Dr. Arion Muçaj: “Problematika e rrjetit rrugor të Levanit, tregon që firma “Tadini” nuk zbaton projektin”

556
Sigal

INTERVISTA/ Dr. Arion Muçaj, deputeti i PS-së: “Infrastruktura lidhëse rrugore lokale me autostradën ose është mjaft e dobët ose mungon fare”

Shembja e masivit të dheut në autostradën e sapoinauguruar Levan-Poçem, dëshmon që firma ndërtuese “Tadini” nuk ka zbatuar projektin dhe prokuroria duhet të veprojë menjëherë, në mënyrë që dëmet t’i paguajnë fajtorët dhe jo taksapaguesit shqiptarë. Deputeti i PS-së, Dr. Arion Muçaj, në intervistën për “Telegraf” analizon dhe shpjegon shkaqet dhe përgjegjësitë e kësaj katastrofe nga firma italiane “Tadini” në ndërtimin e autostradës Levan-Tepelenë.

– Zoti Muçaj, shembja e masivit të dheut në autostradën e re Levan Tepelenë, mund të vlerësohet për arsye natyrore?

– Ajo çfarë ka ndodhur në aksin rrugor Levan – Tepelenë, në qafën që lidh Poçemin dhe Fratarin, vetëm pak muaj nga inaugurimi i këtij segmenti nga z.Berisha, tregon fare qarte fatin se çfarë ka ndodhur me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe cilësinë jashtëzakonisht të dobët të punimeve për ndërtimin e këtyre rrugëve nga firma ndërtuese italiane “Tadini”, por edhe e mungesës të kontrollit shtetëror. Rrëshqitja e një masivi dheu në qafën e Poçemit, në superstradën e sapo përfunduar nxori në pah cilësinë shumë të dobët të punimeve të kësaj rruge. Argjinatura mbrojtëse e rrugës, e cila në pamje të parë dukej një masiv jashtëzakonisht i madh betoni deri në disa metra, e parashikuar për të përballuar pikërisht shkarje të masiveve të dheut, rezultoi të ishte në të vërtetë një argjinaturë false betoni vetëm disa centimetra dhe e mbushur në pjesën e brendshme të saj vetëm me dhe, duke treguar kështu përmasat e papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit. Vetëm fati ka shpëtuar makinat që udhëtonin në atë moment në këtë aks, çka do të përbënte një fatkeqësi të madhe, por të radhës, në vazhdën e fatkeqësive që vazhdojnë të shkruhen në historinë e përditshme të kësaj rruge. Kjo ndodhi tregon qartazi se firma italiane “Tadini” nuk ka zbatuar kushtet teknike të projektit.

– Karakteristikë në ndërtimin e autostradave është kohëvonesa. Cilat janë pasojat?

– Është rritur në disa raste pothuajse 2-fish kostoja e ndërtimit të këtyre rrugëve. Vonesat në disa vjet e ndërtimit të këtij aksi rrugor, do të sjelle rritje të kostos edhe për shkak të rritjes së çmimeve pothuaj 2 – fish të materialeve inerte, të bitumit dhe  karburanteve. Po kështu bankat financuese kanë rritur termat e kredisë për shkak të krizës financiare aktuale botërore. Vonesa në realizim si pasojë e shtyrjes së projektit, ka sjellë mosrealizimin e përfitimeve ekonomike në buxhet dhe ekonomi, për shkak të moszhvillimit të pritshëm në kohë të sektorëve të Transportit, Bujqësisë, Turizmit dhe Industrisë së kësaj zone, të cilat kapin shifrat e qindra milion euro.

– Hartimi i projekteve të kësaj autostrade, sa ka marrë në konsideratë perspektivën dhjetëravjeçare të zhvillimit të zonës?

– E vërteta është se në mjaft raste hartimi i projekteve nuk ka pasur të vlerësuar seriozisht të gjitha këto efekte. Më tej, me fazën e tenderimit. Klientelizmi për firmat sipërmarrëse, për efekte korruptive, ka sjellë në disa raste shtyrjen e procesit të fillimit të punimeve, kosto më të larta se ato reale për ndërtimin e rrugëve, cilësi të dobët të punimeve, shmangie dhe anulim të shumë projekteve lidhëse të infrastrukturës lokale me autostradën. Kostot vazhdojnë të rriten me miliona euro, qytetarët janë ata që do të paguajnë këto kosto.

– Ju si e vlerësoni infrastrukturën lidhore të rrugëve lokale me autostradën?

