Dorëheqja e Naços, Meta: E vlerësoj, akt i përgjegjshëm qytetar

502
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke iu përgjigjur interesit të medias mbi dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço ka deklaruar se këtë veprim e vlerëson si “një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm”, të një qytetari që sipas tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë gjithë kësaj periudhe, “në të mirë të qeverisjes dhe të reformave”.
“Por njëkohësisht, me këtë akt ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh, më të gjerë dhe në nivel të ri, për të çuar përpara gjithë reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë”, ka thënë Meta. 
Kryetari i LSI-së ka nënvizuar se nuk i njeh arsyet e dorëheqjes së Naços, duke ftuar gazetarët që t’i drejtohen zyrës së marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Drejtësisë për të zbardhur letrën e tij. 
“Unë jam për të gjykuar politikisht veprimin e tij dhe natyrisht që besoj se emri i ri që do të propozojë kryeministri do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë e më të ri”, ka thënë Meta.
Sigal