Braçja akuzon Kryeministrin, por përse nuk kërkon dorëheqjen e Kryetarit Zeqo?

528
Sigal

Çështja e ish-ministrit peruan ka shkaktuar polemika politike midis PD-së dhe PS-së

 Lajmi i shpërndarë nga agjencitë e Perusë se ish-ministri peruan Augusto Blacker Miller, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2009 është arrestuar në Shqipëri,  solli një përplasje mes Kryeministrisë dhe selisë rozë që akuzuan njëri-tjetrin mbi lejimin e aktivitetit të tij në vend. Deputeti Braçe ka qenë i pari që i ka drejtuar akuzat drejtpërdrejt Kryeministrit Berisha, duke thënë: “Sali Berisha është përfshirë “kokë e këmbë” në mbrojtjen e ish -ministrit të Jashtëm të Perusë, i kërkuar nga Interpoli! E ka strehuar, e ka mbrojtur, e ka pritur, e ka mbështetur dhe i ka ngritur biznes dy hapa larg selisë së qeverisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! Ndaj Ministria Brendshme dje ka mohuar arrestimin dhe ka thënë qartazi se nuk do ta arrestojë.  Unë kam prova! Pas këtij “objekti” është një projekt konkret: ngritja e një impianti të tillë, incenerator, në hyrje të qytetit të Fierit, të prezantuar në qeverinë e Sali Berishës, Ministrinë e Mjedisit, Bashkinë e Fierit dhe me mbështetje të plotë siç thuhet në dokumente edhe nga këshilltarja për investimet e Kryeministrit Berisha”.  I menjëhershëm ka qenë reagimi i këshilltares të Kryeministrit, për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli, e cila  theksoi se kompania është rekomanduar nga Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo. “Kompania në fjalë në mënyrën më këmbëngulëse dhe të përsëritur është rekomanduar nga Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit zoti Baftjar Zeqo, jo me një, por me disa letra drejtuar Kryeministrit, por dhe me mesazhe sms. Nëpërmjet letrave dhe mesazheve insistuese të vazhdueshme Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo i kërkon Kryeministrit mbështetje për projektin e kësaj kompanie. Zoti Zeqo thekson në letrat dhe mesazhet e tij se ka mëse dy vjet që bashkëpunon në mënyrë të suksesshme me këtë kompani për realizimin e projektit të saj në qytetin e Fierit. Madje, theksoj se është e vërtetë që ai është strehuar në Tiranë, por nga Fideli i tij në Kullat Binjake pronë e deputetit të PS-së Fidel Ylli”, reagoi Guxholli në një njoftim për shtyp. Bashkia Fier sqaroi me një njoftim për shtyp mbi çështjen e ish-ministrit peruan. Sipas Bashkisë së Fierit, Miller ka bërë kërkesë për një investim në Fier dhe se Bashkia i kërkoi firmës që të marrë leje nga qeveria dhe pastaj të ushtrojë biznesin në Fier. “Kompania “Apollonia Investmens”, drejtuar nga shtetasi Manuel Augusto Blacker Miller, regjistruar në Shqipëri, është paraqitur tri muaj më parë në Bashkinë Fier me ekstrakt të QKR-së për një projekt mbi ndërtimin e një impianti të përpunimit të mbetjeve urbane. Ky projekt iu prezantua ekzekutivit dhe Këshillit të Bashkisë, dhe gjatë kohës që vazhdonin negociatat, Bashkia Fier e rekomandoi kompaninë në fjalë, që të pajisej me lejen e qeverisë shqiptare, ashtu sikurse ligji e parashikon”, thotë midis të tjerave, Bashkia e Fierit. Deputeti Braçe, kur u bënë të njohura faktet për aktivitetin e kompanisë “Apollonia Investmens”, dhe dolën në pah roli që ka luajtur Bashkia e Fierit, e drejtuar nga Baftjar Zeqo, mban një qëndrim shpërfillës, jo kritik, duke thënë: “Përgjegjësia është individuale dhe secili përgjigjet për veprimet që kryen!”.

Zoti Braçe, si qenka përgjegjësia individuale, personale dhe nuk paska fare përgjegjësi PS-ja? Përse PS-ja nuk është po kaq kritik ndaj personit Baftjar Zeqo, si Kryetari i Bashkisë, ndërsa kritikon, për të njëjtën gjë,  ashpër Kryeministrin? Përse, zoti Braçe, ju nuk kërkoni të njëjtat përgjegjësi-madje janë edhe më rënduese- edhe për Baftjar Zeqon? Përse, ju zoti Braçe- në emër të transparencës- përse nuk kërkoni dorëheqjen e Baftjar Zeqos? Përse PS-ja, zoti Braçe, akoma nuk ka marrë masa disiplinore, deri në përjashtim, për Kryetarin e Bashkisë të Fierit, Baftjar Zeqon?