– Infrastruktura lidhëse rrugore lokale me autostradën ose është mjaft e dobët ose mungon fare. Kjo ka sjellë vështirësi në lëvizjen lokale të mjeteve dhe mekanikës bujqësore, pasi nënkalimet janë fare të rralla, janë nënkuotë dhe për një periudhe disa mujore janë të përmbytura duke e bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve, mekanikës bujqësore, por edhe të blegtorisë. Po kështu, mbikalimet për qarkullimin e këmbësorëve janë të rralla, ose mungojnë fare, madje edhe në qendrat e banuara, ç’ka i ka vendosur qytetarët përballë rreziqeve të përditshme nga aksidentet. Vlen të theksohen se në të gjithë gjatësinë e këtij aksi rrugor nuk ka asnjë mbikalim. Është e pamundur të mos shikosh sot, përgjatë lëvizjes në këtë aks, qytetar, gra, fëmijë dhe të moshuar, të orvaten të kalojnë bordurat e autostradës. Disa prej tyre nuk mund t’ia dalin, bëhen pre e aksidentit.  Dramatik ishte fati i një vogëlushi 6- vjeçar, në fshatin Gorishovë të Komunës së Cakranit, i cili në përpjekje për të kaluar rrugën, humbi jetën. Të përjavshme janë fatkeqësitë e kësaj natyre, në këtë aks vetëm për shkak të mungesës totale të mbikalimeve për banorët e këtyre zonave. Kjo infrastrukturë lidhëse e domosdoshme, nesër do të ketë një kosto disa herë më të lartë për tu realizuar, sesa në rastin kur merret në konsiderate dhe ndërtohet me cilësi në fazën e ndërtimit të rrugës.

– Shembja e masivit të dheut, a mund të shpjegohet me mungesën e sistemit të qarkullimit të ujërave, parametra të domosdoshëm në projektin e autostradave?

– Është mjaft i dobët  dhe pothuajse në disa raste mungon fare sistemi që ruan qarkullimin e ujërave kullues dhe vaditës, për të dyja anët e tokave bujqësore që ndan autostrada. Përkundrazi autostrada, për këtë arsye, është kthyer në një barrierë për qarkullimin e këtyre ujërave, duke kthyer sipërfaqe të mëdha toke në moçalishte apo duke ndikuar në përmbytjen e sipërfaqeve të tëra toke bujqësore në stinën e reshjeve. Fermerëve u kanë rënë rendimentet e prodhimit të kulturave bujqësore, madje në disa raste u është prishur i gjithë prodhimi për shkak të përmbytjeve, që ka shkaktuar prishja e sistemit të qarkullimit të ujërave, pas ndërtimit të autostradës.

– Ka zëra që firmat sipërmarrëse janë përdorur karriera për nxjerrjen e inerteve dhe kantiere për përpunimin e tyre të pamiratuara. Sa e vërtetë është?

– Miliona tonelata materiali inert janë nxjerrë nga kodrat dhe shtratet e lumenjve, të pamiratuara, si pasojë e një shfrytëzimi pa asnjë kriter dhe barbar, me pasoja mjaft të mëdha në mjedis, erozionin e tokave dhe dëmtimin e shtratit të lumenjve. Firmat sipërmarrëse  kanë dorën e lirë dhe janë totalisht jashtë çdo lloj kontrolli nga strukturat e shtetit, vendore apo qendrore duke shfrytëzuar barbarisht karierat e inerteve, ku të munden, pa asnjë kufizim. Pasojat kalojnë çdo lloj parashikimi. Shtrati i lumit Vjosë është dëmtuar rëndë, argjinaturat mbrojtëse ekzistuese, janë dëmtuar rëndë apo kanë dalë jashtë funksionit. Argjinatura të reja mbrojtëse duhen ndërtuar në kilometra të tërë përgjatë gjithë shtratit të lumit.

-Kjo ngase vjen?

– Mungesa e kontrollit ndaj firmës ndërtuese të autostradës. Lumi do të vazhdojë të rrëmbejë dhjetëra ha tokë bujqësore, përgjatë shtratit të tij, të shkaktojë përmbytje të shpeshta dhe të pazakonta në vitet e fundit, duke shkatërruar të gjithë prodhimet bujqësore të këtyre zonave. Madje shtëpi apo edhe fshatra sot janë të rrezikuara nga forca gërryese dhe përmbytëse e Lumit. Këtë fat kanë sot qindra ha tokë bujqësore, në fshatin Varibop të Komunës së Cakranit, fshatit Kashisht të Komunës së Frakullës, apo fshatra të tërë në zonën e poshtme të Komunës së Levanit. Qytetarët shqiptarë janë të vetmit që paguajnë. Fajtore është qeveria, që ka vonuar realizimin e këtyre projekteve për disa vite, duke rritur kostot e këtyre kredive financuese, pagesat e të cilave dalin nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Fajtore janë firmat fantazmë, të cilat vazhdojnë të kënaqin interesat korruptive. Fajtore janë strukturat shtetërore qendrore dhe lokale, jo vetëm që nuk mbikëqyrin realizimin e projektit, për të mbrojtur çdo të drejtë njerëzore dhe çdo vlerë të projektit.

– Faleminderit!