Denar Biba:“Ndarja e mandateve nga Kuvendi, çon në krizë Kushtetuese”

466
Sigal

INTERVISTA/Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba: “Praktikisht, ligjvënësi dhe ligji nuk parashikon fare zgjidhje tjetër, veç KQZ-së”

Të premten,  më 11 janar, sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, Aliona Mansaku i ka dërguar sekretares së Përgjithshme të Kuvendit një shkresë, ku i përcjell vendimin e KQZ-së për ndarjen e mandateve të deputetëve, por që nuk ka mundur të bëjë dot  ndarjen. Kështu, që Kuvendi do të bëjë ndarjen e mandateve. Natyrisht, kjo shkresë e KQZ-së, drejtuar Kuvendit, ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të minorancës së saj. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, në intervistën për “Telegraf”, këtë shkresë të sekretares së Përgjithshme të KQZ-së, e vlerëson si përpjekje të KQZ-së,  që kriza institucionale në KQZ, të kthehet në krizë Kushtetuese në Kuvend, pasi vendimi për ndarjen e mandateve të 2009-s nuk mund të jetë i vlefshëm për zgjedhjet e 2013-s, pasi është shfuqizuar.

– Zoti Biba,  vendimi i Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e ZAZ-ve, u vlerësua, nga Kryeministri Berisha, si “ përgjigja më e vendosur ndaj përpjekjeve për bllokim të pamerituar nga pjesëtarë të KQZ-së”, duke fotografuar juve. Po ju si e vlerësoni vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor?

– Unë nuk dua të komentoj shprehjet e askujt, e ca më pak të cilido politikani, që kanë të bëjnë më qëndrimet tona ligjore dhe shumë të përgjegjshme në kryerjen e detyrën në KQZ. Aty ne jemi për të mbrojtur ligjshmërinë. Dhe ligji e ka parashikuar që çdo vendimmarrje e rëndësishme e procesit zgjedhor bëhet me miratimin e akteve normative në KQZ me votën 5 me 2, pra me votim të cilësuar dhe kjo jo rastësisht, pasi kjo përbën edhe konsensusin më thelbësor të arritur në reformën zgjedhore, të miratuar nga të gjitha partitë në Kuvend. Së pari, për të detyruar të gjitha palët që vendimmarrjet të jenë konsensuale në rastin më të mirë dhe, së dyti, për të parandaluar shkeljen e ligjit, në rastin më të keq. Kolegji Zgjedhor, duke vendosur në lidhje me një çështje që është diskrecion i pastër i KQZ-së, ka marrë kompetencat që nuk i ka dhe që nuk janë parashikuar në ligj. Kolegji Zgjedhor, nga një organ gardian i respektimit të rregullave të lojës, siç duhet të jetë Gjykata ( Kolegji Zgjedhor), me vendimmarrjen për ndarjen e ZAZ-ve, u shndërrua në një organ shkrues të rregullave politike. Kjo bie ndesh me ligjin e Kodit Zgjedhor dhe me vetë Kushtetutën.

– A mundet Kuvendi të bëjë ndarjen e mandateve të deputetëve, derisa në KQZ është i pamundur votimi me 5 vota?

– Në bazë të ligjit, Kuvendi nuk ndan mandatet, por thjesht miraton  me shumicën e thjesht, mandatet e propozuara nga KQZ-ja, kur kjo ka marrë vendimin, të paktën me 5/2 të votave.

– Derisa vendimmarrja në KQZ është e pamundur të merret me votim 5 me 2, si mund të kapërcehet kjo krizë institucionale?

– Nuk ka asnjë arsye as ligjore dhe as procedurale që KQZ-ja të mos marrë një vendim konsensual. Në këtë rast, pakica e KQZ-së, nuk kishte asnjë arsye të mos votonte, po të sillnin në KQZ informacionin e domosdoshëm, sipas ligjit, nga ana e Ministrisë së Brendshme, për popullsinë e 4 komunave të Qarkut të Kukësit. Duke qenë se ky informacion i kërkuar nuk erdhi në KQZ nga Ministria e Brendshme, 3 anëtarët e KQZ-vë nuk mund të vendosnin për ndarjen e mandateve në informacione të pakontrolluara,  të dyshimta, të cilat kësisoj, kthehen në informacione të pabesueshme. Pra, 3 anëtarët e KQZ-së nuk refuzuan të votojnë për thelbësoren, ndarjen e mandateve, kjo nuk ka qenë asnjëherë qëllimi i tyre, por janë akoma të gatshëm që të votojnë në çdo minutë që të mbërrijë në KQZ informacioni për popullsinë  e 4 komunave të Kukësit, për të cilët pretendohet se ka shtim të atillë që justifikon shtimin e një mandati të deputetit. Ky informacion që kërkohet në KQZ nuk është kapriço personale, partiake, por është detyrim ligjor, si për KQZ-në që duhet ta kërkojë që të ballafaqojë informacionin, por edhe për Ministrinë e Brendshme, për të dëshmuar edhe transparencën dhe paanshmërinë e saj.

Derisa ky  informacion nuk sillet në KQZ, mosvotimi a mund të cilësohet bllokim?

– Po, por bllokim i një vendimmarrje të paligjshme ama, për të mos lejuar ndarjen e mandateve në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Konsensusi në KQZ është i mundshëm, siç ju thashë, sapo të vijë informacioni i kërkuar. Ne nuk jemi të papërgjegjshëm, që të mos arrijmë në konsensus, por edhe me vetëdije, për hatër të disa interesave, nuk mund të shkelim ligjin, mjafton që të mos na quajnë bllokues. Në këtë rast, në vend që të vihet gishti tregues te ai që shkel ligjin, duke mos sjellë informacionin, që e ka detyrim ligjor,  është bllokues ai që kërkon të respektohet me përpikmëri ligji?

Kryeministri tha se, “ligjvënësi ka përcaktuar rrugët e zhbllokimit”. Dhe këto rrugë zhbllokimi janë Kuvendi dhe Kolegji Zgjedhor, derisa KQZ-ja të jetë e pamundur të arrijë konsensusin?

–  Praktikisht, ligjvënësi dhe ligji nuk parashikon fare zgjidhje tjetër, veç KQZ-së. Ose zgjidhet në KQZ, edhe ndarja e ZAZ-ve dhe mandatet, ose nuk zgjidhet ndryshe. Duke çuar në Kuvend ndarjen e mandateve, sekretarja e përgjithshme e KQZ-së, e shndërron krizën institucionale në KQZ në krizë Kushtetuese në Kuvend, sepse vendimi i 2009-s, për ndarjen e mandateve të deputetëve, nuk është më i vlefshëm për zgjedhjet e 2013-s. Ai vendim i 2009-s, nuk është më në fuqi dhe nuk mund të shërbejë më për ndarjen e mandateve të deputetëve edhe për zgjedhjet e 2013-s. Çfarë do miratojë Kuvendi për ndarjen e mandateve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, derisa KQZ-ka nuk ka marrë asnjë vendim? Prandaj, kjo marrje kompetencash nga ana e Kuvendit për ndarjen e mandateve për deputetë për zgjedhjet e 2013-s, mund të çojë në krizë kushtetuese.

– Faleminderit!