Çdo qeverisje, ka detyrim të ofrojë shërbime bazë ndaj komunitetit, LSI ka zgjidhur problematikat në disa sektorë

536
Monika Kryemadhi, deputete e LSI
Deputeti nuk duhet të heshtë, kur shikon që hallet braktisen, kur punët kanë ngecur e bëhen keq 
Sa më shumë të fokusohemi te problematikat që ka vendi dhe te njerëzit, aq më shumë do i largohemi demagogjisë dhe populizmit, mbasi koha ka treguar e po tregon, se demagogjia dhe populizmi mbjellin varfëri dhe ne jemi aq mbrapa, sa vazhdojmë ende të diskutojmë për minimumin jetik 
Më shumë debate kam pasur me ministrat e LSI-së, se sa me ministrat e Partinë Socialiste, ashtu sikurse kam edhe me ministrat e PS-së, për gjëra që kanë problematika të caktuara, por personalisht, unë nuk i shikoj si interesa politike, por vetëm në aspektin për të cilin vepron politika, pra, se sa ky proces, ky problem shkon tek qytetari
Deputetja Monika Kryemadhi, në këtë prag-fushate zgjedhore të 18 qershorit dhe për krejt fushatën deri në finalizimin e zgjedhjeve është ngarkuar nga LSI si deputete dhe politikane kualitative dhe me përvojë organizative e kësaj partie, të drejtoj fushatën në 3 qarqet Tiranë, Elbasan, Lezhë, si e deleguar, duke u përqendruar në bashkitë dhe zonat periferike të Qarkut të Elbasanit, me synimin për t’i njohur më në detaje problematikat e banorëve, shërbimet ndaj tyre si uji, shëndetësia, shkolla, transporti, tregjet e prodhimeve, subvencionet, resurset, investimet e kryera, të pakryera e të mundshme, të kërkuara si nevojë jetike prej banorëve etj. Po kështu, deputetja Kryemadhi, foli për zhvillimet politike në mazhorancë dhe qëndrimet e opozitës, për punët dhe detyrimet që LSI si forcë politike dhe bashkë qeverisëse ka ndaj njerëzve, për cilësinë e qeverisjes prej PS, për koalicionin me PS, për raportet me opozitën dhe krerët e saj historikë e aktualë, duke bërë apel partitë, t’i reflektojnë punët e tyre në zgjidhjet sociale dhe bashkëveprimin me çdo faktor politik, diplomatik e social brenda dhe jashtë vendit, me objeksionin e vetëm: Integrimin e Shqipërisë në BE… 
Flasim për deklaratat më të fundit. Në fakt ju jeni në krye të edicioneve informative. Ju keni qenë në Rrajcë të Përrenjasit dhe keni thënë, se gjendja është e mjerueshme, që njerëzit nuk kanë ujë 24 orë, ndërkohë që politika merret me pseudoreforma. Pse, pseudoreforma? 
– Unë jam e deleguar për tre qarqet Tiranë, Lezhë, Elbasan. Meqenëse Tirana dhe Lezha janë qarqe që i njoh shumë mirë dhe një nga qarqet që e njoh më pak është Elbasani, unë jam fokusuar aty. Po e ndjek dhe po e shkel hap pas hapi. Kam qenë edhe në zona të tjera të qarkut të Elbasanit. Kjo është e vërtetë. Kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit është Miranda Rira, ish-kolegia ime në Parlament, mikja ime. Ne ishim në Rrajcë, kaluam bashkë në Sutaj të komunës Rrajcë. Rruga ishte shumë e keqe. Diskutohej çështja e ujit të pijshëm, që ata kishin me vite të tëra. Ndërkohe atje kishin burime ujore shumë të mira, që mund të ishin edhe me rënie të lire, por që nuk është mundësia e prodhimit të energjisë elektrike. Nuk mund ta mohoj dot që zonat rurale apo zonat malore janë të varfra. Nëse nuk do e thosha këtë, jo vetëm që s’jam realiste, por jam edhe gënjeshtare. Për këtë rast nuk e vë në dyshim e as nuk kompleksohem për të thënë që ajo që ndodh dhe që është e vërtetë, është e vërtetë. 
