Totozani rekomandim Ramës për të drejtat e policëve të burgjeve

568
Avokati i Popullit i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama, një rekomandim për marrjen e masave të nevojshme për respektimin e të drejtave ligjore të punonjësve të policisë së burgjeve. Ky rekomandim i është drejtuar më parë edhe ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave, por meqënëse nuk ka pasur asnjë reflektim mbi to, nga ana e këtyre institucioneve Avokati i Popullit i është drejtuar edhe kryeministrit të vendit.
Në këtë rekomandim sqarohet se: 
“Në institucionin e Avokatit të Popullit kanë bërë ankesë një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve. Ankuesit shkruajnë se punonjësve të Policisë së Burgjeve po u shkelen të drejtat e garantuara nga ligji dhe aktet nënligjore të cilat rregullojnë veprimtarinë e kësaj strukture. Ndërkohë ata parashtrojnë disa nga problemet që hasen në punën e përditshme të punonjësve të Policisë së Burgjeve të cilat janë: – Nuk paguhet shtesa e pagës për oficerët e policisë që transferohen me shërbim jashtë rrethit. – Punonjësit e Policisë së Burgjeve nuk e kanë marrë uniformën që prej 5 vjetësh. – Atyre nuk u jepet ushqimi që prej 10 vjetësh. – Orët shtesë, të cilat në disa sektorë shkojnë deri 12 orë në ditë, nuk u paguhen dhe ndërkohë ato nuk kompensohen me pushim. – Nuk paguhet leja vjetore e pa kryer për nevoja pune. – Nuk paguhet vjetërsia në punë, me përjashtim të 3 viteve të fundit. Ankuesit ngrenë edhe shqetësimin që u krijohet nga aktet normative në fuqi, për trajtimin jo të barabartë të tyre me punonjësit e Policisë së Shtetit. Ata paguhen 30 % më pak se punonjësit e Policisë së Shtetit ndonëse kushtet e punës i kanë jo të mira, për të mos thënë më të këqia. Gjithashtu, në këtë ankesë ata ngrenë edhe problemin e ndryshimit të strukturës organike, duke shtuar numrin e punonjësve të Policisë së Burgjeve në disa sektorë shërbimi, ku kryerja e detyrës ka shumë vështirësi. Avokati i Popullit i është drejtuar edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për këto probleme dhe në përgjigjen e tyre konfirmohet se shumica e problemeve dhe e shqetësimeve të ngritura nga punonjësit e Policisë së Burgjeve janë të vërteta dhe qëndrojnë. Në përfundim të shqyrtimit të kësaj ankese, të përgjigjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe nga verifikimet e bëra nga institucioni ynë në disa IEVP në vend, arritëm në konkluzionin se mos dhënia e uniformës punonjësve të Policisë së Burgjeve për 6 vjet, mos dhënia e ushqimit për 9 vjet, mos dhënia e lejes vjetore, mos kompensimi me pushim për orët shtesë të punës ose mos kompensimi në vlerë, si dhe mos trajtimi ekonomiko-financiar në mënyrë të barabartë me punonjësit e Policisë së Shtetit, përbën shkelje të të drejtave të tyre që burojnë nga marrëdhëniet e punës dhe të garantuara nga Kushtetuta, ligji nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar, si dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 511, datë 24.10.2002, “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”, i ndryshuar. Ndodhur në këto rrethana, arritëm në konkluzionin kategorik se përderisa aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës të punonjësve të Policisë së Burgjeve janë në fuqi, ato duhen zbatuar me rigorozitet. Nga rekomandimet e dërguara dhe letërkëmbimi i institucionit tonë me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave, rezulton se megjithëse pranohet ekzistenca e problemeve që lidhet me të drejtat ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve, zgjidhja e tyre sorollatet me justifikime të ndryshme. Përderisa shkelja e të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve është evidente edhe aktualisht, dhe ndërkohë nga Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Financave dhe Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike nuk po reagohet për zbatimin e rekomandimit të Avokatit të Popullit dhe zgjidhjen e tyre rekomandojme: Ndërhyrjen tuaj dhe ushtrimin e kompetencave ligjore ndaj Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Financave dhe Ministrit për Inovacionin dhe Administratën Publike, për të bërë të mundur zbatimin dhe respektimin e të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe konkretisht për: -Marrjen e menjëhershme të masave organizative nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoritë e IEVP-ve për respektimin brenda afateve ligjore të të drejtës së punonjësve të Policisë së Burgjeve për kryerjen e lejeve vjetore të pa bëra dhe për kompensimin me pushime për orët shtesë të punës së kryer, ose në pamundësi të bëhet kompensimi në vlerë i tyre. -Marrjen e masave të nevojshme dhe bërjen e propozimeve përkatëse Këshillit të Ministrave për rritjen e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të bërë të mundur respektimin e të drejtës për t’u pajisur me uniformë dhe dhënien e ushqimit punonjësve të Policisë së Burgjeve që nga koha e cenimit të tyre. -Marrjen e masave për përgatitjen dhe dërgimin në Këshillin e Ministrave të projektit të VKM me qëllim trajtimin e barabartë ekonomiko-financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve me punonjësit e Policisë së Shtetit.
Sigal