Dako: Zhvillimi ekonomik lufton plagën e papunësisë dhe varfërisë

57
Trefishojmë fondin për familjet në nevojë duke fuqizuar mbështetjen financiare të familjeve të njerëzve në nevojë, të cilët janë në fokus të vëmendjes sonë në mandatin e ri. Kjo ka qenë deklarata e kandidatit të Aleancës së Shqipërisë Evropiane, z. Vangjush Dako, në takimin me banorët e lagjeve 12 dhe 16 të qytetit të Durrësit. Dako ka deklaruar se modeli i zhvillimit të Durrësit do të jetë model i zhvillimit të gjithë vendit, pasi ajo punë që është bërë në Durrës, këto investime, kanë merituar vlerësimin e bashkëqytetarëve dhe Qeverisë Rama, duke u kthyer në një model për t’u ndjekur edhe nga bashkitë e tjera.
Në vijim të fjalës së tij, kandidati socialist ka deklaruar se jemi në luftë me papunësinë dhe varfërinë, e kjo plagë kurohet vetëm me anë të zhvillimit ekonomik të bashkisë, e cila nis nga Shkëmbi i Kavajës dhe përfundon në Ishëm. Ai solli në vëmendjen e pjesëmarrësve zonën e lirë ekonomike të Spitallës, e cila është miratuar me vendim qeverie me këtë status, ndërkohë që bashkia ka siguruar një sipërfaqe prej 480 hektarësh për këtë zonë. Tashmë, pritet se cila kompani e huaj do të shprehë interesin për të investuar në këtë zonë, në të cilën do të punësohen mijëra bashkëkqytetarë.
“Mandati i ardhshëm do të jetë mandati me fokusin e njerëzve në nevojë, me moshën e tretë, me gratë e dhunuara e fëmijët jetimë. Dora e bashkisë së Durrësit do të ndjehet në çdo familje në nevojë”, -tha më tej kreu i bashkisë së qytetit bregdetar. Për këtë objektiv kryebashkiaku Dako ka deklaruar se do të hapen qendra multifunksionale për njerëzit në nevojë dhe rininë, ndërsa në godinat aktuale të bashkive dhe komunave që tashmë janë pjesë e bashkisë së re, do të ngrihen qendra të tilla për këtë kategori të shoqërisë e po kështu do të trefishohet fondi për njerëzit në nevojë. Në çdo fshat që funksionon si qendër komune apo bashkie do të ketë nga një shesh që të funksionojë si qendër argëtimi dhe shplodhje për moshën e tretë.