Ka reaguar deputeti Balla, i cili quan këto si reagimet e një opozitareje, çfarë komenti keni? 
– E para, mendimet alternative nuk janë të gabuara. E dyta, aq më shumë mendimet opozitare nuk mund t’i quash as armiqësore, as sabotatore. Tjetra që dua të them është se ne jemi miq, pavarësisht pozicioneve. Me Taulantin jam mike më shumë nga sa mund të jem me kolegë të tjerë në Parlament. Megjithatë, theksoj edhe një herë, pavarësisht nga kjo, unë prapë i qëndroj deklaratave të mia. Nuk ka rëndësi kush e drejton institucionin. E rëndësishme është që sa ky institucion jep. 
A po e bën LSI opozitën parlamentare në vend të opozitës që mungon dhe është në çadër? 
– Unë nuk dua të flas sa u përket pozicioneve të LSI-së. Unë nuk mendoj që meqenëse ne kemi një mendim ndryshe kjo është opozitë. Nuk ka asgjë të gabuar t’i thuash gjërat siç janë. Ndoshta ndonjëherë kjo demagogjia apo populizmi na kanë marrë më qafë dhe na kanë lënë pak të prapambetur. Nuk mund të them që jam e larë dhe e kulluar dhe, se të tjerët janë të ngatërruar. Fundja ky është ambienti dhe këtë ofrojmë. Ndaj edhe unë them se sa më shumë të fokusohemi te problematikat dhe te njerëzit, aq më shumë do i largohemi demagogjisë dhe populizmit. Demagogjia dhe populizmi mbjellin varfëri. Ne vazhdojmë ende të diskutojmë minimumin jetik. 
Është përcaktuar kandidatura juaj në Elbasan? 
– Unë në fakt drejtoj tre grupe pune, për sa i përket organizimit dhe problematikave të zonave të caktuara. Po merrem pak më shumë me Elbasanin, sepse është një qark që unë nuk e njoh si njoh Lezhën dhe si njoh Tiranën. Ashtu si edhe njerëzve u bën përshtypje kur unë flas për problematikat, siç flas sot për Përrenjasin mund të flas për Elbasanin, Cërrikun, për Bashkinë e Gramshit, që është më keq se Përrenjasi. Në Gramsh është shembur pallati dhe kryetarja e bashkisë nuk del nga zyra që të shkojë të takojë njerëzit. Apo probleme të tjera nga më të ndryshmet, që nuk u ofrohet njerëzve asnjë lloj mundësie, që nuk lëvizet për t’u bërë diçka në funksion të qytetarëve, apo të gjithë komunitetit. Listat e deputetëve ngelen për në fund. Gjithnjë lëvizin sipas konjukturave politike, apo edhe sipas angazhimeve të asaj çfarë personi përfaqëson në terren. 
Ju, ku do të dëshironit? 
– Të them të drejtën nuk do të ma kishte qejfi të kandidoja. Do kisha shumë dëshirë që të isha një shefe fushate. Do të doja që listat e LSI-së të ishin të mbushura plot me djem e vajza të reja, me mentalitet të ri, me njerëz të rinj, me dëshira të reja, me ëndrra dhe shpresa për ta bërë këtë vend. 
Po thoni që do kandidoni kundër dëshirës? 
– Jo kundër dëshirës. Do të doja në një farë mënyre të rehatohesha. Do të dëshiroja që t’u krijoja mundësinë disa të tjerëve, por akoma mendoj që është e nevojshme, sepse unë kam detyrime ndaj njerëzve, të cilët kanë votuar Monikën këto dymbëdhjetë vjet dhe detyrimet e mia akoma nuk kanë mbaruar ndaj atyre njerëzve, të cilët më kanë ndjekur hap pas hapi. Jo për t’i shpërblyer në punë, por për t’i shpërblyer me premtimet që ne u kemi dhënë. Kemi misionin tonë për ta çuar deri në fund. Në përgjithësi, pozicionin e deputetit, njerëzit e quajnë privilegj. Për disa, mund të jetë privilegj, ndërsa për disa të tjerë që e marrin me përgjegjësi nuk është një privilegj. Përballja me problematika nga më të ndryshmet, të vendos në pozicion shumë të vështirë, jo vetëm me kolegët e tu, por të vendos në pozitë shumë të vështirë edhe me veten tënde në momente të caktuara. 
