Sigal

Banka Botërore publikon analizën e detajuar: Përmes zyrave të punësimit u punësuan vetëm 3% e të papunëve,ndërsa 7% e bizneseve u besojnë atyre

Shërbimi Kombëtar i Punësimit është trumbetuar nga kryeministri Rama si një nga reformat më të suksesshme të saj. Vetë kryeministri Edi Rama, ka publikuar herë pas here me dhjetëra raste të individëve, të cilët sipas tij janë punësuar përmes zyrave të punës. “Mirëmëngjesi dhe me thjeshtësinë e kësaj gruaje që e shpjegon më mirë se kushdo ndryshimin mes ndihmës ekonomike dhe punësimit, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruante Rama në një video të postuar në mars të këtij viti. Në video dëgjohet Drita Domi, e cila tregon se prej dy vitesh merrte ndihmë ekonomike prej 48 mijë lekësh të vjetra, por falë zyrës së punës gjeti një vend pune në një fabrikë hudhrash, ku paguhet 9 mijë lekë të vjetra ditën. Por propaganda e kryeministrit duket se është larg nga e vërteta. Një analizë e detajuar e Bankës Botërore del në konkluzionin se shërbimi kombëtar i punësimit në Shqipëri është një nga më ineficientët, jo vetëm në Evropë, por edhe nëse krahasohet me vendet e ngjashme të rajonit. Sipas Bankës Botërore në vitin 2016, përmes zyrave të punësimit u punësuan vetëm 3 për qind e të papunëve. “Për më tepër edhe pse të rinjtë janë shpesh targeti kryesor që duhet të përfitojnë nga shërbimi i punësimit, vetëm 4 për qind e tyre kanë gjetur punë përmes zyrave të punësimit,” thuhet në raportin e Bankës Botërore. Sipas të dhënave të publikuara nga bankat, vetëm 7 për qind e bizneseve në Shqipëri përdorin zyrat e punës për të rekrutuar staf, ndërkohë që pjesa dërrmuese i gjen punonjësit përmes mënyrave të tjera. Shërbimi kombëtar i punësimit ka për qëllim të ndërmjetësojë ofertën dhe kërkesën në tregun e punës duke rritur kështu punësimin në ekonomi. Por sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore, numri i shqiptarëve që gjejnë punë përmes zyrave të punës është gati i papërfillshëm.