Dr. Koço Danaj: Politikanë e zyrtarë të lartë shqiptarë – agjentë shërbimesh sekrete

580
Politologu ekspert për çështjet e Ballkanit, Dr. Koço Danaj, në intervistën për gazetën “Telegraf”, argumenton se regjizorët e skenarëve të njëkohshme të vrasjeve në Shqipëri dhe Kosovë, janë synimet e politikës ruse për të depërtuar në Shqipëri. Z. Danaj bën fajtore politikën shqiptare, pasi deklaratat e Xhon Kerrit se Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi janë në vijën e parë të synimeve rusomëdha për të depërtuar në Ballkan, u morën me lehtësi nga politika shqiptare në Tiranë, sepse ‘gdhihen’ proamerikanë dhe të ‘ngrysen’ rusofilë. Z. Danaj, duke iu referuar edhe takimit të përbashkët të qeverive Tiranë-Prishtinë, shprehet se është i gabuar të përdoret nocioni, që shqiptarët janë një popull. E vërteta është, shprehet zoti Danaj, se shqiptarët janë “një komb”, të copëzuar në 5 shtete. Si një ekspert i çështjeve ballkanike, z. Danaj pohon se do të ishte shumë e gabuar që Kuvendi dhe qeveria e Kosovës të pranojnë Gjykatën Speciale për krimet e UÇK-së, sepse “Nëse Kuvendi i Kosovës do të lejojë që gjykata të emërtohet si “Gjykata Speciale për krimet e ish UÇK”, atëhere ky institucion duhet të shkojë dhe të zhvarrosë nga varri të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e UÇK dhe t’i “vrasë për herë të dytë”.
Kristalizohet synimi rus për të depërtuar më shumë në Shqipëri, si vënd anëtar i NATO
– Zoti Koço, përse ndodhën ngjarjet e fundit në Shqipëri, ku u përfshinë të gjithë politika dhe mediat deri tek opinioni publik per një muaj të tërë?
– Po tani kemi mundësi të ngrihemi mbi tregimet, akuzat, mbi luftën politike për pushtet, mbi vidiot dhe pohimet e kundërpohimet etj. Pra, mund të bëjmë një analizë të ftohtë në interes të vëndit, por edhe të kombit. Them të kombit, sepse një “skenar vrasje” politike me “porosi”, u zbardh edhe në Kosovë. Atëhere mund të konkludojmë fillimisht me një fjali: Të “gdhihesh” proamerikan dhe të “ngrysesh” rusofil!!. Le ta zbërthejmë fjalinë: Duket se deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri se Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi janë në vijën e parë të synimeve rusomëdha për të depërtuar në Ballkan, u morën me lehtësi nga politika shqiptare në Tiranë. Tash, pas ngjarjeve të fundit me porositës vrasjesh, me hetime dhe acarim të tejskajshëm të atmosferës politike, por edhe pak civile, përtej pohimeve, apo deklaratave, përtej sensacioneve të “bujshme”, po kristalizohet synimi rus për të depërtuar më shumë në Shqipëri, si vënd anëtar i NATO. Ja disa fakte:
1. Deklaratat e menjëhershme të ambasadës së SHBA, pas vendimit për të përjashtuar një deputet dhe mbrojtja që i bëri menjëherë gazeta kryesore e Moskës pro Putinit, duke sulmuar ambasadën amerikane në Tiranë, është një tregues shumë domethënës.
2. Analiza e gazetës më të madhe amerikane “Nju York Tajms” lidhur me këto ngjarje, është shëmbulli i dytë.
3. Anashkalimi i kësaj përplasje ruse – amerikane nga politika e majtë dhe e djathtë, si dhe nga pronarët e mediave të Tiranës, janë një dëshmi tjetër. Askush nuk u mor gjërësisht me këtë përplasjë dhe pasojat, që mund të ketë për Shqipërinë. Thjesht përplasja u trajtua si një kronikë e rëndomtë.
E pra, të gjitha këto tregojnë se disa politikanë dhe media televizive apo të shkruara, në vitet 90-të e filluan pluralizmin politik si proamerikanë të “thekur”, ndërsa sot po e vazhdojnë karierën e tyre si “rusofilë të fshehur”. Duket se rryma proruse, që e merr forcën në rrogancën e Putinit dhe simpatinë e mjaft politikanëve për t’i ngjarë atij, që i merr “fuqitë” në mjediset e hoteleve luksoze të Budvës në Mal të Zi, apo në nostalgjinë ruse të para viteve 90-të. Ky është një rrezik i madh për të ardhmen e Shqipërisë, që duhet përballuar me dinjitet dhe seriozitet. Përfundimisht, në gjithë këtë “teatër absurd”, politikanët dhe mediat shqiptarë kanë qënë në rolin e ushtarëve dhe ndonjë “kali, apo kapiteni”, “Shahun” e luajtën të tjerët. Na duhet vetëm që të falënderojmë SHBA ,e cila e fitoi “lojën” përballë synimeve ruse.