Koalicioni PS-LSI plotësoi 4 vite, cili është bilanci dhe cili është vlerësimi juaj për të? 
– Nuk e shoh negativ, që të jem e sinqertë. Ne, përgjithësisht sukseset nuk i shikojmë, por gabimet po. Dhe fundja e kemi për detyrë këtë. Doja të thosha disa gjëra, për sa i përket koalicionit. Pavarësisht pozicionimeve, deklaratave, LSI ka qenë prezent në çdo problematikë dhe e ka ngritur zërin. Koalicioni nuk është thjesht “yes man”. E kemi bërë herë pas here. E kemi dhënë votën, pavarësisht që mund të kemi pasur argumentet tona kundër projektligjeve nga më të ndryshmet, për të cilat kemi dhënë argumentet tona dhe votat tona të kushtëzuara. Pra, nëse e kemi dhënë votën për ligjin e arsimit të lartë, e kemi dhënë me kusht që menjëherë pas miratimit të reformës së arsimit të lartë të miratoheshin aktet nënligjore. Edhe sot e kësaj dite, asnjë nga aktet nënligjore nuk është miratuar. Nuk kam qenë pjesë e as qeverisjes dhe as së bërjes së marrëveshjes së LSI-së. 
Sipas jush, ku ka gabuar LSI? 
– Unë nuk e shoh që ka gabuar politikisht. LSI e ka vijën e saj në shërbim të qytetarëve, në shërbim të njerëzve. Kjo është një vijë shumë e qartë, sepse njerëzit janë shumë të lodhur nga politika, nga retorika politike pa fund, nga deklarata politike që u lodhëm dhe ne politikanët që po i dëgjojmë saqë po ndiejmë dhe neveri nga vetja jonë, që dëgjojmë fjalë, fjalë, fjalë pa fund dhe në fund të ditës rezultati është zero. Sepse në fund të ditës çdo njeri shikon nëse ka para, nëse ka marrë rrogë, nëse ka para për të paguar dritat, ujin, shkollën e fëmijëve, librat e shumë gjëra të tjera me radhë, jo më pastaj për vazhdimin normal të jetës ose për rritjen e standardit të jetesës. Unë e shikoj LSI-në konsistente dhe koherente në të gjitha qëndrimet e saj. Ne nuk premtuam 300 mijë vende pune, por premtuam për aq sa kishim mundësi dhe unë uroj që deri në ditën e zgjedhjeve t’i kemi bërë këto 300 mijë vende pune. Edhe po s’i bëmë nuk ka asnjë gjë të keqe, sepse njerëzve do t’u thuhet se ne kishim këtë plan, por nuk arritëm ta bënim. Nuk ka asgjë të keqe, të pranosh gabimin, mbasi nëse e pranon, nuk do ta bësh më.
A mendoni, se PS duhet të ketë një tjetër koalicion me LSI-në?
– Unë nuk e kam idenë, se si është bërë koalicioni i parë. A është bërë me vazhdimësi, ne vazhdojmë të jemi në koalicion. Po ta kapësh ashtu, unë kam më shumë debate me ministrat e LSI-së se sa me Partinë Socialiste, ashtu sikurse kam edhe me ministrat e PS-së për gjëra që kanë problematika të caktuara. Unë personalisht nuk i shikoj politike. Unë i shikoj në aspektin se sa ky proces, ky problem shkon tek qytetari. 
Ju thatë pak më parë se LSI i ka arritur objektivat e veta. A është objektiv i LSI-së z. Meta kryeministër? 
