Degradimi i Kuvendit, ja si e lexojnë Dylgjeri, Shella, Rrozhani dhe Kaduku

519
Alma Çuka
“PD dhe PS janë në rrugë pa krye, nëse do të vazhdojnë me këto debate. Ka problem etik dhe profesional. Kuvendi në situatë kaotike. Rama të ulë armët”
Dy javët e fundit Kuvendi i Shqipërisë, i cili njihet si tempulli i demokracisë, vetëm këtë gjë nuk ka treguar. Një javë më parë punimet e tij u ndërprenë dhe lideri i opozitës Lulzim Basha, u përjashtua. Dje na u servir e njëjta situatë. Seanca nuk zgjati shumë. Një fyerje që kryeministri Edi Rama, sipas deputetëve të PD-së bëri ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha ishte shkëndija e parë për degradimin e seancës së djeshme. Reagimi i deputetit demokrat Flamur Noka nuk u prit mirë nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili vendosi ta përjashtojë. Seanca e paradites u prish. E njëjta situatë ndodhi edhe në atë të planifikuar për t’u mbajtur pasdite. PD dhe LSI kërkuan përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga seanca për dhjetë ditë, njësoj si u veprua për Nokën. Kërkesa u rrëzua dhe seanca nuk u zhvillua. Kështu edhe këtë javë nuk u diskutua projektligji për reformën zgjedhore. Por kjo pasqyrë e parlamentit tonë, lexohet ndryshe nga analistët. Ndërsa janë të gjithë të një mendimi, se nuk duhet të ndodhë kështu dhe se deputetët duhet të mendojnë më shumë për problemet e popullit, analistët thonë se kjo situatë për fat të keq do të vazhdojë kështu, për aq kohë sa Edi Rama dhe Gramoz Ruçi kanë vendosur të drejtojnë me dorë te “hekurt”. Ne i drejtuam atyre të njëjtën pyetje. 
Parlamenti është futur në një debat pa krye. Mendoni se degradimi i tij ka lidhje me ndonjë plan të opozitës për të shkatërruar punimet apo kryeministri dhe kreu i kuvendit, pas zotërimit 100% të ‘tepsisë’ tashmë duan të ushtrojnë diktat mbi deputetët?
A mos ndoshta do të ishte më mirë që ministrat t’i nënshtrohen një interpelance të gjatë për të dhënë llogari popullit për të gjitha shqetësimet, sesa të shohim shfaqje të tilla?
Ylli Dylgjeri, analist
Të dy forcat janë në një rrugë pa krye, nëse vijojnë me këto debate. Vendi mund të drejtohet sot vetëm pas një marrëveshje palësh. Vetëm një “detantë” dhe “ulja e armëve” do mundësojë ekonominë, rendin, investitorët e huaj. Me këtë situatë kurrkush nuk hedh një qindarkë. Shikoni Serbinë. Vend që doli nga lufta, dhe përplasja etnike, sot po thith investime për ekonominë dhe zhvillimin nga lindja në perëndim. Ato udhëheqës janë politikanë që e duan vendin. Gjithçka tjetër është humbje për vendin. Ky është Integrimi në Evropë? Dje, zoti Thaçi i kërkoi zotit Meta dhënien e nënshtetësisë për të hyrë kosovarët në Evropë. Ndërkohë, investimet po shkojnë drejt Serbisë. Mos duhet t’i kërkojmë edhe Ne zotit Vuçiç nënshtetësinë Serbe për të hyrë në Evropë?!
Arben Rrozhani, Kryeredaktor i gazetës “Shekulli”
Këtu ka një problem etik dhe institucional. Ai që quhet kryetar Kuvendi në Shqipëri, është realisht spikeri i parlamentit. Ai është i barabartë në atë sallë me të gjithë deputetët, por është vënë që të drejtojë seancat dhe ndihmohet prej nënkryetarëve. Ajo që shohim aty, në këtë legjislaturë është Ruçi si mësuesi pedant i klasës dhe poshtë, nxënësit trazovaçë që ai kërkon t’i vendosë nën fre. Sjellja e Ruçit është antikushtetuese, sepse, sipas kushtetutës, deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që deklaron, edhe aty në sallë dhe është absurde që të përjashtohen deputetët për një fjalë gojë, nëse i referohesh Kushtetutës. Është problem tjetër, nëse e shikon nga ana etike. Unë mendoj se diktatura e rregullores në kuvend, është zgjatim i pushtetit absolut që ka fituar PS-ja dhe kjo do të jetë deri në fund, nëse kjo maxhorancë parlamentare e çon deri në fund mandatin 4-vjeçar. Po kështu, mendoj se nuk është ndonjë hata e madhe ajo që shohim në çdo seancë plenare në Kuvend. Parlamente të tjerë kanë probleme edhe më të rëndë me etikën dhe sjelljen e deputetëve. Personalisht mendoj se kemi Parlamentin më të mirë krahasuar me shumë vende të botës, nëse i masim nga shkalla e zhvillimit dhe të konsolidimit të demokracisë. Veçanërisht po të bazohemi se nga vijnë këta deputetë, formimin që kanë, edukatën familjare dhe personale, shkollimin dhe si kanë hyrë në atë tempull të demokracisë. Ky parlament, pra ajo sallë plenare ka parë shumë më keq se çfarë ndodh sot, sepse aty janë plagosur deputetë me armë (rasti i Azem Hajdarit më 1997), kërcënuar deputetë me thyerje kafkash (në parlamentin e parë pluralist më 1991) etj.
