Debate në KQZ për numëruesit PDIU-Luzit: Vendim fshataresk

150
TIRANË – Debatet e forta mes përfaqësuesit juridik të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe kryetares Lefterie Luzi kanë çuar në ndërprerjen për 10 minuta të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Shkak është bërë kundërshtia e PDIU-së, tashmë në koalicion me mazhorancën për vendimin që KQZ mori të martën duke përjashtuar nga grupet e numëruesve të votave për zgjedhjet e 21 Qershorit përfaqësues nga kjo forcë politike.
Përfaqësuesi juridik i PDIU-së ka dalë jashtë rendit të ditës duke shfaqur hapur kundërshtinë për këtë vendim. Debati është ashpërsuar që në momentin e parë kur kryetarja e KQZ-së i vendosi 5 minuta kohë për të folur, duke ju referuar Kodit i cili parashikon pikerisht 5 minuta kohe për cështjet jashtë rendit të ditës.
Përfaqësuesi i PDIU-së e ka quajtur vendimin e djeshëm absurd, madje në replikat e tyre, ai ka goditur edhe tavolinën. Kjo situatë është bërë shkak që kryetarja Luzi të ndërpresë për 10 minuta mbledhjen e KQZ-së.
Debatet
Përfaqësuesi i PDIU: Do më masësh kohë 5 minuta ti pa filluar? Jo nuk të dëgjoj fare pa filluar unë
Luzi: Do më dëgjosh mua e nuk do flasësh e ka kodi për çështje jashtë rendit të ditës 5 min dakord?
Përfaqësuesi i PDIU: Vendimmarrja absurde pa logjikë, nisur nga rasti i djeshëm që tre vendimmarrje i revokuat shpresoj ta revokoni edhe këtë vendimmarrje, keni marrë citate të miat dhe i keni përdorur me logjikën tuaj fshatareske
Luzi: Të lutem mbylle sepse unë njoftoj security dhe ju nxjerr jashtë, ka kod etike që duhet ta respektosh, nuk ju kam ofenduar asnjë herë
Përfaqësuesi i PDIU i bie tavolinës me gusht
Luzi: Të lutem lajmëroni security
Edhe 10 minuta pushim dhe ti do dalësh përjashta dhe nuk futesh më, e vendos unë
Përfaqësuesi i PDIU: As ju nuk bëni më mbledhje
Mbledhja ka rifilluar pas 10 minutash dhe është ndezur sërish nga debatet për të njëjtën çështje
Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Mos bini pre e vendimmarrjeve me sms, zbatoni kodin se për atë punë jeni garant i atij kodi dhe asaj karrige që keni.
Luzi: është bërë vendimi i zbardhur i shkurtuar
Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Ju nuk keni marrë vendim dje duhet të merrni vendim sot në lidhje me atë propozim
Luzi: Ne e kemi mbyllur vendimin dje
Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Keni propozuar një gjë tre herë dhe është votuar në 3 mënyra të ndryshme. Sot duhet të bëjmë të mundur përcaktimin e numëruesit, të tretë ose të katërt. Dhe vendimin merre në gjykimin tuaj të ftohtë pa iu referuar mesazheve.
Luzi: Vazhdojmë me mbledhjen
Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Jo nuk do vazhdoni pa vendosur për propozimin tim
Luzi: Mund të citosh çfarë të duash
Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Jo nuk jam si puna juaj që citoj të tjerët