– Unë do të dëshiroja ta ndryshoje pyetjen, sepse ju e bëni pyetjen dhe ne detyrohemi t’i themi gjërat tona dhe çfarë themi ne, ju e transmetoni siç ju duhet. Unë në fakt nuk dua të merrem fare me këtë gjë, sepse për mua LSI-ja në qoftë se do Kryeministrin duhet të dalë forcë e parë. Pra në qoftë se anëtarët e LSI-së, strukturat drejtuese të LSI-së, nëse duan kryeministrin, nuk ka rëndësi se kush është, të punojnë dhe ta nxjerrin LSI-në forcë të parë. Shanset për të qenë LSI forcë e parë i ka, ashtu siç i kanë edhe partitë e tjera, e ka edhe PS, edhe PD, i kanë të gjitha partitë për të qenë forcë e parë. E gjitha bazohet në punën e strukturave të partisë, bazohet në planin e punës që bëjnë, në programin që ato përfshijnë dhe në përgatitjen e tyre elektorale.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin Rama, marrëdhënia juaj si Monika dhe si çift bashkëshortor? 
– E para duhen parë gjërat në dy drejtime të ndryshme: njerëzore dhe politike. Nuk mendoj se politika do të varet nga humori i drekave dhe darkave. Sigurisht që jemi miq. Ne do të vazhdojmë. Nesër s’do të jemi në politikë. Unë të them të drejtën, kam kohë që s’kam dalë as me Ilir Metën. Kam dy vjet që nuk bëj pushime verore dhe as dimërore, mbasi ka pasur angazhime siç është fokusimi, angazhimi, strukturat, fushata zgjedhore brenda partisë, pastaj kanë qenë problematika të tjera. Pastaj të mos harrojmë që unë kam dhe tre fëmijë të cilët janë rritur dhe ke obligime familjare.
Dua t’ju pyes edhe për marrëdhëniet me z. Berisha duke pasur parasysh edhe kohën që merr z. Berisha në foltoren e Kuvendin cilat janë marrëdhëniet Meta-Berisha? 
– Unë me çfarë kuptoj, unë e shikoj që Iliri ndjen një respekt ndaj doktor Berishës për shumë arsye. Ndoshta edhe nga avantazhi i të tjerëve, pasi ai ka pasur shansin që të punojë me të gjithë drejtuesit e partive politike, Nano, Rama apo Berisha. Ka jetuar dhe ka punuar në sensin, që nuk është pak të punosh, pasi aty kupton edhe karakteret e njerëzve. Ai e ka thënë edhe publikisht qëndrimin e vet. Sepse ndryshe, kur e bën publik opinionin e tij për Berishën, ku ndërkohë e ka në pozicion tjetër përballë. Unë jam i bindur që Iliri nuk thotë atë që s’e mendon, nëse nuk i pëlqen e anashkalon dhe nuk shprehet. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë liderët, edhe me z. Basha. Nuk kam asnjë lloj kompleksi.
Përflitet për marrëveshje PS-LSI për presidentin, se do lihet në dorë të LSI, për të vazhduar koalicioni. A dini, nëse LSI ka ndonjë emër, ju do ta shihni veten si presidente?
– Nuk kam dëgjuar fare. Di vetëm ato që kam dëgjuar nga media dhe nuk më intereson. Emër për president, kanë të gjithë partitë politike. Jo, se nuk e bëj, por nuk më pëlqen, pasi nuk është në karakterin tim ai pozicion. 
Opozita është mbi një muaj në çadër. si do të shkohet në zgjedhje dhe si e shini opozitën, sa e fortë është ajo për ju? 
– Një opozitë e fortë bën një qeverisje të fortë. Një opozitë e fortë krijon një institucion shtetëror të fortë. Një opozitë e dobët, të dyja këto janë të dobëta. Unë e vlerësoj protestën e opozitës, pavarësisht rrugën që ato kanë gjetur dhe nuk ka asgjë të keqe që protestojnë. Nuk është se më bëhet qejfi të bllokosh bulevardin dhe trafikun, sepse në fund të fundit qytetarët e vuajnë më shumë. Nuk e vuan as Rama e as Meta, që dëgjojnë muzikën dhe fjalimet gjatë gjithë kohës. Ne kemi ardhur në këtë pikë sot, sepse shqiptarët e kanë harruar grevën e urisë të deputetëve në Parlament. Sepse po të ishin bërë ndryshimet kushtetuese në atë kohë, jo nën presion, ne nuk do të kishim as grevën e urisë të PS-së para disa viteve dhe as çadrën që ka opozita në shesh. Një opozitë e tillë është shumë e mirë. Mua më bëhet qejfi, që ajo po rritet dhe po forcohet, sepse duke u rritur dhe duke u forcuar, edhe ne do të kthjellohemi, do të qartësohemi, do të largohemi nga ai komoditeti, nga shtrirja në rehatinë e pushtetit dhe do të zgjohemi dhe do të jemi më aktiv dhe më të përgjegjshëm në detyrat tona.