– Sa janë të interesuara politikat nacionaliste të fqinjëve tanë, serbë dhe grekë, që politika shqiptare, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, të jetë në përçarje, në tension?
– Gjithmonë serbët dhe grekët ushqejnë politikat dhe punojnë shumë që shqiptarët të jenë të përçarë, dhe ky është synimi kryesor i shërbimeve sekrete të vëndeve fqinj. Por mjerisht ne kemi një shërbim sekret ineficent. SHISH-i nuk mund të na thotë dot se sa politikanë shqiptarë, sa qytetarë publikë shqiptarë janë agjentë të këtyre shërbimeve sekrete. Le të shërbejë kjo ngjarje, që edhe shërbimi sekret shqiptar të rikonceptojë veprimtarinbë e tij.
– Pse u përjashtuan politikanët shqiptarë nga bisedimet, që po zhvillohen në Bruksel, lidhur me kapërximin e krizës në Maqedoni?
-Të bësh negociata, kur ka një krizë, kjo është normale. Për më tepërm kur këto negociata i zhvillon BE. Por të bësh negociata me dy parti, që përfaqësojnë 60 për qind të qytetarëve të vëndit dhe të përjashtosh dy parti të tjera, që përfaqësojnë 40 për qind të qytetarëve, kjo është cinizëm, shovinizëm, përbuzje etj etj. Mjerisht këtë po bën BE-ja. Mjerisht këtë po pranojnë edhe BDI edhe PDSH. Me këtë që po ndodh, është fare e qartë, ashtu si drita e diellit, se politikanët shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë, se politikanët shqiptarë në politikën e Maqedonisë, nuk janë asgjë tjetër veçse argatë, shërbëtorë. Ose, në mënyrë figurative, ata janë “sallata jeshile” e një pjate me “peshk, apo fileto viçi”. Shumë fyese. Por shumë reale.
-Çfarë duhet bërë?
-Thjesht vetëm një veprim. Dalja e BDI nga qeveria, krijimi i opozitës etnike me të gjitha faktorët shqiptarë. BE, së bashku me Gruevskin e Zaevin, padashur u dhanë shqiptarëve një argument të jashtëzakonshëm në dorë. 
– Cili është ai? 
– Tashmë shqiptarët i kanë të gjitha të drejtat dhe argumentat të kërkojnë të shkëputen nga shteti, që nuk i njeh si qytetarë, por i pranon si “shërbëtorë”. Ndërsa Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi “nuk kanë pse të vdesin për Maqedoninë”. Po të kenë pak patriotizëm modern shqiptar, ata duhet të “jetojnë” për të bashkuar shqiptarët e Shqipërisë Lindore në FYROM, me trungun e tyre, Shqipërinë. Le ta mbyllin me nder karrierën e tyre politike, të cilën deri tani e kanë për faqe të zezë. Ndërsa Brukseli, me takimin që po bën me Zaevin e Gruevskin, tregon se vazhdon të mbetet një “Klub i Krishterë”.
– Si e vlerësoni mbledhjen e dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë?
-Pozitive në sensin e së ardhmes. Por ka nevojë edhe për vërejtje, edhe për sugjerime. Për shëmbull. Ndoshta nga padituria, ndoshta nga nxitimi, ndoshta nga hezitimi, sllogani kryesor që binte në sy në mbledhjen e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, ishte: “Një popull, një territor, një ëndërr”. Pa hyrë në analizën e dy nocioneve të tjera, me të cilat do të merrem një herë tjetër, sot do të merrem me nocionin “Një popull”. E thashë edhe më lart, arsyet mund të jenë shumë, por përdorimi i këtij nocioni është i gabuar. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Çamëri, Shqipërinë Lindore në Maqedoni, Luginë të Preshvës, Ulqin, Tuz Plavë e Guci, nuk janë një popull. Ata janë një komb, por mjerisht i coptuar nga Londra 1913. Por çfarë ndryshimi ka nocioni “popull” me nocionin “komb” mund të thotë dikush, apo shumëkush? Ka shumë:
– Sot në Europë janë tre grupe të mëdha popujsh, popujt sllavë, latinë dhe gjermanikë. Por brenda tyre janë me dhjetra kombe. Brënda sllavëve është kombi rus, serb, kroat, polak, sllovak etj etj. Brenda latinëve janë kombi francez, spanjoll, italian, rumun, portugez etj. Brenda gjermanikëve janë kombi gjerman, suedez, danez, austriak etj, etj.