Për t’u kthyer te pjesa e parë e pyetjes: nuk mendoj se interpelancat e gjata janë zgjidhje. E mbani mend se sa gjatë dhe bukur fliste Ilir Beqja në kuvend për shëndetësinë falas? Dhe çfarë u arrit? Asgjë! Koncesionet famëkeqe vijojnë me sukses t’u marrin paratë shqiptarëve. Apo për reformën në arsim. Sa bukur ka folur ministrja Nikolla dhe reforma u bë e njëanshme dhe sot bëhen llogaritë, se sa humbi arsimi shtetëror dhe sa fitoi ai privat.
Ilir Kaduku, Profesor 
Është fakt i pakontestueshëm që parlamenti shqiptar është aktualisht në një situatë kaotike. Personalisht mendoj se degradimi i seancave plenare nuk ka lidhje me ndonjë plan gjenial të opozitës dhe të “liderit” të saj për të sabotuar punimet e parlamentit. Gjithashtu mendoj se situata skandaloze e tempullit të demokracisë nuk ka lidhje direkt me opsionin e vënies nën diktat të veprimtarisë të deputetëve të çdo krahu politik qofshin këto. Agravimi i situatës (e cila mendoj se do të bëhet dhe më e rëndë në seancat në vijim), nuk është asgjë tjetër veçse një vazhdim dhe një përfundim logjik i marrëveshjes së turpshme politike të 18 Majit. Publikisht është pranuar që PD është në krizë të thellë morale dhe integriteti. Lidershipi aktual i PD ka si parim bazë: mungesën e parimeve! Çdo demokrat e ndjen se kjo nuk është PD-ja që duam. Lidershipi aktual duhet të kuptojë se vendi ndodhet pa opozitë. Lidershipi aktual duhet të reagojë në mënyrë urgjente në lidhje me krizën e thellë morale që mban siglën e PD-së. Jemi duke rrëshqitur drejt një diktature moderne. Ja vlen të kujtoj aksiomën e babait të revolucionit francez, të madhit Viktor Hygo: “Kur diktatura thërret, revolucioni është detyrë!” Në mënyrë të vetëdijshme është kuptuar më së fundi se dalja nga kjo situatë skandaloze e tempullit të Demokracisë nuk vjen më nga lufta parlamentare (e cila është false dhe e kompromentuar), por shqiptarët duhet ta kuptojnë se shpëtimi i vendit dhe instalimi i demokracisë reale vjen nga një revolucion i vërtetë demokratik, i cili ka si qëllim kryesor: Një luftë frontale kundër sistemit antidemokratik të binomit Rama – Basha! “Liderit” aktual të opozitës i këshilloj të heqë dorë nga matrapazllëqet politike, nga mashtrimet patologjike dhe t’i hapë rrugën demokracisë reale që populli shqiptar të marrë frymë lirisht! Nëse opozita parlamentare do të vazhdojë të zbatojë në mënyrë të paskrupullt marrëveshjen e turpshme të 18 Majit, atëherë ne demokratëve të thjeshtë nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të ëndërrojmë vënien në jetë të aksiomës së famshme: “Prisni, prisni. se nuk keni parë gjë akoma!”
Gerti Shella, drejtues i INFOCIP
Kuvendi, sikurse ju me shumë të drejtë e konstatoni, ka dalë jashtë funksionit të vet të natyrshëm të ligjbërjes dhe ka adoptuar një funksion të ri, atë të shpërbërjes. Kjo padyshim përbën shqetësim pasi Kuvendi duhet ta disponojë qetësinë e duhur për të disponuar me ligje që janë në dobi të publikut. Nuk dua të them me këtë se motivet e palëve që janë përfshirë në debate të forta në Kuvend janë të paqenë. Sigurisht PD ka afirmuar që në ditën e parë të uljes në karriget e Kuvendit një çështje që ajo ka tashmë me kryetarin e Kuvendit. Aktivizimi i frymës komuniste nuk është në thelb një strategji e keqe në një parti e cila ka tashmë çështje me identitetin e saj politik që pas marrëveshjes së 18 Majit 2017 të Kryemisnitrit Rama dhe Kretarit të PD, Basha. Pyetja thmelore në këtë rast është nëse një debat i tillë do të sjellë përftimet e synuara për vetë opozitën e cila po kërkon një pagëzim të ri, pas “kungimit” shumë të kritikuar të 18 majit. Opozita nuk ka peshë specifike në konfigurimin e këtij Kuvendi ku kryeministri Rama ka shumicën dhe mund të artikulohet plotësisht politikisht në dimensionin legjislativ. Padyshim që sherri është një strategji, edhe pse askush nuk ja ka parë hajrin. Këtu nuk kam parasysh PD dhe PS por shqiptarët në përgjithësi të cilët habiten me degradimin e debatit parlamentar, i cili duhet të reflektojë jo vetëm interesat e tyre primare, por edhe kulturë dhe forcë argumenti. Për fat të keq, logjika e bllokimit është shumë prezente në politikën shqiptare. Sa për Kryeministrin Rama, mendoj se ai duhet të hapë rrugë, pasi është në dinjitetin e të madhit që të mos ta shohë me lupë çdo veprim të atyre që janë për momentin më të vegjël.
Sigal