Debati për plerat/ PD: Projekt kriminal e mafioz, 400 milionë euro për 3 inceneratorë. Reagon Ahmetaj: Ballafaqim me Bashën

400
Plehrat, projekti 400 milionë euro për inceneratorët
PD akuzon qeverinë për një aferë kriminale e korruptive për ta kthyer Shqipërinë në një kazan mbetjesh. Reagon ministri Ahmetaj
Partia Demokratike akuzoi qeverinë për një aferë me vlerë 400 milionë euro për ndërtimin e inceneratorëve të nevojshëm për djegien e mbetjeve. Për opozitën, kryeministri dhe ministrat po synojnë ta kthejnë Shqipërinë në një kazan plehrash. “Sektori i plehrave dhe mbetjeve është një nga sektorët kryesorë, ku Edi Rama ka dashur t’u lërë dorë të lirë interesave kriminale. Paralel me projektin e kanabizimit të vendit, ka ecur me këtë projekt të kthimit të Shqipërisë në një kazan plehrash për Evropën”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai përmendi edhe rolin e opozitës dhe të qytetarëve në bllokimin e ligjit për importin e mbetjeve, duke shtuar se “Edi Rama po ecën me një strategji shkatërruese për vendin, që është strategjia e inceneratorëve, e djegësve të financuar nga buxheti i shtetit”. “Është një politikë që bie ndesh me çdo standard, me normë evropiane dhe me politikat evropiane të trajtimit të mbetjeve”, tha Basha, duke përmendur edhe qëndrimin e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Për PD-në, kjo është një politikë e rrezikshme për shëndetin publik, ndot ajrin dhe prodhon mbetje të rrezikshme në fund të proçesit. “Nuk ndihmon as industrinë e riciklimit, që ishte një nga pretekstet për Ligjin e Importit, por mbi të gjitha projektet e inceneratorëve janë zbuluar si projekte dhe afera korruptive dhe kriminale”, tha Basha. Ai përmendi se ka tre projekte për inceneratorë; në Elbasan, Fierit dhe Tiranë. “Mediat kanë zbuluar tashmë dokumente dhe para publikut që të trija kontrollohen nga i njëjti person, i cili shërben si figurim për të fshehur pronarët e vërtetë. Duke patur parasysh shkeljet skandaloze të ligjit në ndërtimin e këtyre tre inceneratorëve, duket qartë që pronarët e vërtetë janë Arben Ahmetaj dhe Edi Rama. Sepse vetëm Arben Ahmetaj dhe Edi Rama mund të kishin guximin të jepnin 4.8 milion euro ndërtuesit të inceneratorit të Fierit, akoma pa filluar punë”, tha Basha. Sipas tij, vetëm Rama e Ahmetaj mund të kishin guximin t’i jepnin 10 milionë euro për këto projekte, nga 11 milionë euro që është buxheti i vitit, për mbetjet në Shqipëri. “Sipas dokumenteve që ne disponojmë, bëhet fjalë për 400 milion euro që do të paguhen nga 7-30 vjet për ndërtimin e inceneratorëve dhe tarifat që do të paguajë taksapaguesi shqiptar”, nënvizoi Basha. Sipas tij, po angazhohen privatët për të ndërtuar inceneratorin, kundër strategjisë evropiane të ndërtuar nga gjermanët dhe “bëjnë një partneritet publik me privatin, ku privati nuk merr asnjë risk përsipër, përkundrazi merr lekë nga buxheti i shtetit, edhe kur nuk djeg plehra, siç është rasti i Fierit”. Kreu demokrat e cilësoi këtë një aferë kriminale e mafioze, ndërsa i bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë të nisin menjëherë hetimin. “Me kanabizimin e Shqipërisë, Edi Rama eksporton drogë drej Europës, me incineratorët importon mbetje”, tha Basha. 
Alarmi i Gjermanisë
Prej fundit të vitit 2016 qeveria gjermane po e ndihmon qeverinë shqiptare për ndërtimin e një strategjie për mbetjet e ngurta. Këshillimet bëhen përmes Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Hermann Plumm, drejtor i projektit pranë GIZ-it, tha, se e sheh me pozitivitet rritjen e vëmendjes nga organizatat jofitimprurëse, qytetarët dhe qeveria shqiptare. Sipas “Dojçe Vele”-s, qeveria shqiptare ka vendosur të investojë për herë të parë një shumë shumë të madhe parash, rreth 200 milionë euro, që do të përdoren në dhënien e koncesioneve për ndërtimin dhe funksionimin e incerenatorëve. Nga ana tjetër, sipas Plumm, është e nevojshme të ndërtohen landfille më moderne për mbetjet inerte, ato urbane dhe përmirësim të sistemit të grumbullimit. Sipas Plumm, “nuk ka një qasje sistematike për këtë problem”. Ai tha se incenerimi, që kthen mbetjet në energji, duhet të jetë zgjidhja e fundit. “Para së gjithash duhet të reduktojmë nivelin e mbetjeve, pastaj vjen ripërdorimi, pastaj riciklimi dhe në fund të gjithë mundësive, në fund të kësaj hierarkie, vjen incenerimi, që kthen mbetjet në energji. Ne si GIZ dhe shumë donatorë të tjerë në Shqipëri do të dëshironim të mbështesnin qeverinë dhe bashkitë që të krijojnë një sistem që fillon nga fillimi dhe jo nga fundi i hierarkisë. Dhe ky është ligj në Shqipëri. Strategjia ekzistuese mbi mbetjet e ngurta në Shqipëri parashikon këtë hierarki, që do të thotë prioritet. Por fatkeqësisht më duhet të them që investimet më të mëdha po shkojnë në pikat që kanë më pak prioritet”, shprehet Plumm.
Sigal