Debate në Komisionin e Ligjeve

534
Një investigim i publikuar nga një media amerikane, ku flitet për lidhje ruse të lobuesit amerikan të Partisë Demokratike në Uashington, u kthye në mollën e sherrit mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve. “Janë financuar nga lobe ruse në shuma të mëdha dhe besoj të padeklaruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Besoj ka pasur informacione edhe përpara, por fakti që nuk kemi thjesht një shkelje të ligjit, nuk jemi thjesht para shkeljes së ligjit të financimit të partive, por jemi para kërcënimit të interesave strategjike kombëtar”, deklaroi deputeti socialist, Alket Hyseni. Demokratët mohuan çdo lidhje mes tyre dhe rusëve, ndërsa akuzuan kryeministrin Rama si sponsorizues të investigimit që hedh këto hije dyshimi. “Është një lloj portali, si Zëri i Popullit, që është paguar me shumë para në shumë të mëdha, për t’u thënë shqiptarëve që forca politike që është anti-Tavarish, antiruse qenka financuar nga Rusia. Provokojnë në këtë mënyrë institucionet, m’u në tempullin e demokracisë që është Kuvendi. Shokët e Traktatit të Varshavës përdorin paratë e drogës, e ke nga OSBE dhe Guardia di Finanza, për të blerë dhe sajuar këto raste”, deklaroi demokrati Gent Strazimiri. Ndërsa për deputetin socialist, Ulsi Manja, “partia që lindi si shpresë e madhe e lirisë për qytetarët, po na del parti ruse në një vend anëtar të NATO-s”.
Sigal