– Të pranosh se shqiptarët janë thjesht një popull, do të thotë t’u japësh të drejtë përkrahesve të “kombit kosovar” në Prishtinë, do të thotë t’u japësh të drejtë shqiptarëve në Maqedoni të “shpikin” edhe ata një komb tjetër, do të thotë, të lësh “jetimë” shqiptarët në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, do të thotë të “varrosësh përfundimisht Camërinë”.
– Përfundimi është i thjeshtë: Shqiptarët janë një komb. Por janë një komb i coptuar në 5 pjesë. Detyra jonë është që këto pjesë t’i bashkojmë në një të vetme. Qytetarit të thjeshtë i lejohet edhe të ngatërrojë nocionet “popull” dhe “komb”. Por politikanit, të çdo rangu qoftë, nuk i lejohet një gjë e tillë. Nocionet nuk janë formuluar për t’i ngatërruar qoftë edhe pa dashje, por për t’i respektuar me detyrim dhe rigorozitet qoftë edhe kur i përdor si sllogan mbledhje qeverie.
Nëse Kuvendi i Kosovës do të lejojë krijimin e “Gjykata Speciale” për krimet e ish UÇK”, atëhere do të rivrasë heronjtë dhe dëshmorët e saj
– Po bëhet shumë zhurmë në Kosovë lidhur me atë që quhet krijimi i Gjykatës Speciale për krimet e Luftës së ish-UÇK. Cili është qëndrimi juaj?
– Nëse pranon krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës së UÇK-së, ky është ndoshta problemi më i madh përballë politikës shqiptare, përballë asaj që ju e quani “elitë”, përballë atij që unë e quaj opinion publik shqiptar. Është një skandal i vërtetë, është një “krim demokratik” , është njësoj sikur të ringrësh nga varri dhe të rivrasësh edhe njeherë Adem Jasharin, Agim Ramadanin, Sali Cekun, Iliaz Kodrën, Ismet Jasharin, Fehmi Lladrovcin, etj, etj.
Pse e them këtë? A e dinë zotërinjtë e Perëndimit Europian se UÇK në 19 shtator 1999, pushoi së qëni edhe si emër. A e dinë ata se pas kësaj date, kemi një emër tjetër, TMK? Çfarë krimesh do gjykojnë ata, që sipas tyre janë kryer nga UÇK? Do të gjykojnë si krime “paçavuret” e antishqiptarit të përbetuar Dik Marti? Do të gjykojnë si krim pse UÇK luftoi kundër ushtrisë Jugosllave? Do të gjykojnë si krim pse në luftë janë vrarë edhe serbë, apo edhe shqiptarë, që u bashkuan me sërbët? Për çfarë e kanë fjalën? Për vrasje të ndodhura pas luftës? Po, do të thotë dikush. Bukur. Por, a e dinë këta zotërinj se pas luftës nuk kishte më UÇK? Po përsëri dikush mund të thotë se këto vrasje i kanë kryer njerëz ,që dikur kanë qënë në UÇK. Dakord. Po pse nuk thoni më thjesht: Gjykatë për krimet e kryera pas luftës. Por këtu qëndron djallëzia, diabolizmi, shovinizmi , urrejtja ndaj emblemës “UÇK”. Lobi prosërb dhe prorus në BE kërkon të hakmerret ndaj UÇK. Mjerisht në ndihmë të tij janë sot politikanët shqiptarë, disa media shqiptare, disa analistë shqiptarë. Ndërkaq, problemi është i thjeshtë. Doni Gjykatë? Po. E doni Speciale? Po. E doni për “x” ndividë, që kanë kryer vrasje? Po. Dakord. Por kurrë, për mua dhe për të gjithë ata shqiptarë, që e urrejnë shovinizmin sërb, pra kurrë, nuk duhet lejuar që në emrin e kësaj Gjykate, të figurojë emri i pavdekshëm “UÇK”. E përsëris kurrë. Nëqoftëse Kuvëndi i Kosovës do të lejojë që Gjykata të emërtohet si “Gjykata Speciale për krimet e ish UÇK”, atëhere ky Kuvënd duhet të shkojë dhe të shvarrosë nga varri të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e UÇK dhe t’i “vrasë për herë të dytë”.
-Faleminderit!
Sigal