Dështojnë negociatat, Rama nis lëshimet, Basha kërkon qeveri teknike

484
Negociatorët ndërkombëtarë nuk arrijnë t’i ulin palët në një tryezë. PS pranon shtyrjen e zgjedhjeve dhe ndryshimin e disa ministrave 
Ka qenë e pasuksesshme përpjekja ndërkombëtare për të ulur në një tryezë Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, ndërsa negociatat në distancë mes tyre kanë dështuar. Dy europarlamentarët David McAllister dhe Knut Flankenshtajn nuk i bindën dot palët as për të biseduar sy më sy, ndërsa një platformë e qarkulluar mes Ramës e Metës nga njëra anë dhe Bashës në anën tjetër nuk ka gjetur miratimin e opozitës. Partia Demokratike ka rrëzuar propozimet, duke këmbëngulur në largimin e kryeministri Rama.

Negociatat
David McAllister dhe Knut Flankenshtajn, me të mbërritur në Tiranë, janë takuar me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama. Pas një bisede rreth 60 minuta në mesditë me drejtuesit e shumicës parlamentare, të dy negociatorët kanë udhëtuar drejt selisë së Partisë Demokratike, ku kanë biseduar për më tepër se një orë me Lulzim Bashën. Ka qenë ky vetëm raundi i parë i bisedimeve në distancë mes palëve dhe të dy “delegatët e Evropës” i mblodhën palët për një takim në mbrëmjen e djeshme. McAllister dhe Flankenshtajn zhvilluan në mbrëmje një raund të dytë bisedimesh me drejtuesit e shumicës së majtë dhe të opozitës, në përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës politike. Takimet u zhvilluan këtë herë në të njëjtin mjedis, në Pallatin e Kongresevem por, ku përfaqësuesit e palëve, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta nga njëra anë dhe kreu demokrat Lulzim Basha nga ana tjetër, qëndruan në dhoma të ndara. Vazhdimi i bisedimeve pas takimeve të para që dy eurodeputetët patën pasdite, u duk si një sinjal shprese se mund të ketë hapësira zgjidhjeje. Por Basha doli nga Pallati i Kongreseve pas vetëm 35 minutash. Ai deklaroi se “nuk kanë nisur negociatat”. “Jemi në proces të takimeve dhe bisedimeve me ndërmjetësit evropianë”, deklaroi kreu demokrat, pa dhënë shpjegime të tjera. Ndërkohë Rama dhe Meta, dolën pak më vonë, duke evituar çdo lloj komenti. 

Çfarë ndodhi në bisedime
Në diskutimet intensive gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama mësohet se ka ofruar ndryshimin e disa ministrave, mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve parlamentare për më 16 korrik dhe masa të tjera për luftën ndaj drogës e procesin e dekriminalizimit. Ndonëse ka këmbëngulur për muaj të tërë në mosndryshimin e datës 18 qershor për votimin për Kuvendin e ardhshëm, Edi Rama ka lëshuar për zhvillimin e zgjedhjeve në mes të korrikut të ardhshëm. Gjithashtu, pjesë e negociatave mësohet se ka qenë edhe vendosja e katër ministrave teknikë, por të zgjedhur nga shefi i qeverisë, si dhe ndryshime të tjera në nivelet e drejtuesve të policisë. Nga ana e saj, shumica parlamentare e ka kushtëzuar të gjithë paketën e saj me votimin e anëtarëve të komisioneve të vetingut, të bllokuar në Kuvend. Por Partia Demokratike ka këmbëngulur në kërkesën e saj për ngritjen e një qeverie teknike. Në listën e kërkesave të demokratëve ka qenë edhe miratimi i një sistemi elektronik votimi për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Palët të ndara
Qeveria dhe opozita e kanë mbyllur ditën e djeshme të negociatave tërësisht të ndara, duke e kthyer krizën në pikën e saj të nisjes. Në një deklaratë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama theksoi se i ishte i gatshëm për negociata pa kushte, duke këmbëngulur në votimin e vetingut dhe zhbllokimin e reformës në drejtësi. “Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por pa Vetingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”, komentoi Rama në rrjetet sociale. Nga ana e tij, Basha u rikthye në mbrëmje te çadra e Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përsëriti qëndrimin e tij për ngritjen e një qeverie teknike. 

Deklarata e negociatorëve
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian David McAllister (PPE) dhe Raportuesi për Shqipërinë i Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein (S&D) u takuan me maxhorancën dhe opozitën dhe patën një diskutim të mirë. Dy europarlamentarët paraqitën propozime për të ardhmen që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër lëndëve narkotike, masa teknike për përmirësimin e kryerjes së zgjedhjeve, si dhe masa për ndërtimin e besimit politik. Ata propozuan gjithashtu ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë për të ndërtuar besim afatgjatë te sistemi. Nga ana e maxhorancës pati dakordësi mbi pikat e propozuara me kusht që vetingu të votohet në parlament. Partia Demokratike iu përmbajt pozicionit të saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe miratimin e një sistemi elektronik votimi për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Basha te Berisha pas negociatave
Pas dy raundeve të takimeve, një bisede 90-minutëshe në zyrën e tij me David McAllister dhe Knut Flankenshtajn dhe një tjetër 35-minutëshe në Pallatin e Kongreseve, Basha i është drejtuar zyrës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Berisha dhe Basha zhvilluan një takim të shkurtër në zyrën e ish-kreut demokrat. Në qendër të takimit kanë qenë propozimet e negociatorëve evropianë dhe kërkesat e opozitës për qeveri teknike e zgjedhje të lira e të ndershme.
Sigal