Vetëm pak ditë më parë kishit një përplasje deklaratash me znj. Nikolla, për reformën në arsim e cila tha se ju i keni bërë këto deklarata, si fushatë për të thithur më tepër vota? 
– Unë Linditën e kam pasur mësuese. Më ka dhënë matematikë në gjimnaz. E vlerësoj dhe e përkrah në gjithë punën e saj që bën dhe e ka shumë të vështirë, ndoshta edhe me vetë problematikat që ka Ministria e Arsimit. Por jam e bindur, që nuk e ka shkruar ajo mesazhin, por të tjerët. Pra, vazhdoj t’i qëndroj deklaratave të mia. Asnjëra nga ne, nuk e ka me tapi pozicionin dhe i bëj thirrje prapë maturantëve, që asnjëri të mos bëjë kompromise në kurriz të dijeve të tyre. Ne kemi nevojë për një brez të ri të rritur mirë, të shkolluar mirë, me mësues të aftë dhe jo me mësues të politizuar e militantë. Kemi nevojë për kurrikula të vërteta e moderne, për shkolla moderne e evropiane realisht. Nëse nuk do të prodhojmë një brez të ri me standarde të reja, qoftë në mentalitet, në edukim e arsimin, ne do të shkojmë drejt asimilimit si komb.
Bëri bujë, deklarata juaj për kultivimin e Shafranit, duke e krahasuar atë me kultivimin e kanabisit. A është siç thatë, ju se keni nisur një strategji?
– Në fakt ju të “News 24” keni bërë një mision për këtë. Keni pasur në një emision edhe profesor Dervish Elezin, i cili është nga Dumreja. Është kultivuar, po kultivohet shumë. Është kultivuar në Malësinë e Tiranës, në Berat. E themi shafranin, sepse shafrani kërkon toka të varfra dhe dalim tek ajo që thashë pak më përpara, që pse s’na pëlqen kur i themi gjërat siç janë. Që në bujqësi investimet i kemi shumë të pakta. Unë do t’ju them vetëm diçka që Shqipëria ka rreth 15-20 milionë euro subvencion në bujqësi. Kosova e ka 50 milion. Pra Kosova ka dyfishin e subvencioneve tona në bujqësi. Maqedonia që është sa gjysma jonë e ka 150 milion euro. Gati 10-fishin e subvencioneve që ka Shqipëria në bujqësi. Duke qenë se ti vetë si shtet, je i varfër për të bërë subvencione në bujqësi, në blegtori, në fushën e agrokulturës, atëherë, ty të duhet për të gjetur element, ose kultura të tilla të cilat kërkojnë toka të varfra dhe prodhim të menjëhershëm. 
– A do ta shihnit bashkë LIBRA-LSI? 
Unë i shoh të gjitha partitë bashkë. Nuk i shoh veç. Unë kam qenë në shkollë me bashkëshorten e Ben Blushit, e cila është shoqja ime shumë e mirë. Ashtu sikurse Ben Blushi ka qenë në klasë me Ilir Metën. Prandaj dhe nganjëherë njerëzit nuk duhet t’i besojnë ato urrejtjet e mëdha në televizor në mënyrë të tillë që dashje pa dashje i transmetojmë në publik dhe ndodhin gjëma të tjera nga më të mëdha. Secili nga ne del dhe përfaqësohet me një program, por ajo që është më e rëndësishme, është që ne të gjithë bashkë të pranojmë standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme të pacenueshme. Sepse vetëm kjo nxjerr jashtë loje çdo abuzim apo çdo intimidim, që mund t’i ndodh një procesi dhe politikës shqiptare.
Sigal