shumë të drejtë që kërkojnë të ikin nga sytë-këmbët nga ky vend. Papërgjegjshmëria dhe makutëria, banaliteti dhe babëzia janë veset dhe parimet bazë të ekzistencës së kastës së maskarenjve dhe të korruptuarve serialë, që kanë zaptuar institucionet e shtetit sot pothuajse në të gjitha rrethet e vendit. Me këta njerëz qeveriset sot vendi, me këta shushunjëza bëhen sot tenderat e investimeve publike dhe zhvaten milionat e shqiptarëve, ndoshta ky është edhe morali në praktikë i “Rilindjes”, që ne e kuptuam me vonesë. 
ILIR DURMISHI